Progni: Nuk kam simuluar ndonjëherë, s’kisha faj nëse humbnim ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2017 | 20:06

Progni: Nuk kam simuluar ndonjëherë, s’kisha faj nëse humbnim ndeshjen

Mesfushori i Teutës, Gerhard Progni, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, u shpreh i zhgënjyer nga kartoni i kuq i marrë për simulim. Ai tha se arbitrat japin shpesh kartona të gabuar, por u kujtoi atyre se nuk është një futbollist që simulon dhe nuk mban mend të ketë simuluar ndonjëherë gjatë karrierës së tij.

progni1

Për kartonin

“Të them të drejtën edhe kur e mora kartonin i thashë arbitrit të pyeste kundërshtarin nëse nuk besonte që kishte kontakt. Tani është e kotë që të flasim, por mund ta shikoni dorën e kundërshtarit që më prek. Sidoqoftë, unë nuk e kam kërkuar me insistim penalltinë. Edhe te kartoni i parë arbitri ndenji dy minuta dhe i ra bilbilit, ndërkohë pasi nisa unë lojën më dha të verdhë duke më thënë: ‘Kush të tha ty ta nisje topin?’.”

Për simulimin

“Arbitrat bëjnë mbledhje pas ndeshjeve dhe e dinë shumë mirë se cilët janë lojtarët që simulojnë. Unë gjatë gjithë karrierës sime nuk e mbaj mend të kem bërë simulim. Edhe në ndeshjen ndaj Skënderbeut mora një karton pa lidhje ndërkohë që ne ishim duke bërë skemë.”

Për ndikimin që mund të kishte kartoni në fatin e ndeshjes

“Përderisa aty ka kontakt atëherë unë nuk e penalizoj skuadrën. Normalisht që me 10 lojtarë ne mund ta humbnim ndeshjen, por për këtë gje do të ndikonte arbitri dhe jo unë. Unë nuk mbahem për lojtar simulues.”

Për tensionin në fund të ndeshjes

“Të dy ekipet kanë nevojë për pikë dhe këto ndeshje janë si finale. Çdo pikë e humbur është e vështirë të pranohet ndaj edhe tensioni kuptohet që do të jetë i pranishëm.”

Tensioni më i madh, kur luan për titull apo për mbijetesë?

“Të dyja situatat kanë tension, si të garosh për titull, edhe të garosh për mbijetesë. Por të paktën për mua ka më pak tension kur luan për mbijetesë. Unë kështu e ndiej, nuk e di për të tjerët.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"