Presidenca jep OK-in, Abazaj do sulmues elite. Pogradeci priste një lojtar maqedonas, por kjo pistë ra poshtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 9:58

Presidenca jep OK-in, Abazaj do sulmues elite. Pogradeci priste një lojtar maqedonas, por kjo pistë ra poshtë

Pogradeci do të zhvillojë sot miqësoren e parë të përgatitjeve dimërore, do të presë në “Gjorgji Kyçyku” Vllazninë e Superiores, që po stërvitet në anën tjetër të liqenit, në Ohër. Kishte dilema për fushën ku do të luhej kjo ndeshje dhe në fund u ra dakord që të zhvillohet në Pogradec, në orën 13:00.pogradeci

Liqenorët, ndërkohë, i kanë reduktuar seancat stërvitore nga dy në një dhe tashmë janë fokusuar në aspektin taktik, ku, sipas trajnerit Ardian Abazaj, shërben shumë edhe ndeshja e sotme: “Miqësorja me Vllazninë na shërben shumë jo vetëm në planin fizik, por edhe atë tekniko–taktik. Për ne është më e lehtë, pasi ekipi është po ai që mbylli vitin, pak ndryshime do të këtë ose aspak për sa i përket lojës. Për këtë ndeshje do të luajmë me një formacion që do të jetë edhe për ndeshjen e parë të kampionatit, pasi kemi mungesa. Mund të zgjidhnim edhe ndonjë kundërshtar të një kategorie më poshtë, por ndaj një emri si Vllaznia dalin më në pah si anët pozitive, ashtu edhe ato negative”, thotë trajneri Abazaj.

MERKATO – Me ndryshimin e datës së rifillimit të kampionatit, ka ndryshuar edhe strategjia e fazës stërvitore, që gjithsesi nuk krijon problem për pogradecarët. Ndërkohë, stafi teknik ka marrë miratimin e drejtuesve për merkaton e dimrit. “Për ne nuk ka problem afrimi i datës së rifillimit të garës, sepse, siç e thashë, nuk kemi ndryshime në ekip dhe mund të vazhdojmë atje ku e lamë. Nëse do të kishim afrime apo largime, do të na duhej më shumë kohë për konsolidim.Ardian Abazaj

Nuk kemi emergjencë për të afruar futbollistë. Është normale që çdo trajner kërkon të ketë sa më shumë alternativa për të qenë më komod në rrugën e gjatë që kemi përpara, prandaj mendoj se duhet të afrojmë ndonjë element që të jetë vërtet cilësor. Po punojmë për këtë pjesë, por për momentin nuk ka emra konkretë”, shprehet më tej trajneri i Pogradecit. Në fokusin e tij është afrimi i një sulmuesi. Trajneri Abazaj kishte nën vëzhgim një lojtar nga Maqedonia e Veriut, por ky i fundit nuk ka arritur të marrë lejen e kalimit nga klubi i tij.

Kjo ka bërë që liqenorët të hidhen në sulm për një lojtar tjetër dhe duket se ai do të vijë nga Superiorja. Madje, gazeta mëson se është rënë dakord parimisht dhe pritet të mbyllet gjithçka shumë shpejt me firmën në kontratë. Veç sulmuesit, stafi teknik i Pogradecit synon të afrojë edhe 2-3 lojtarë të tjerë. Gjithsesi, në miqësoren ndaj Vllaznisë nuk do të ketë asnjë futbollist në provë.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"