Rexhepi i shpreh besnikëri Partizanit: Çfarë më thanë lojtarët e Teutës te penalltia e Kallakut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 21:23

Rexhepi i shpreh besnikëri Partizanit: Çfarë më thanë lojtarët e Teutës te penalltia e Kallakut

Batutat nuk mungojnë vetëm pas një ndeshjeje, por më pikantet bëhen gjatë saj. Portieri i Partizanit, Rexhepi, rrëfen për “Panorama Sport” ngacmimet e lojtarëve të Teutës pasi i priti penalltinë Kallakut në fund.

Rexhepi Beko

“Më thanë pse e prite se titullin e ke fituar, por unë nuk di të bëj ndryshe”, tregon ai me humor. Sa i gëzuar jeni për këtë triumf, ku gjatë gjithë sezonit keni “vallëzuar” me Tiranën në krye? Shiko, pas çdo vështirësie, vjen edhe lehtësimi.

Siç e kam thënë edhe më herët, do ta ul kokën edhe do të punoj. Nuk më intereson se çfarë kritikash marr. Unë i shoh vetëm për mirë. Për mua personalisht ky sezon ka qenë një mësim shumë i mirë dhe shpresoj që edhe vitin tjetër të dalim kampionë.

Gjithsesi, e mbyllët mbarë sezonin, me një penallti të pritur. Jeni me moralin e duhur për të përballuar ndeshjet e Europës?

Sa për penalltinë, po dëgjoja duke folur çunat e Durrësit. Në fund krijova bindjen se do ta gjuante në mes. Kështu ndodhi dhe ia prita, duke evituar golin për skuadrën time.

Çfarë të thanë rivalët pas ndeshjes?

Ata më thanë se fituat kampionatin, përse nuk e le golin, por dua të prek vetëm një gjë: se çfarëdo situatë të jemi, kemi fituar kampionatin më herët apo më vonë, unë personalisht si Bekim Rexhepi nuk e mendova asnjëherë që të lë ndonjë gol, megjithëse thuajse gjithçka ishte mbyllur. Unë nuk do të bëj asnjëherë ndere të tilla.

Si e prisni ecurinë e Partizanit në kompeticionet europiane?

Si fillim do të ikim njëherë me pushime, të qetësohemi dhe më pas do ta mendojmë dhe planifikojmë gjithçka kur të nisë fazën përgatitore.

A është ky sezoni më i suksesshëm në karrierën tuaj?

Po, pa dyshim që po. Unë kamfituar tituj edhe me ekipin e Shkëndijës, por nuk kam qenë në të gjithë sezonin titullar. Kam luajtur disa ndeshje, por nuk kam qenë portier i parë. Ky është momenti më i lumtur i jetës sime.

Gjithsesi, nuk mund të mjaftohem me kaq. Unë dua të vazhdoj të kontribuoj për skuadrën dhe të rritem sa më shumë personalisht në anën sportive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"