Rikthime të rëndësishme, mësoni formacionet e mundshme në Laçi-Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 11:36

Rikthime të rëndësishme, mësoni formacionet e mundshme në Laçi-Skënderbeu

Laçi kërkon fitoren e radhës ndaj Skënderbeut për të luajtur deri në fund shanset e titullit. Skuadra kurbinase është vetëm tri pikë nga Teuta kryesuese, por së pari sot duhet të marrë triumfin në shtëpi, e më pas të presë ndonjë hap fals të rivalëve.

Skenderbeu-Laci5

Në ndeshjen e vetme që këtë kampionat ka zhvilluar me korçarët në Laç, skuadra e Shpëtim Duros ka lënë dy pikë, teksa ka barazuar 1-1. Kësisoj, trajneri ka paralajmëruar lojtarët se duhet të kenë shumë kujdes, pasi Skënderbeu jo vetëm që kërkon rezultat pozitiv për të mbijetuar, por po kalon një formë shumë të mirë.

Barazimi që ekipi i Memellit mori ndaj Partizanit është një sinjal i qartë se Laçin e pret një ndeshje shumë e vështirë, paçka se luan në fushën e vetë. Duro e ka skuadrën më të plotë se kurrë, ndërsa priten pak ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit të zhvilluar në Fier ndaj Apolonisë.

Rikthimi i mesfushorit Juljan Shehu ia shton edhe më shumë luksin e përzgjedhjes trajnerit bardhezi. Lajm i mirë është fakti se nuk ka lojtarë të dëmtuar apo të pezulluar për kartonë, kështu që kurbinasit futen në fushë me gjendjen më të mirë.

Në kushtet kur Mensah është në pikëpyetje për këtë ndeshje, duket se shkodrani Belajdi Pusi është gati për të pritur shansin. I riaftësuar plotë sisht nga dëmtimi që e la një muaj jashtë fushave, Pusi me shumë mundësi do ta nisë titullar në Laç.

Ky do të ishte ndryshimi i madh i Skënderbeut në vijën e parë. Lajm i mirë për Memellin është rikthimi i Randit dhe Sadriut, që ishin të pezulluar për kartonë dhe munguan ndaj Partizanit. Të dy priten titullarë, duke ndryshuar kësisoj mbrojtjen me Bajramin, që mund ta nisë nga stoli.

Në repartin e prapavijës Skënderbeu ka pasur shumë vështirësi gjatë këtij sezoni dhe vetëm javët e fundit ka mundur ta gjejë stabilitetin.

FOR 1

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"