Reagon Shoqata e arbitrave: Dënojmë me forcë dhunën në ndeshjen Përmeti-Këlcyra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 23:18

Reagon Shoqata e arbitrave: Dënojmë me forcë dhunën në ndeshjen Përmeti-Këlcyra

Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptar dënon me shumë forcë dhe për të disatën herë dhunën krejtësisht jo logjike, anormale dhe të papranueshme të disa lojtarëve të Këlcyrës në ndeshjen me Përmetin. Shoqata e Arbitrave të Futbollit shpeshherë ka kërkuar frenimin e fenomeneve të tilla karshi arbitrave, duke prodhuar një imazh aspak pozitiv, por fatkeqësisht shohim që sërish raste të tilla janë të përsëritura.

Dhuna

Në jo pak raste Shoqata është ndalur gjatë në të tilla incidente të cilat janë krejtësisht të papranueshme për figurën e arbitrimit, kushdoqofshin dhe ciladoqofshin vendimet e marra.

Shoqata sërish bën apelin e radhës për një ndërgjegjësim maksimal të vetë lojtarëve e zyrtarëve të klubeve që të tilla skena të mos jenë të herëpashershme në fushat e futbollit. Natyrisht që apelet e tilla nuk mund të shkojnë në infinit për vetë faktin sepse gjithmonë mbas situatave të tilla shoqata BASHF ka mbetur vetëm në kuadër të fjalëve dhe kjo me shpresën se futbollistë, trajnerë dhe arbitra duhet të jenë pjesë e spektaklit në fushë dhe jo e këtyre skenave vandale.

Ju që dje përdorët dhunën ndaj zyrtarit të ndeshjes nuk duhet të harroni se ai është njëri nga ne të gjithë, është një prind i cili sakrifikon edhe nga ditët e pushimit, largohet nga familja për ti dhuruar komunitetit të futbollit atë që të gjithë e presim me padurim, ndeshjen e fundjavës. Organet e drejtësisë duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe duhet ta kuptojnë më së miri atë c’ka ka ndodhur ditën e Dielë. Është goditur dhe dhunuar barbarisht një zyrtar i shtetit në detyrë ku përvec deponimit verbal të zyrtarëve të ndeshjes janë pamjet filmike ato që vërtetojnë nivelin e dhunës, prandaj kërkojmë qe masat e ndëshkimit ndaj këtyre barbarëve të jenë shembull se si drejtësia duhet të jetë në mbrojtje të jetës së zyrtarit të shtetit dhe ajo që ështe me thelbësorja në mbrojtje të imazhit që ofron loja e bukur e futbollit.

arbitrat_cmim

Këtë herë zëri i shoqatës është në tone më të larta dhe vendimet në rast përsëritje të këtyre skenave në të gjitha kategoritë ku luhet futboll do të jetë në ekstremitet.

Shoqata e Arbitrave ka besimin absolut të forumeve vendimarrëse të Drejtësisë Sportive, duke zbardhur të plotë dhe duke dhënë vendimet përkatëse më të ashpra karshi vulgaritetit të shprehur në fushë. Në anën tjetër, performanca e arbitrimit në fushë është marrë dhe do merret gjithmonë në analizë të plotë, por vendimet arbitrale nuk mund të legjitimojnë kurrsesi reagime ekstreme dhe sjellje tërësisht antisportive që kërkojnë dhe duhet të marrin ndëshkimin maksimal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"