Rrëfimi i Del Pieros, gati të vërë bast për Juven: Me Dibalën dhe Ronaldon vjen Champions-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2018 | 21:24

Rrëfimi i Del Pieros, gati të vërë bast për Juven: Me Dibalën dhe Ronaldon vjen Champions-i

Çerek shekulli më parë, Alesandro Del Piero debutonte në Serinë A me “bekimin” e Xhovani Trapatonit. Ishte java e 4-t e Serisë A dhe Juventusi luante ndaj Foxhias. Ishte e para nga 705 ndeshjet e “Pinturikios” me fanellën bardhezi. Nga ai moment nis edhe rrëfimi i gjatë i tashmë 43-vjeçarit për “La Gazzetta dello Sport”.

del piero

Çfarë kujtoni nga ai moment?

Ishte një çast i mrekullueshëm dhe një javë më pas emocionet do të ishin edhe më të mëdha, sepse luanim në Torino ndaj Rexhinës dhe shënova një gol.

Ishte i pari i 288 të tjerëve. Tri vite më pas fituat Champions-in, ndërsa që nga ajo kohë pesë finale dhe asnjë të fituar. Çfarë kujtoni nga pranvera e 1996-ës?

Ka qenë një periudhë magjike e jetës sime dhe jo vetëm për trofeun e Ligës së Kampioneve. Ishte një sezon shpërthyes, që ndryshon nga kampionati botëror ku gjithçka është e përqendruar në një muaj. Champions-i është një rrugëtim, të cilin ne e përshkuam duke thërrmuar këdo që na doli përpara. Në planin personal, ishte sezoni i afirmimit tim, teksa për popullin bardhezi ishte viti i ngadhënjimit sepse më në fund ishim ne më të fortët e Europës.

Çfarë duhet për të fituar kupën me veshë të mëdhenj?

Një skuadër e fortë dhe një grup solid që është i ndërgjegjshëm në mundësitë e veta. Një tjetër faktor është gjendja e mirë psiko-fizike, duke filluar që nga çerekfinalet e tutje.

Si një njohës i mirë i fushës, na stiloni një listë për Champions-in e sivjetshëm.

Reali, pas asaj që ka bërë në tri vitet e fundit, pa dyshim niset si favorit. Nuk ka Ronaldon, vajtja e të cilit në Torino fut mes favoritëve pa dyshim Juventusin. Më pas të tjerat, si Siti dhe PSG, teksa Barcelona, Bajerni dhe Liverpuli nisen nga disi më larg.

Kalojmë tek italianet, cilat janë objektivat e mundshme për Juven, Napolin, Romën dhe Interin në Ligën e Kampioneve?

Juvja niset për ta fituar trofeun, nuk ka rrugë tjetër. Roma synon lart sepse vjet shkoi deri në gjysmëfinale, teksa Napoli dhe Interi do të matin forcën e tyre të vërtetë.

A mendoni se do të kualifikohen të katërta italianet në çerekfinale?

Shpresoj shumë, por duke qenë realist, pres të kualifikohen tre dhe e katërta të luajë në Ligën e Europës duke e përballuar me mentalitetin e duhur. Gjithsesi, mendoj që Napoli ndodhet në grupin më të vështirë.

Meqë jemi te Napoli, a do ta bëjë ardhja e Ançelotit ekipin disi më europian?

Ai është një nga numrat 1 në Europë dhe pa dyshim që Napoli fiton shumë në nivel mentaliteti me Karleton. Megjithatë, mendoj se nuk do të ishte fort bujare nga ana e tifozërisë nëse i atribuojnë Sarrit mungesën e suksesit të Napolit në Europë.

Roma është një laborator, nga ku jo gjithmonë del formula e duhur. Ju si mendoni?

Them se Romës do t’i peshojë shumë largimi i Naingolanit, sepse ai është një lojtar që i “çan” ndeshjet. Besoj shumë te puna e Monçit dhe jam kurioz të shoh kontributin e të ardhurve të rinj. Verdhekuqtë mund të na habisin përsëri. Le të shpresojmë.

Ikardi debuton në Champions, a do të jetë provimi i vërtetë për të?

Nuk do të përdorja termin “provim”. DO të jetë një nivel i ri për karrierën e tij. Gabojmë nëse flasim ende për provime për lojtarë mbi 20-21 vjeç.

Për cilën nga ndeshjet e para në Champions do të paguanit biletë?

Do të zgjidhja impiantet e mëdha, ndaj them “Bernabeu” për Real-Roma, “Anfield” për Liverpul-Napoli dhe “Old Trafford” për Mançester JunajtidJuventus. Ai i “Djajve të Kuq” është stadiumi që dua më shumë, një tempull i vërtetë. Çfarë mrekullie!

Pas një Botërori zhgënjyes, a prisni risi taktike nga Liga e Kampioneve?

Sigurisht, dhe jam i bindur, por nuk më pëlqen të ndaj futbollin nga ana emocionale. Në këtë aspekt, Botërori ishte në lartësinë e duhur. Për sa i përket Champions-it, pres surpriza sepse në vitet e fundit ka fituar një ekip shumë i fortë si Reali, por pa një identitet të qartë taktik. Për Realin e Zidan nuk do të kujtojmë tipare dalluese siç bëhet për Milanin e Sakit apo Barcelonën e Guardiolës. Në këtë sens, jam shumë kureshtar për Juven e Alegrit.

Për sasi dhe cilësi, a është ajo juventine organika më e kuotuar për të ngadhënjyer në Europë?

Pa dyshim që është ndër më të mirat. Ndoshta nuk është e vetmja, por meriton një vend në podiumin e cilësisë.

A është Juvja aktuale më e mirë se të gjitha Juvet tuaja?

Është e pamundur t’i krahasosh. Nuk besoj se ka arritur nivelin e personalitetit të Juves së parë të Marçelo Lipit, ekip që arriti të luante në katër finale europiane radhazi, megjithëse kam peng që mundëm të sjellim në shtëpi vetëm një trofe.

Hegjemonia e Ronaldos dhe Mesit mund të “dridhet” këtë sezon. Kush ju duket gati për trashëgiminë e këtyre dy fenomenëve?

Mesi dhe Ronaldo do të diktojnë akoma ritmin, sidomos në Champions. Jam shumë kureshtar për të parë Kilië Mbapenë, edhe pse mendoj se po harrojmë shumë shpejt dikë si Paulo Dibala.

Në aspektin e lojës, ndiheni më pranë sistemit me pasime të Guardiolës, befasive të Alegrit, kundërsulmeve të Klopit, apo “shihni” diku tjetër?

Sistemet e lojës nuk i shoh si qëllime, por si mjete. Tradicionalisht jam “joshur” nga trajnerë që dinë të ndryshojnë, të shpikin një lëvizje që ndryshon sezonin, praktikisht gjetje të tipit “roli i Kasemiros” apo “katër pykat” e Alegrit. Të mos harrojmë sistemet e Guardiolës. Të gjitha këto e bëjnë më interesante Ligën e Kampioneve.

Me Alergin luajnë të gjithë, por askujt nuk i garantohet vazhdimësia. Sa ndikon kjo te një sulmues?

Logjika e ndryshimeve është që lojtari ta pranojë, megjithëse kundër dëshirës. Ka shumë rëndësi të jesh mirë fizikisht në një moment të caktuar. Këtu ndikon edhe dëshira e lojtarit për t’u vënë në shërbim të grupit dhe kauzës së skuadrës, por për askënd nuk është e lehtë të pranojë stolin.

E imagjinoni dot një sfidë Juve-Psg me Bufon që mbron një tjetër portë?

Kur ika nga Juvja, m’u dha mundësia të luaja për Selltikun e Glasgout. Kisha vendosur të largohesha nga Europa dhe refuzova, por atë sezon bardhezinjtë luajtën pikërisht ndaj skocezëve dhe me vete mendova: Sa mirë që nuk shkova. Po t’i ndodhë Xhixhit do të jetë puna e tij, megjithatë nëse luan kundër Juves, unë nuk do të jem tifoz i tij.

Keni thënë gjithnjë se nuk ekzistojnë mallkimet. Si e shpjegoni ecurinë e Juves në Europë?

Ka një kushtëzim të përgjithshëm nga rezultatet negative, kjo është e sigurt, por finalet e fundit, Juvja i ka humbur ndaj ekipeve më të forta. Këtu nuk shoh asnjë mallkim.

Me blerjen e Ronaldos, Champions-i shndërrohet në një mision të tipit “o sot o kurrë”?

Mendoj se ka ekipe në lojë që janë të forta të paktën sa bardhezinjtë. Misioni është i guximshëm, por edhe i rrezikshëm, sepse pritshmëritë kërcënojnë fort të shtypin ekipin. Do të jetë një rrugëtim mahnitës dhe projekti ambicioz i klubi më pëlqen shumë, sepse ngjason me Lejkersat e mi që afruan LeBron Xhejmsin.

Kur ishit pjesë e Juves, e kuptonit rëndësinë tuaj si lojtari më i mirë, paçka se në skuadër kishit shokë po aq të zotë?

Sigurisht, por është një ndjesi që e kishim të gjithë dhe na bënte të fluturonim.

Sa do të ndikojë Ronaldo te shokët e tij?

Çdo gjë ecën paralel, por Kristiano i di përgjegjësitë e tij. Mendoj se do të ndihmojë rritjen e mëtejshme të ekipit, por edhe të Juventusit në rang klubesh. Kur më thanë se do transferohej në Torino, nuk e besova, kujtova se talleshin me mua.

Ronaldo niset majtas dhe zbret në qendër, pak a shumë si ju. Po të ishit sot, do të bënit ndonjë sakrificë për të luajtur së bashku?

(qesh) As që e kam menduar, por nëse Alegri ka në plan të eksperimentojë, jam gati për ndonjë sakrificë të vogël siç thoni ju.

Kristiano bën sfida pas stërvitjes, mes jush kush do të fitonte?

Unë, por edhe nëse nuk e mund, jam i justifikuar sepse i kam varur këpucët në gozhdë.

Sapo ka zbarkuar në Torino, si do t’ia përshkruanit “Zonjën”?

Do ta zbulojë vetë, në përditshmërinë e tij dhe jo vetëm në Torino, sepse Juvja është e kudondodhur dhe ka shumë tifozë.

Kush mendoni se është partneri ideal për portugezin?

Kjo është detyrë e Alegrit, por vazhdoj të jem i mendimit se një lojtar si Dibala nuk mund të mos jetë vendimtar.

Cila mund të jetë skuadra anti-Juve?

Është herët, por nuk do të përjashtoja Milanin. Mbase nuk janë ende gati, por kanë një ekip që më pëlqen.

Meqë jemi te kuqezinjtë, edhe Maldini u rikthye.

Jam shumë i lumtur, ai është një njëri i madh dhe një mik i mirë. Me rikthimin e tij fiton i gjithë futbolli italian, jo vetëm Milani.

Ndërkohë, nga Juvja iku një si Markizio, a keni kontakuar?

E di çfarë ndien dhe nuk ka nevojë të ma shpjegojë. E kam parë të rritet, të fitojë, edhe pse nuk është më pjesë e skuadrës. Jam i nderuar që ka zgjedhur numrin dhjetë për “hatrin” tim. Shpresoj ta takoj në Shën Pjetërburg.

Në fund, një koment për kombëtaren italiane.

Duhet të jemi të vetëdijshëm për momentin që po kalojmë, por pa e ekzagjeruar me pesimizmin. Duhet të jemi të bashkuar dhe të kemi besim te Mançini dhe futbollistët.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"