Rrëfehet ish-drejtori i stadiumit: Tirana-Tomori si derbi, Partizani u linte ndeshjen beratasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2018 | 18:53

Rrëfehet ish-drejtori i stadiumit: Tirana-Tomori si derbi, Partizani u linte ndeshjen beratasve

Kush ka luajtur qoftë edhe një herë në “Selman Stërmasi” nuk mundet të ketë harruar një personazh si Hamdi Zhegu. Për 20 vite drejtoi dhe mirëmbajti impiantin e dytë më të rëndësishëm në kryeqytet.

ggh

I kanë parë sytë nga të gjitha, deri edhe te vrasja e një presidenti apo edhe e një gjyqtari. Bëhet fjalë për ish-presidentin e Tomorit, Ardian Çobo.

Tirana, në fakt, nesër do të ndeshet pikërisht me Tomorin, por tani nuk ndryshon vetëm kategoria ku luajnë apo objektivi.

Ndryshojnë shumë gjëra dhe më e çuditshmja është se tani ndeshja që prodhonte më shumë zhurmë në vitet 2000 do të luhet pa tifozë. “E trishtueshme të luhet pa tifozë një ndeshje që mbushte stadiumin”, thotë Hamdi Zhegu. Ai “pickon” pak edhe Partizanin, për të cilin thotë se “ia lë ndeshjen Tomorit”…

tirana tomori

“Selman Stërmasi” kishte infrastrukturë gati të mjerueshme, por stadiumi tejmbushej. Por, nesër do na duhet që të shohim një Tirana-Tomori të heshtur…

Më vjen shumë keq, të them të drejtën, pasi “Selman Stërmasi” gjithnjë ka qenë i mbushur, të rralla ishin ndeshjet që nuk kishte interes dhe kjo ndodhte sidomos kur luhej në mesjavë apo kur kundërshtarët që Tirana kishte përballë nuk ishin të fortë.

Çfarë mbani mend nga ndeshjet e bardhebluve kundër beratasve?

Nuk do harroj vitin 2000, kur u zhvilluan ndeshje me shumë rivalitet. Shumë të forta, mund të them të ngjashme me derbin. Siç ishte Tirana-Partizani, me aq rivalitet ishin edhe përballjet me beratasit, pasi ata kishin një ekip të mirorganizuar. I mbaj mend shumë mirë ato takime, ashtu siç kujtoj edhe kohën kur u vra presidenti i Tomorit. Kam qenë prezent, madje e kemi transportuar me makinë drejt spitalit Ardian Çobon.

Çfarë ndodhi konkretisht në atë ngjarje?

Kujtoj që ka qenë ndeshja e fundit e të ndjerit Luan Zylfo, ish-gjyqtar i FIFA-s. Në momentin që mbaroi takimi, ku të gjithë e dinë që Partizani ia la Tomorit dhe Tirana luante në Gjirokastër, ndodhi që titulli të vendosej në një finale. Megjithatë, pa shkuar tek ajo finale, në atë ngjarje mbeti i vrarë presidenti, i cili u qëllua nga një shoku i tij. Plumbi bëri rikoshet, vrau Zylfon dhe plagosi Albano Jankun në kofshë. Pas 2- 3 orësh vdiq në spital Luani dhe presidenti. Sakaq, ndeshja finale u zhvillua 4 ditë më vonë në Elbasan dhe në minutë të fundit bëri autogol Dede dhe shkoi te penalltitë.

Beratasve u ka mbetur “peng” ajo finalja e famshme. E meritonte realisht titullin Tirana?

Ndeshja u zhvillua në fushë asnjanëse dhe 10 minuta para të fundit pati pak probleme prej tifozëve beratas. Ishte komisar ai Koseni i famshëm në ato vite dhe, me atë qetësinë dhe emrin që kishte, u kërkoi ultrasve që të rrinin urtë, ndryshe do të kishin probleme. Ne të Tiranës nuk bënim zhurmë, si zakonisht brohorisnim, por nuk krijonim potere. Nuk ishin “Fanatics”-at atëherë, por vetëm ultrasit. Ishte një goditje këndi e Tomorit, nga e orës në mos gaboj dhe i bie Dede me kokë. Në përpjekje për ta nxjerrë jashtë, e çon në trekëndësh. Për rrjedhojë, ndeshja u vendos në penallti dhe të fundit e gjuajti Sina, ku u shpallëm kampionë.

Jo vetëm pa tifozë, por edhe në Kategorinë e Parë. Ju vjen keq që ky duel do të luhet në inferiore?

Përsëritet historia, por mungojnë figurat. Tirana nuk është ajo e atyre viteve, kur kishte emra si Muka, Sina, Ard Mema, Nallbani apo Dede. Ata janë figura. Edhe tani ka, por nuk janë si ata. Tomori mund të ketë forcën, por nuk i ngjan atyre viteve, me ata lojtarë dhe atë president. Tani drejtohen nga bashkia, por atëherë lekët vinin nga presidenca, ndaj edhe motivi ishte tjetër. Më vjen keq që luhet pa tifozë, pasi edhe në kafe kur shkon, nuk të shijon nëse është në lokal vetëm kamerieri.

Si e pritët atë vendimin që u mor gati një vit më parë, që në “Selman Stërmasi” të luante edhe Partizani?

Më fal, por për kaq vite ku ka luajtur Partizani e Dinamo? A nuk kanë luajtur në atë stadium, të gjitha ndeshjet aty janë zhvilluar, vetëm ndonjëherë shkonin në “Qemal Stafa”. Nuk mbaj mend që të mërziteshin tifozët. Luhej të mërkurë, të shtunë dhe të hënë, pasi qëllonte që dy ekipet e kryeqytetit të luanin në shtëpi në një javë. Sajoheshim domethënë, por kurrë nuk tha kush gjë. Kjo erdhi si “epidemi”, a ishin të nxitur që të merreshin me ndonjë temë tjetër apo jo, këtë unë nuk e di. Partizani, që në kohën e Bert Xhanit, ka luajtur aty, që në ’97 me sa mbaj mend. Mua m’u duk e gjithë ngjarja si e shtirur, pasi isha jashtë shtetit asokohe, ashtu e mora vesh lajmin.

Po “krisjen” mes presidentit dhe ultrasve si e shihni?

Qëllimin final nuk e di se nuk ma merr mendja që e kanë të gjithë inatin se Halili lejoi Partizanin të luante aty. Ka ardhur momenti që t’i lënë pas të gjithë këto histori. Pasi minusi më i madh që i ndodhi Tiranës vjet ishte largimi i tifozëve. Sikur të mos i mjaftonin problemet, i ikën edhe ata dhe rrjedhimisht nuk kishte atmosferë e grintë. Për mua duhet të shkojnë një orë e më parë në stadium dhe këtu duhet të mblidhen të gjithë, jo vetëm “Fanatics”, por çdo tifoz. Nuk mund ta lënë më atë stadium me 200- 300 veta. Presidenti ka pasur hallet e veta dhe, siç u pa, ekipi rrëshqiti në Shkodër. E kanë provuar edhe të tjerë rënien, por i erdhi radha edhe Tiranës. Keq na vjen se s’kishte ndodhur ndonjëherë, por do ringrihen.

Në 20 vite punë në atë stadium, e kishit menduar rënien e Tiranës?

Kurrë. Prej 20 vitesh që punoja aty kurrë s’e mendova, pasi Tirana po prodhonte lojëra shumë të bukura, por ndikuan të gjithë faktorët. Gjithçka nis me financat, ku një herë merret rroga e një herë jo, i dëmtuan edhe arbritrat. Nuk them që e kishin fajin 100%, por disa vendime i ngarkuan. Pastaj edhe tifozët bënë të vetën. Për të ardhur keq është që gjithë ata lojtarë cilësorë na duhet t’i shohim në të Parën. Ishte fatale.

E keni ndjekur këtë vit?

Po, po. Por në televizor. Nuk më bëhet që të shkoj në stadium. Por kanë ekip shumë të mirë, të mbledhur. Po të futeshin në Superiore që në janar, me siguri të plotë e them që do të ishin në vendin e dytë dhe të tretë, do e meritonin, pasi nuk kanë asnjë ndryshim me ekipet e tjera.

Cila ka qenë ndeshja që ka sjellë përftime financiare në stadium prej biletave?

I kam pasur bilancet të gjitha dhe, nga sa kujtoj, ka qenë një shifër prej 12 milionë lekësh në një derbi Tirana-Partizani. Detaje nuk mbaj mend. Kapaciteti ishte 12 mijë, por me kalimin e kohës i eliminuan dhjetëshet se dolën jashtë përdorimit. Ndaj, mbeti vetëm karshia me 3 mijë vende dhe 3 mijë të tjera tribuna me dy anekset. Pra, 6 mijë veta vinin rregullisht, por sigurisht që më pak vinin në mesjavë apo me kundërshtar të dobët.

Si e shihni futbollin në tërësi, a ka ndryshuar?

Ka më shumë parà dhe infrastrukturë më të mirë, por jo nivel sa u përket futbollistëve. Nuk janë më ata lojtarë cilë- sorë që dikur dilnin me bollëk. Tashmë edhe elementët e talentuar dalin me “pikatore”.

Përse po dalin kaq pak, ku çalon?

Është edhe çështje cikli, me fazë është gjithçka. Ishte një vit që dolën 3-4 përnjëherë si Morina e Muça, pastaj Kërçiku, apo Grent Halili, i cili ka cilësi, por sigurisht do i duhet edhe pak kohë që të afirmohet dhe të mbajë peshën e ekipit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"