REPORTAZH/ Tirana luan transfertën e Shënkollit, festë në komunën e… burgut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2017 | 21:43

REPORTAZH/ Tirana luan transfertën e Shënkollit, festë në komunën e… burgut

Një emër kishe dhe, më pas, një burg i famshëm. Shënkolli është një prej komunave më të mëdha në Shqipëri, vetëm 10 kilometra larg Lezhës. Emri i një shenjti të njohur dhe i një prej burgjeve më të mëdhenj në vendin tonë, janë dy gjëra që e bëjnë Shënkollin një prej zonave që njihet nga të gjithë. Por, pas 2013-ës, kjo zonë njihet edhe për futbollin.

fusha shenkollit

Presidenti dhe njeriu që bëri të mundur ngritjen e klubit të futbollit në 2012-ën, nuk e kishte çuar aspak ndër mend se, pas katër vitesh, në fushën sportive të qytezës do të vinte për të luajtur Tirana. Dhe jo një miqësore apo ndeshje bamirësie, por për një sfidë të vërtetë kampionati. Klubi më i titulluar në Shqipëri do të luajë të shtunën në Shënkoll përballë klubit më të ri në vendin tonë me vetëm 4 vite jetë. Futbolli është gjithmonë i paparashikueshëm. Në qytezën me rreth 13 mijë banorë kanë nisur prej javësh përgatitjet për sfidën e veçantë që do të ndjekin të shtunën.

HISTORIA

Shënkolli është skuadër e ndërtuar mbi bazën e një tradite të gjatë të futbollit amator dhe në 20 vitet e fundit të organizimit të grupmoshave që përbëjnë edhe skeletin e kësaj skuadre të re. Kjo trevë ka nxjerrë mjaft futbollistë të shquar që kanë bërë emër edhe në elitën shqiptare si Paulin Deda dhe i madhi Vasil Bici etj.

tribuna kryesore shenkolli

Ekipet e moshave janë ngritur me iniciativën e një ish-futbollisti shënkollas, Arjanit Margjoni dhe më pas dhe të ish-futbollistit të Besëlidhjes dhe më vonë edhe trajner i skuadrës, Alban Bruka. Me mbështetjen financiare të biznesmenit vendës, Artan Djala, dhe drejtimin teknik të Alban Brukës dhe Arjanit Margjonit në sezonin 2012- 2013, Shënkolli konkurroi për herë të parë në Kategorinë e Tretë dhe ia doli që të ngjitej në Kategorinë e Dytë në fund të atij sezoni.

shenkolli

Shënkolli, nën mbështetjen financiare të presidentit Djala dhe drejtimin e Alban Brukës, ia doli që, pas vetëm tri sezonesh në Kategorinë e Dytë, të ngjitej në Kategorinë e Parë ku luan që prej kampionatit të kaluar.

shenkolli pankinat

KULLI

Trajneri i skuadrës, Ritvan Kulli, në një prononcim për gazetën, në lidhje me ndeshjen e së shtunës, shprehet: “Për ne është një ndeshje si gjithë të tjerat, pavarësisht emrit dhe historisë që tashmë dihet për Tiranën, por sidoqoftë kjo e ka emocionin e saj. Pozitive për ne është se ne luajmë pa ngarkesa emocionale, jo vetëm se jemi në fushën tonë, por të mundesh nga Tirana nuk është turp.

Ne kemi një objektiv që është përfshirja në 5-shen e parë të grupit në fund të fazës së dytë dhe për këtë jam optimist, pasi kalendari është disi i favorshëm”, thotë Kulli.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"