Rikthimi i Ademirit është opsion i dytë, Laçi synon sërish mbrojtësin e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 10:42

Rikthimi i Ademirit është opsion i dytë, Laçi synon sërish mbrojtësin e Skënderbeut

Ademir Soza mund të rikthehet te Laçi, megjithatë klubi ka një tjetër plan për brazilianin. Përtej dëshirës së këtij të fundit që të japë kontributin e tij për kurbinasit, drejtuesit si opsion të parë shohin Bruno Lulajn. Korçarit i “skadoi” marrëveshja e huazimit dhe është rikthyer te Skënderbeu. Megjithatë, nëse lojtari nuk gjen hapësira tek ekipi mëmë, ndoshta mund të bëhet sërish pjesë e Laçit.

Bruno Lulaj Skenderbeu

Momentalisht, gjithçka mbetet në kuadrin e bisedave paraprake për linjën e djathtë të mbrojtjes dhe vetëm në vazhdim mund të ketë konkretizime. Sikundër edhe është thënë, Stavri Nica pret që grupi të pasurohet me lojtarë me përvojë. Duke qenë se numri të rinjve është i madh, trajneri kërkon garanci për sezonin e ardhshëm. Domosdoshmëria është për afrime në çdo repart, gjithsesi fillimisht stafi teknik pret vetëm Arturo Rexhinaldon.

Burime për gazetën zbulojnë se afrikani e ka mbyllur marrëveshjen me klubin, por vonesa po vjen për shkak të vizës. Lojtarit i kishte përfunduar leja e qëndrimit që kishte me Luftëtarin dhe tashmë ka aplikuar për ta rinovuar atë. Me të siguruar vizën, ai do të marrë direkt fluturimin drejt Shqipërisë, për t’iu bashkuar ekipit të ri.

Skuadra sakaq është duke vijuar përgatitjet me ritëm të lartë, ndërsa që të gjithë futbollistët janë duke iu përgjigjur kërkesave të Nicës. Faza është duke u zhvilluar në Shqipëri, ku sigurimi i miqësoreve nuk është problem. Pasi kanë zhvilluar 6 deri më tani, po punojnë për të gjetur kundërshtarin e radhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"