“Pushimi na bëri mirë”, Gurishta, apel tifozëve: Mbështeteni Vllazninë në ditë të vështira!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2021 | 12:57

“Pushimi na bëri mirë”, Gurishta, apel tifozëve: Mbështeteni Vllazninë në ditë të vështira!

Kapiteni i Vllaznisë, Erdernis Gurishta, është i bindur se skuadra do të rikthehet te fitorja duke filluar nga ndeshja e sotme ndaj Kastriotit, që do të luhet në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Mbrojtësi i djathtë, në konferencën e djeshme për mediat, u bëri një apel edhe tifozëve shkodranë në këtë moment të vështirë të skuadrës.

GURISHTA 1

Erdenis, çfarë prisni nga ndeshja kundër Kastriotit?

Luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë. Ky kampionat ka treguar që nuk ka skuadra të lehta. Shembull është Tirana, e cila ka bërë një fazë të parë perfekte, por ka lënë pikë ndaj Kastriotit dhe Egnatias, ndërsa me ekipet pretedente ka fituar. Ndeshja me krutanët duhet marrë seriozisht, sepse duhet fituar me patjetër.

Sa ju ka shërbyer pushimi për shkak të ndeshjeve të Kombëtares?

Pushimi erdhi në momentin e duhur, sepse vinim pas disa rezultateve jo të mira. Kjo ndalesë na ka shërbyer për mirë, pasi të gjithë lojtarët kanë reflektuar dhe i kemi kuptuar gabimet që kemi bërë. Jemi të motivuar për ndeshjen me Kastriotin për të marrë maksimumin. Kjo u reflektua edhe në Kupë ndaj Pogradecit, ku shënuam 6 gola për vetëm 26 minuta, pavarësisht diferencave mes ekipeve.

Në sezonin e kaluar në të njëjtën periudhë keni pasur një diferencë shumë më të madhe pikësh. Çfarë nuk ka shkuar deri më tani sipas jush?

Vllaznia nuk është ajo e sezonit të kaluar, normalisht që shfaqen probleme te lojtarë të caktuar. Është e vërtetë kjo gjë, por jemi të vetëdijshëm që skuadra ka shumë cilësi dhe forcë për të dalë nga kjo situatë. Jam i sigurt që shumë shpejt do të vijnë rezultatet dhe besoj se Vllaznia do të rikthehet aty ku të gjithë tifozët e dëshirojnë.

Kalendari duket se ju favorizon…

Në pesë ndeshjet e radhës, katër i kemi në Shkodër. Megjithatë, si në fushën tonë, por edhe jashtë saj, futemi gjithmonë në fushë për të marrë maksimumin. Të luash në shtëpi katër ndeshje është gjë e mirë, por shpresoj që të kemi edhe përkrahjen e tifozëve, duke bërë maksimumin. Duke filluar nga sot, është finalja jonë.

Jeni i kënaqur në aspektin personal me atë që keni bërë në këtë fazë të parë?

Në fillim të sezonit kisha një dëmtim, por e kam kaluar dhe dita ditës po kthehem te forma e sezonit të kaluar. Më e rëndësishme është që ekipi të kthehet te paraqitjet e sezonit të fundit, jo të kthehet Gurishta dhe lojtarët e tjerë të mos jenë në 100% e tyre.

Keni një apel për tifozërinë shkodrane që ka pritur shumë më shumë?

E kuptoj që janë mërzitur, pasi kanë pritur më shumë nga ne, por ato që kanë ikur nuk kthehen më. Tifozët duhet t’i japin kurajë skuadrës edhe në momente të vështira. Ne do të kthehemi aty ku të gjithë dëshirojmë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"