Rrëfimi i Muçit në “News 24”, nga derbi te Legia dhe ëndrra kuqezi përkrah Brojës: Golat e mi nuk do harrohen nga… tifozët e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 19:02

Rrëfimi i Muçit në “News 24”, nga derbi te Legia dhe ëndrra kuqezi përkrah Brojës: Golat e mi nuk do harrohen nga… tifozët e Partizanit

Ernest Muçi ka qenë dy sezone më parë një nga protagonistët kryesorë të ndeshjeve derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Por që nga viti i kaluar, ai derbit i sheh si një tifoz i thjeshtë, pasi është bërë pjesë e Legias së Varshavës.

muci

Një eksperiencë e re ku po bën mjaft mirë dhe për të cilën ai ka folur në intervistën e tij në emisionin “Sport News” me moderatoren Enxhi Biba në “News 24”, pa harruar pikërisht ndeshjen e të hënës në “Air Albania”.

“Emocione të mëdha kur sheh ish-ekipin që luan derbin, për lojtarët është mirë kur fiton dhe shpresoj që Tirana të bëjë mirë në këtë sezon.

Golat e mi në rrjetet sociale? Javën e derbit tifozët mundohen të fryjnë sa më shumë derbin që të ketë audiencë, të bëjnë kundërshtarët pak me nerva. Por gjithmonë ajo fitore 5-1 e ata dy gola nuk do të harrohen lehtë si nga kampi i Partizanit, ashtu edhe nga tifozët tanë. Nuk besoj se do të harrohen lehtë. Të Partizanit do i kujtojnë më shumë.

Tirana e ka filluar kampionatin shumë mirë, ndryshe nga ne para dy vitesh që e nisëm të vështirë fazën e parë. Ekipi tani besoj se e njeh shumë mirë njëri-tjetrin dhe ka të gjithë shanset të fitojë kampionatin dhe i uroj shumë sukses në këtë sezon”, tha Muçi.

muci enxi

Më pas, ai foli edhe për etapën e tij të re të karrierës, atë te Legia Varshava. ku pak nga pak po kthehet në një lojtar të rëndësishëm e po luan më rregullisht si titullar.

“Jam shumë i kënaqur, mendoj se ishte klubi më i mirë që mund të zgjidhja, deri tani po bëj shumë mirë dhe ekipi është një emër i madh, po luan në Europa Ligë, kampionati është i fortë. Besoj se do të bëj mirë. Nuk po kalojmë një moment shumë të mirë në kampionat por besoj se do ta kthejmë në fazën e dytë të sezonit.

Për mua ka qenë shumë e lehtë të ambientohesha me shokët e ekipit dhe futbollin polak. Vetëm në muajt e parë kisha pak vështirësi, vetëm nga largimi në një ekip të ri. Tani është diçka më e lehtë, jam mësuar me anën fizike, besoj se siç kam bërë deri tani, avash-avash do të bëj edhe më mirë në ekip.

Fillimi në stol? Është e vështirë kur nuk e fillon një ndeshje nga minuta e parë, lojtarët duan të luajnë çdo ndeshje, por deri tani po bëj mirë. Muajt e parë kanë qenë të vështirë, por nga gushti deri tani kam bërë mirë dhe tani e dimë se si luajmë me njëri-tjetrin e shpresojmë të vazhdojmë të bëjmë këtë paraqitje. Shpresoj edhe për mua të shënoj e bëj asiste sa më shumë.

Më quajtën Mesi i ri i Legias? Unë i di aftësitë e mia por puna është ti tregoj sa më shumë në stërvitje e ndeshje. Të gjithë i dinë aftësitë e mia dhe çfarë sjell për ekipin. Deri tani jemi mirë, po ndjehem mirë me ekipin dhe besoj se do të bëjmë shumë mirë.

Situata Çelhakën e Kastratin? Janë përsëri pjesë e jona, ajo që ndodhi që u larguan për një javë, ishte situatë e vogël që u bë e madhe. Ata janë pjesë e rëndësishme e ekipit si shumë këtu. Shkarkimi i trajnerit ishte se në 6 ndeshje ishin 6 humbje. Normalisht gishti do drejtohej nga trajneri. Besoj se do të bëjmë maksimumin deri në dhjetor, të marrim të gjithë pikët e mundshme dhe në fazën e dytë të sezonit të shkojmë për titull.

Sot ishte stërvitja e parë me trajnerin e ri, ai kërkon shumë lëvizje e që sulmuesit të jenë afër portës. Kjo është e  e mirë për ne që të kemi më shumë shanse në fushë, do të shënojmë më shumë gola, shpresojmë që të përshtatemi sa më shpejt”, theksoi ai.

Nuk mund të mungonin edhe fjalët për përfaqësuesen shqiptare dhe shpresën që ka për t’u bërë protagonist përkrah mikut të tij, Armando Broja.

“Normalisht, çdo lojtar ka ambiciet e tij. Shpresoja të isha në grumbullimin e kaluar por nuk besoj se është problem se ka lojtarë të mirë. Por besoj se edhe të U21 të ndihmoj ekipin e shokët, është privilegj për mua. Shpresoj të bëj aq mirë sa të marr një ftesë nga ekipi kombëtar A në të ardhen.

Kontakte me Rejan? Jo, akoma nuk është se me ka thënë ndonjë gjë, akoma nuk kam pasur ndonjë kontakt me te. Por kam ndjekur kombëtaren dhe e di çfarë kërkon nga sulmuesit. Shpresojmë në të ardhmen.

Me Brojën njihemi që kur ishim 17 vjeçare, kemi kaluar grumbullime bashkë në Kombëtaren U19, kemi luajtur bashkë që atëherë, kemi ëndërruar që të jemi në kombëtare bashkë. Besoj se do të jemi dyshe e mirë për të ardhmen, shpresoj që ëndrrat tona dhe të tifozëve të kthehen në realitet.

Ne shpresojmë që Broja të vazhdojë kështu e të bëjë sa më mirë për ekipin. Edhe ekipi ka bërë mirë, ishte ndeshje e pafat me Poloninë por do të vazhdojmë të krijojmë më të mirën.

Objektivi kuqezi? Europiani, Botërori, janë ëndrrat e të gjithë shqiptarëve, të të gjithë tifozëve. Besoj se do të krijojmë një ekip sa më të fortë, të jemi bashkë e të shkojmë për ato objektiva”, tha Muçi.

Në fund, ai foli edhe për merkaton, pasi emri i tij ka filluar të përmendet edhe në kampionate më prestigjioze.

“Oferta nuk është se kam patur, thjesht shumë njerëz më kanë thënë se duhet të punoj fort e mund të arrij më shumë. Tani thjesht të jap më të mirën këtu, këtu kampionati polak është gjysma e Serisë A, shumë i fortë e fizik, edhe në Serie A dihet të jesh teknik por edhe i fortë. Shpresoj që të bëj sa më mirë e pse jo të jetë një mundësi për atje”, theksoi sulmuesi i talentuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"