“Po punojmë me ‘marshin e pestë’”, Magani: Dua lojtarë të afirmuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2019 | 19:59

“Po punojmë me ‘marshin e pestë'”, Magani: Dua lojtarë të afirmuar…

Besa u kanë dhënë fund miqësoreve dhe bashkë me to edhe seleksionimeve. Gugash Magani tashmë ka përcaktuar listën e futbollistëve që do të jenë pjesë e kavajasve për sezonin 2019-2020. E sigurisht që ende nuk mund të quhet e kompletuar, pasi merkatoja vazhdon të jetë e hapur.

bizhdili magani

Peqinasi shprehet se nga kjo e hënë ka startuar fazën përgatitore dhe pret si afrime vetëm lojtarë me përvojë. Kujtojmë se verdhezinjtë nga 5 lojtarë që kanë marrë, 3 i kanë të rinj në moshë.

AFRIMET – E megjithatë tekniku nuk kënaqet me kaq, ndaj për “Panorama Sport” thekson se pret që t’i shtojë  cilësinë ekipit para se të rinisë gara. “Kemi zhvilluar 4 miqësore, duke testuar formacione të ndryshme dhe duke u dhënë hapësirë lojtarëve në provë.

Besa

Ky ka qenë synimi i këtyre ndeshjeve dhe rezultati ka qenë në plan të dytë. I dhashë mundësi maksimale secilit të tregonte vlerat e tij e tani kam përcaktuar grupin që do mbetet pjesë e Besës për sezonin e ri. Nga sot (dje) nisëm stërvitjet me dy seanca në ditë për të marrë ngarkesat që ekipi ka nevojë për të përballuar sezonin”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës së kavajasve.

PLANI – Verdhezinjtë dihet se kanë një grup me lojtarë të rinj, e vetëm Miraka, Perja apo dy prurjet e fundit Zefi e Xhafa janë ata që kanë CV më të pasur. Në këto kushte, Magani e bën të qartë se koha e testimeve ka mbaruar dhe dyert e ekipit janë hapur vetëm për elementë me përvojë.

bizhdili magani

“Tashmë që u caktua fati ynë dhe do të garojmë në Kategorinë e Parë, na duhet të krijojmë ekipin për të synuar elitën. Kemi afruar vetëm 2 lojtarë përvoje si Zefi e Xhafa, por skuadra ka nevojë edhe për lojtarë të tjerë si ata. Kam biseduar me presidentin Bizhdili dhe pres këto ditë afrimet e tjera.

Kemi nevojë për përforcime në të tria repartet. Ne po vijojmë tani me ‘marshin e 5-të’ në stërvitje, derisa të na kompletohet grupi. Me sa di, që këtë javë do të vijë një lojtar, ndërsa që ta mbyllim merkaton, pres edhe 3 të tjerë. Që të jemi konkurrues për Superioren, krahas talentit të të rinjve, na duhet siç citova më lart edhe përvoja”, përfundoi peqinasi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"