Portieri i parë që shënoi, bëri sherr me të vëllanë në Serinë A para 75 viteve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 21:22

Portieri i parë që shënoi, bëri sherr me të vëllanë në Serinë A para 75 viteve

Golat e portierëve nuk janë tabu, paçka se ndodhin rallë. Të fundit në Serinë A, në rend kronologjik janë: Mikelanxhelo Rampula, Masimo Taibi dhe heroi i së dielës, Roberto Brinjoli. Në listë mund të ishte edhe Françeko Toldo, por për statistikat ai gol ndaj Juves i njihet Bobo Vierit. Historia më magjepsëse mes gjithë këtyre momenteve lavdie, pa dyshim është ajo e golit të parë në Serinë A, një kohë kur futbolli luhej në pellgje balte, fanellat ishin prej leshi dhe topi dukej si i mbushur me zhavorr.

lucidio sentimenti

Më 17 maj të 1942-shit, në një ndeshje të vlefshme për Serinë A, përballeshin Napoli dhe Modena, një ndeshje e veçantë edhe pse portat respektive mbroheshin nga vëllezërit Sentimenti, një dinasti me “vesin” e portierëve në gjak. Nga njëra anë qëndronte Arnaldo, 28 vjeç, ndërsa për Modenën në portë qëndronte Luçidio, 22 vjeç. Napoli i vëllait të madh udhëhiqte 2-0, kur në minutën e 85, arbitri jep një penallti për miqtë. Asnjë nga ekipi i “Kanarinave” nuk pranonte të godiste kundër Arnaldos që deri në atë pikë të kampionatit kishte pritur nëntë 11- metërsha pa u mposhtur në asnjë.

Teksa shihte një mori shokësh të stepeshin, Luçidio merr topin për të goditur ai nga pika e bardhë. Sheh në sy të vëllanë dhe pa u menduar dy herë e dërgon topin në rrjetë. Pa frikë e pa hezitim. Është pikërisht ky goli i parë i një portieri në Serinë A. Arnaldo, tek sheh t’i shkrumbohet rekordi, nuk e gëlltit gjestin e të vëllait dhe nis ta ndjekë nëpër fushë. Atë gol, me mënyrën se si erdhi, nga kush u realizua, ai e konsideroi si fyerje të rëndë publike. Ka zëra se dy vëllezërit nuk folën me njëri-tjetrin për rreth dy vite, me më të voglin që ndërkohë bëhej një emër i madh i futbollit italian dhe pagëzohet nga tifozët si “Sentimenti IV”.

Karriera e tij do të zhvillohej në portën e Juventusit dhe kombëtares italiane. Pikërisht te “Axurrët” realizon edhe një tjetër rekord teksa në formacionin e drejtuar nga Vitorio Poco, ishte i vetmi futbollist që nuk i përkiste Torinos së madhe. Pas një pushimi që zgjati disa vite, Luçidio Sentimenti u transferua te Napoli, ku nisi të godiste përsëri penalltitë duke regjistruar në CVnë e tij 4 gola, por i paharruari do të mbetet i pari i Serisë A, i shënuar ndaj vëllait të madh…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"