“Pres fitore edhe etje për të luajtur futboll në Fier”, Josa sqaron të ardhmen: Qëndrimi im te Kukësi, një çështje raportesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 11:19

“Pres fitore edhe etje për të luajtur futboll në Fier”, Josa sqaron të ardhmen: Qëndrimi im te Kukësi, një çështje raportesh

Mirel Josa kërkon vazhdimësi me Kukësin ndaj Apolonisë, ndërsa shpreson që lojtarët e tij të tregojnë etje për futboll në Fier, duke parë edhe potencialin që kanë dhe që nuk e kanë shfrytëzuar sa duhet. Në intervistën për “Panorama Sport” para sfidës me fierakët, Josa nuk ndikohet aspak nga fakti që Kukësi ka në dorë në njëfarë mënyre edhe fatet e skuadrave që mbijetojnë, duke u interesuar vetëm për ecurinë e ekipit që ai drejton. Në lidhje me të ardhmen në krye të pankinës, kryeqytetasi mendon se nuk është një çështje dëshire, por raportesh.

josaa

Profesor, luani ndaj Apolonisë në Fier. Çfarë prisni?

Pres vazhdimësi dhe etje për të luajtur futboll nga skuadra.

Mund të themi që tani Kukësi luan pa presion…?

Së pari, Kukësi nuk ka luajtur ndonjëherë futboll për presion. Kukësi duhet të luajë futboll për t’u përmirësuar. Kjo më intereson, e kam thënë edhe herë tjetër. Nuk po them që lojtarët janë në provë, por duhet të jenë të lirshëm për të treguar gjithë potencialin e tyre. Siç e ka të qartë edhe gjithë opinioni, që kanë potencial më tepër, por nuk kanë dhënë atë që duhet gjatë kësaj periudhe.

Do të luani deri në fund me ekipe që luftojnë për mbijetesë. Do të jetë faktor Kukësi?

Unë personalisht kam përpara vetëm ndeshjen me Apoloninë. Pas kësaj ndeshjeje do të shohim për skuadrat e tjera, por nuk më intereson fare se çfarë bëjnë të tjerët.

Me drejtuesit keni pasur biseda paraprake ose sinjale për të ardhmen apo janë çështje që do t’i diskutoni në fund?

E kam thënë edhe më herët këtë gjë. Mua më intereson e tashmja edhe më mirë e nesërmja. Pastaj, se çfarë do të ndodhi është një problem që nuk do të ketë shumë vështirësi për t’u zgjidhur, qoftë klubi me mua apo unë me klubin. Pavarësisht kontratës, janë gjëra që zgjidhen lehtësisht. Bashkëpunimet që nisin nuk i kam konsideruar gjithnjë afatgjata, sepse futbolli kështu e ka. Do të mbarojë bashkëpunimi që kemi deri në fund dhe më pas bëhen llogaritë, hidhen të gjitha në tavolinë. E kam thënë shpesh, që mua nuk më mban kontrata me një klub.

Ju personalisht do të donit të vijonit me Kukësin edhe në sezonin e ardhshëm?

Këtu nuk ka dëshirë, këtu ka raporte. Si janë raportet e klubit karshi teje dhe të miat karshi klubit. Këto raporte do t’i diskutojmë në tavolinë, në qoftë se klubi i Kukësit do t’i diskutojë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"