Rivalët te dera, trajneri Mërgjyshi “shtrydh” Apoloninë në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 19:37

Rivalët te dera, trajneri Mërgjyshi “shtrydh” Apoloninë në stërvitje

Apolonia po e shfrytëzon si minifazë përgatitore ndërprerjen e kampionatit. Mesditën e djeshme, fierakët kanë kryer seancën e radhës, ku përgatitja ka qenë intensive në funksion të ndeshjes me Tomorin. Gjithçka nisi në orën 12:00 në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, fillimisht me përgatitësin atletik, i cili si zakonisht bëri nxehjen e skuadrës, para se gjithçka të kalonte nën urdhrat e trajnerit.

apolonia

Mërgjyshi ka rritur “dozën” në stërvitje duke marrë në konsideratë kohën në dispozicion deri në sfidën e radhës me Tomorin. Seanca e djeshme zgjati 90 minuta dhe ritmi ishte “i çmendur”. Në 10-15 minutat e para, trajneri organizoi një lojë me pasime, ku lojtarët ndërroheshin njëri pas tjetrit dhe ritmi kërkohej gjithnjë e më i lartë. Më pas, nisi hapësira e minindeshjeve. E para ishte me katër porta të vogla, ku mesfushori Abjel Bejzade ishte në rolin e xholit dhe ekipi i ndarë në dy skuadra. Skuadra që mbante topin, duhej të kryente një numër të caktuar pasimesh përpara se të fitonte të drejtën të godiste në njërën nga portat, që ishin të vendosura me shpinë nga qendra e fushës. Kjo lojë u mor me shumë grintë dhe lojtarët nuk i kursyen diskutimet as pas fundit të ndeshjes.

PJESA E DYTË E STËRVITJES

1 deri në 2 minuta pushim për të konsumuar ujë dhe pa humbur kohë nisi pjesa e dytë e stërvitjes. Trajneri Mërgjyshi organizoi një ndeshje mes ekipit me fushë rreth 60 metra, ku nuk munguan duelet e forta dhe përplasjet në mesfushë. Më së shumti ra në sy grinta e sulmuesit Maksuti, ndërsa trajneri Mërgjyshi u dëgjua t’i tërhiqte vëmendjen mbrojtjes. Kur kanë mbetur edhe pesë ditë nga ndeshja e radhës, trajneri i fierakëve po mundohet ta shfrytëzojë këtë periudhë pushimi për të punuar edhe më shumë idetë e tij me skuadrën, për të provuar taktika të reja, por edhe për të perfeksionuar manovrën në të gjitha repartet. Prej katër ditësh skuadra është rikthyer në stërvitje dhe po mundohet të analizojë dhe korrigjojë një herë e mirë problematikat e shfaqura së fundmi, me qëllimin vazhdimësi në kampionat. Trajneri Mërgjyshi po mundohet të japë ngarkesën e duhur fizike, që lojtarët në këtë aspekt të jenë të aftë për të përballuar intensitetin e ndeshjeve vendimtare në muajin mars dhe jo vetëm. Kalendarin nuk e kanë shumë në favor pas pushimeve, me përjashtim të kundërshtarit të radhës, i cili është Tomori dhe e presin në Fier. Vetëm pak ditë më vonë, Apolonia do të jetë mysafire në Vlorë, aty ku i pret Flamurtari i vendit të tretë. Pas Vlorës, vjen Vora në Fier. Kështu që, Flamurtari dhe Vora priten të jenë dy testet e së vërtetës sepse nëse kalojnë me sukses këta dy kundërshtarë, atëherë rriten edhe shanset që Apolonia të arrijë vendin e 3-të ose të 4-t në tabelën e renditjes.

HILMI SALIU

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"