Po me klubet pa shtëpi, çfarë ndodh tani?! / Pandemia evidenton një problem thelbësor të futbollit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2020 | 10:33

Po me klubet pa shtëpi, çfarë ndodh tani?! / Pandemia evidenton një problem thelbësor të futbollit shqiptar

Pandemia e Koronavirusit dhe diskutimet e shumta për rinisjen e futbollit, plotësimit apo jo të protokollit të masave të sigurisë shëndetësore, kostove shtesë dhe detajeve të tjera kanë nxjerrë në pah një problem shumë serioz të futbollit shqiptar.

dinamo korabi

Një klub futbolli nuk mund të ketë kuptim pa pasur një qendër stërvitore të vetën, ku mund të punojë çdo ditë pa e vrarë mendjen se po i kalon orari. Është një kusht thelbësor në futboll dhe në këtë moment del më shumë në sipërfaqe, sepse krijon probleme për shumë skuadra, nga Superiorja për të vazhduar me të gjitha kategoritë me radhë.

Më i prekshëm ky problem është për një sërë skuadrash të Kategorisë së Parë që për koincidencë luajnë në të njëjtin grup, në Grupin A. Pa shpërthyer virusi, në Pezë-Helmës janë stërvitur me orare të ndryshme Dinamoja, Tërbuni dhe Korabi. Në kryeqytet stërviten po ashtu edhe Burreli, po i Grupit A, dhe Turbina e Grupit B.

Edhe matjanët stërviten shpesh në PezëHelmës. Po tani, si do t’ia bëjnë këto skuadra, kur kushtet e higjienës duhet të jenë maksimale? Në një fushë ku stërviten disa skuadra mund të merret me mend lehtë sa çfarë ndodh realisht. Imagjinoni pak, klubet e futbollit në Itali, Gjermani e kudo nuk i lejojnë klubet të stërviten në superkomplekset e tyre stërvitore pa pasur siguri të plotë.

Rasti i Pezë-Helmësit është për të vënë duart në kokë, pavarësisht se nga federata thuhet se çdo klub i plotëson kushtet për vazhdimin e garës. Përveç absurdit sportiv, stërvitja e përditshme në një fushë, ku ekipet mund të bëhen shumë familjarë, në këtë rast problemi është jetik, lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e futbollistëve dhe stafit. Si do të futen këta të fundit në një fushë, ku sapo ka mbaruar stërvitjen një skuadër tjetër?!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"