Raçiç zgjodhi Partizanin përpara ekipeve malazeze: Shqipëria, risi për karrierën time

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2014 | 9:25

Raçiç zgjodhi Partizanin përpara ekipeve malazeze: Shqipëria, risi për karrierën time

Stevan Racic prezantohet te PartizaniSteven Raçiç ka qenë përforcimi i parë i Partizanit të trajnerit Shpëtim Duro në repartin sulmues. Afrimi i “gjigantit” serb, 193 cm i gjatë, erdhi si surprizë, pasi emri i tij nuk ishte lakuar asnjëherë në merkaton e të kuqve. Raçiç si eksperiencë të fundit kishte skuadrën serbe të Javorit, ku gjatë përgatitjeve të janarit në Antalia, Shpëtim Duro, asokohe trajner i Shkëndijës së Tetovës, e kishte pikasur sulmuesin 30- vjeçar. Në të shkuarën sulmuesi ka luajtur edhe në Malin e Zi, ku në 37 ndeshje me Çelikun e Nikshiçit ka shënuar 15 gola. Sipas gazetës malazeze “Pobjeda”, Steven Raçiç ishte parashikuar që të rikthehej sërish në Mal të Zi, pasi kishte oferta nga disa ekipe të ndryshme, por në fund sulmuesi serb zgjodhi Partizanin e Tiranës. Falë paraqitjeve të mira me Çelikun, Raçiç pëlqehej sërish nga malazezët, por në fund 30-vjeçari ka preferuar të nisë një aventurë të re, pikërisht në Shqipëri me të kuqtë e kryeqytetit. Futbollisti ka treguar sesi i mbërriti oferta nga Partizani, çfarë njohurish ka për skuadrën e re dhe çfarë synon nga kjo eksperiencë e re në karrierën e tij. “Realisht, kisha disa oferta të ndryshme për sezonin e ri. Mes tyre ishte edhe oferta që më kishte mbërritur nga Shqipëria. Partizani është një klub serioz dhe pas informacionit që mora dhe ofertës së mbërritur, menjëherë rashë dakord që të bëhem pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri”, u shpreh së pari sulmuesi serb. Sipas gazetës në fjalë, lojtari kërkon që atë paraqitje të mirë që ka shfaqur në Malin e Zi, ta tregojë edhe me Partizanin duke treguar cilësitë dhe potencialin e tij. “Transferimi im në Shqipëri është diçka e re për mua si person, por edhe për karrierën si futbollist. Kam besimin e plotë se do të përshtatem shumë shpejt me futbollin shqiptar. Kjo gjë dua që të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të tregoj sa më parë aftësitë e mia, si dhe për të justifikuar besimin që Partizani më dha për sezonin e ri”, përfundoi sulmuesi më i ri i “demave të kuq”. Ka një pritshmëri të lartë këtë sezon, jo vetëm nga sulmuesi serb, por nga i gjithë Partizani, pasi kërkohet që të marrë fund pritja 21-vjeçare e festimit të titullit kampion. Gjatë prezantimit të tij me të kuqtë, sulmuesi pohoi se për këtë mision ka pranuar të vishet i kuq. “Shpresoj që me Partizanin të fitoj titullin kampion që këtë vit. Pikërisht ky objektiv që kishte klubi, titulli kampion, më bindi që të vishem i kuq dhe besoj se do t’ia arrijmë në fund. Kam dëgjuar se Partizani është një klub i madh në Shqipëri, prandaj do të mundohem të jap maksimumin tim. Mezi po pres të fillojë kampionati që të shënoj sa më shumë gola për Partizanin”, u shpreh “gjiganti” serb gjatë prezantimit te “demat”.

Ish-trajneri nuk e harron lehtë Shqipërinë
Ish-trajneri i Partizanit, Marcio Sampaio, po tregon se nuk mund ta harrojë lehtë eksperiencën e tij në futbollin shqiptar. Sa herë i kërkohet të flasë për periudhën që ka kaluar me Partizanin apo të japë një opinion për futbollin në Shqipëri, ai gjithnjë tregohet i gatshëm. Së fundmi portugezi u është përgjigjur pyetjeve të një blogu sportiv në internet, “ilcalcioalbanese. blogspot.it”. “Eksperiencën time me Partizanin e konsideroj mjaft të vlefshme. E shikoj si një përvojë të madhe, pasi kam mësuar si në aspektin personal, por edhe në lidhje me profesionin e trajnerit. Aty pata një mbështetje të madhe nga tifozët dhe nëse do të kthehem ndonjë ditë në Shqipëri, e shikoj vetëm si detyrim ndaj tyre dhe emrit të Partizanit. Përveç gjërave pozitive që ishin të shumta, pati edhe aspekte negative, ku lojtarët çalonin shumë në aspektin disiplinor. Kategorinë Superiore e shikoj të fortë, ka lojtarë cilësorë dhe tifozëri të mrekullueshme. Personalisht Superioren shqiptare e shikoj në të njëjtin nivel me Divizionin e Dytë të Portugalisë. Në Shqipëri ka shumë lojtarë cilësorë, por nëse do të zgjidhja një për ta blerë, pa dyshim ai do të ishte sulmuesi Sokol Cikalleshi”, u shpreh, mes të tjerave, ish-trajneri i të kuqve. Sipas portugezit, Skënderbeu ka një short të vështirë në Europë, por jo të pamundur. Gjithsesi, ai uron që të katër ekipet shqiptare ta kalojnë turin e parë në veprimtaritë europiane.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"