Prapaskenat / Gjici motivon ekipin me premio, korçarët rrezikojnë 30% të kontratës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2017 | 16:00

Prapaskenat / Gjici motivon ekipin me premio, korçarët rrezikojnë 30% të kontratës

Titulli fitohet me një ekip të mirë, me pak fat, me eksperiencë dhe me besim. Por, fitohet edhe me “lojërat” jashtë fushe dhe ky nuk është një ekskluzivitet shqiptar…

Të tilla gjëra ndodhin edhe në vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria dhe nuk e kemi fjalën për gjëra të paligjshme kurrsesi, por për manovra dhe kalkulime që në fund mund të bëjnë diferencën. Fundja, edhe ky titull po ndahet me 1 apo 2 pikë, madje rrezikon të vuloset edhe falë golavarazhit…Kukesi-Skenderbeu

Një fitore e Kukësit mbyll të gjitha llogaritë, ndërsa një barazim apo një triumf i Skënderbeut e përmbys gjithë situatën. Por le të analizojmë pak se si kanë ardhur deri këtu Kukësi e Skënderbeu dhe të merremi me “taktikat” që kanë përdorur dhe do të përdorin deri në fund.

KUKËSI

Janë të pathyeshëm dhe herë me fat, e herë me zotësi, ia kanë dalë të ruajnë kreun prej 34 javësh. Safet Gjici e ka kuptuar më së miri mentalitetin e lojtarëve dhe stafit. Fillimisht u ka garantuar qetësi financiare, që pak ndodh në Kategorinë Superiore. Shpesh i ka motivuar të tijtë me premio të majme ekstra, veç pagës së sanksionuar në kontratë.Gjoka

Hera-herës ka qenë kritik, i ashpër me të gjithë dhe u ka bërë presion, por asnjëherë nuk ka ndërruar trajnerin, gabim që e ka bërë shpesh sezonet e kaluara. Ka qenë aktiv në media, duke marrë mbi vete tensionin dhe zvogëluar presionin në staf dhe ekip. Bëri aleancë me Tiranën, ku garantoi 6 pikë dhe fali Kupën.

Thuhet edhe që ka motivuar ekipe të ndryshme për të ndalur rivalët (nuk është e paligjshme), por kjo ka ngelur në kuadrin e thashethemeve. Mësohet që sërish u ka premtuar një premio të madhe kuksianëve në rast triumfi.

SKËNDERBEU

Le ta pranojmë se Ardjan Takaj është më strateg. Ky ishte viti më i vështirë i Skënderbeut, jo vetëm për goditjen që pësoi nga UEFA, por edhe për ndryshimet radikale në ekip. E, megjithatë, korçarët janë pranë titullit dhe finalistë të Kupës së Shqipërisë. Takaj është natyrë më e përmbajtur dhe më fleksibël se Gjici.daja takaj2

Më pak mediatik, ndoshta sepse ka edhe një skuadër më eksperte. Ka zgjedhur formulën e 30% të kontratës për të mbajtur nën trysni të vazhdueshme ekipin. E thënë troç: nëse korçarët nuk fitojnë titullin, lojtarëve mund t’u mbahet 30 për qind e pagës vjetore. Si metodë është e kundërta e premiove të majme që vendos Gjici, por mbetet shumë efikase.

Një tjetër kalkulim që u ka shkuar për shtat kampionëve në fuqi është edhe Kupa. Pse, mund të thotë dikush? Sepse Skënderbeu luan për dy rezultate në Kukës: fitore dhe barazim. Mund të mos mjaftojë asnjëra pas ndeshjes së fundit, por ama disa llogari bëhen dhe Kupa është një gur i çmuar në dorën e bardhekuqve.

Nëse kampionët në fuqi marrin pikë në Kukës, i premtojnë Luftëtarit se do të mundin me çdo kusht Tiranën në finalen e Kupës dhe kështu automatikisht do të lirohej vendi i katërt për Europën. Këtë vend momentalisht e mbajnë gjirokastritët dhe mund ta ruajnë deri në fund, nëse ata ndalin ekipin e Gjokës në ndeshjen e fundit që do të jetë në Gjirokastër.

Më tej, nëse Skënderbeu mund Partizanin, titulli shkon sërish në Korçë. Ka shumë “nëse”, por fundja asgjë të parealizueshme. Luhen shumë miliona dhe Europa për gjirokastritët do të ishte një bonus i jashtëzakonshëm. Tani mbetet për t’u parë nëse do të mbyllet sot çështja titull apo do të vazhdojë deri në raundin e fundit.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"