Pritej të kërcehej tango në sulm, fitoi autobusi i Spaletit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 15:12

Pritej të kërcehej tango në sulm, fitoi autobusi i Spaletit

Ai që pritej të ishte një “tango” që të të linte pa frymë, në fund rezultoi një “tango” i ngrirë. Pak shkëndija nga Higuain, që kishte “kënduar” në Napoli, akoma më pak nga Ikardi, i vetëm dhe i braktisur në tokën juventine dhe më pak se gjithçka mendohej nga Dibala, i “harruar” në pankinë, shumë gjatë madje dhe jo se kur shkeli fushën la ndonjë gjurmë.

higuain-icardi-2016

Yjet argjentinase të supersfidës së Torinos dështuan në një ndeshje që gjithmonë ka qenë një betejë e ashpër, një ndeshje shahu, një duel pasionat. Mbizotëroi mbi të gjitha gjiganti Kielini, por edhe portieri Handanoviç, i cili i uli qepenin Manxukiçit, në një rast me fat për traversën e goditur, në dy raste të tjera si rrjedhojë e stopimeve të gabuara dhe barit të rrëshqitshëm, nën këmbët e kroatit. Një rezultat edhe më i ftohtë se ajri jashtë “Allianz Stadium”.

AUTOBUSI I PARKUAR – Panorama e pragsfidës u përkiste vetëm atyre të dyve; një vigjilje e dy goleadorëve, që përveçse duelojnë për golat dhe për të tërhequr skuadrat e tyre në Serinë A, janë në luftë edhe për të gjetur vend në kombëtare, përkrah Mesit. Kjo ishte edhe pragsfida e Dibalës së përjashtuar, jashtë forme, i lodhur, në kërkim të golit të humbur… Siç shpesh ka ndodhur, shumë zhurmë për asgjë…

Inter dhe Juventus

Sezonin e kaluar, sfida ishte e zjarrtë: kartonë të fluturonin nga çdo anë, Ikardi i skualifikuar për një top të lëshuar ndaj arbitrit… Historia këtë ka treguar ndër vite, sepse që nga fillimet e saj, kur interistët e juventinët shkelmonin më shumë njëri-tjetrin sesa topin, duke filluar që nga vitet ’30. Edhe këtë herë kështu ishte, sepse Interi shkaktoi 21 faulle, kurrë më shumë sesa kaq sivjet dhe, mbi të gjitha, nuk e goditi asnjëherë portën në pjesën e parë.

Spaleti thjesht mendoi të vërë autobusin përpara portës së tij dhe, në të tilla ndeshje, ai që vuan më shumë është Ikardi. Pa dyshim që kjo ishte një strategji, edhe pse trajneri mund të mbrohet, sepse ai jo vetëm i kushtoi më shumë vëmendje mbrojtjes, por urdhëroi që të ngriheshin edhe dy diga mbrojtëse.

Inter

E para e palëvizshme nga zona e rreptësisë, e dyta për të përdorur freskinë fizike, për t’i bërë presing Juventusit, në disa raste, deri në zonën e tyre, një strategji kjo për të shmangur pasimet vertikale. Në fund, jo vetëm zero gola, por asnjë goditje në kuadrat. Madje, një që tentoi Ikardi e ndali Benatia me këmbë e me duar, por pa vullnetshmëri. “Maurito”, si kapiten, e di që edhe të tilla ndeshje ndodhin, ashtu sikurse në Napoli, por në fund mori në shtëpi një pikë të rëndësishme, e cila është nga ato që në fund mund të vlejnë edhe titullin, një pikë për të ruajtur edhe dje kryesimin.

PAK HAPËSIRË – Nga ana tjetër edhe Higuain ishte i vetmuar, nervoz në pjesën e parë, ndërsa në të dytën provoi tri herë, por nëse dy goditje përfunduan në parkingun e stadiumit, një tjetër ishte shumë e lehtë për t’u kontrolluar nga Handanoviç. Rezultati, fatkeqësisht, në fund ishte: zero gola Higuain, zero gola Ikardi, zero emocione dhe gol Dibala, zero lëvizje në renditjen kundrejt një jave më parë, falë edhe faktit që Napoli dhe Roma ngelën në barazime.

Italy Soccer Serie A

Me pak fjalë, nga kjo javë, Interi del më e fituara. Ndoshta, Juventusi krijoi më shumë volum, tregoi rritje në lojën e saj, por kërkoi që gjithçka ta zgjidhte nga krahët, me sprintet dhe driblimet e Kuadrados dhe të Azamoahs, asgjë më shumë se kaq, sepse edhe për ta, pati fare pak hapësira brenda zonës, me përjashtim të rasteve, kur Manxukiç fitonte ndonjë duel ajror, si në rastin e traversës së goditur. Me pak fjalë, “zinxhiri” i ngritur nga Spaleti funksionoi bindshëm ndaj Juventusit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"