“Projekt 5-vjeçar, në janar do të kemi përforcime”, flet administratori i AF Luftëtarit: Ja si e kapim elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2022 | 9:52

“Projekt 5-vjeçar, në janar do të kemi përforcime”, flet administratori i AF Luftëtarit: Ja si e kapim elitën

Në ndryshim nga ka mpionati i kaluar, këtë sezon AF Luftëtari ka konfirmuar ambiciet për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë falë rezultateve bindëse që ka marrë brenda dhe jashtë fushe në tetë javët e para.

AF LUFTETARI 1

Skuadra gjirokastrite është në vendin e tretë me 19 pikë, tri më pak se Pogradeci kryesues në Grupin B të Kategorisë së Dytë. Trajneri Arben Çoni dhe administratori i klubit, Dritan Kristidhi, janë arkitektët e suksesit të deritanishëm, teksa kanë ndërtuar një skuadër të denjë për t’i shkuar deri në fund garës.

Merkatoja e bërë në verë, me lojtarë që e njohin mirë njëri-tjetrin dhe kanë bërë diferencën në këtë kategori, ka rezultuar shumë efikase.

Sinani në portë, Glauber dhe Çulli në mbrojtje, Kolonja dhe Barka në mesfushë, ishin emrat që u afruan në verë, por duke shtuar këtu Mërkurin dhe kapitenin Gaba në sulm, e kanë bërë skuadrën bluzi të frikshme për çdo kundërshtar në kampionat.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, administratori Kristidhi ka folur për ecurinë e bluzinjve në tetë javët e para, si dhe planin që ka klubi për merkaton e janarit.

DEKLARATA

“Kemi mbyllur vitin me 19 pikë dhe rezultatet flasin vetë. Ne si drejtues kemi qenë sa më afër këtij grupi lojtarësh cilësorë, që besojmë se do të arrijnë atë që synojmë. AF Luftëtari ka një program afatgjatë, i cili është 5-vjeçar për t’u kthyer në elitën e futbollit shqiptar, aty ku Gjirokastra e ka pasur vendin historikisht. Jemi në një grup me shumë rivalitet dhe objektiv është renditja në pesë ekipet më të mira të grupit. Deri tani skuadra ka bërë më të mirën, por e mira nuk ka fund.

Për t’i shkuar deri në fund kësaj, Luftëtari do të jetë aktiv në merkaton e dimrit, duke pasur ide të qarta. Do të ketë përforcime nga porta në sulm. Aktualisht kemi lojtarë të rinj, me dëshirë për të dhënë më të mirën për ekipin.

Do të synojmë të afrojmë futbollistë me eksperiencë, që do të gërshetohen me dëshirën e të rinjve për të dhënë 100% të kapacitetit individual. Jam i bindur se Luftëtari të shihet si një mace e zezë nga rivalët, që kanë shfaqur pretendimet për kreun që në fillim të garës”, deklaroi për gazetën administratori Kristidhi.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"