Pikantet| Kukësi-Laçi/ Nga mbështetja për Gegën, te protestat për gjyqtarin Xhaja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 22:08

Pikantet| Kukësi-Laçi/ Nga mbështetja për Gegën, te protestat për gjyqtarin Xhaja

Kukësi regjistroi fitoren e parë në kampionat për këtë sezon, teksa mposhti në “Elbasan Arena” 1-0 Laçin. “Panorama Sport” iu sjell më poshtë pikantet nga ndeshja:

Gega dedikimi logo

– Protesta të shumta të ekipit kuksian në momentin e ndërhyrjes së Markut ndaj Demirit, teksa kryesori Xhaja dha të verdhën për futbollistin e Laçit. Verilindorët kërkuan kartonin e kuq, por më kot protestuan.

– Për Cungun mungoi një futbollist i rëndësishëm për të tijtë, si Emiljano Musta, për shkak të një dëmtimi në stërvitje. Ndërkohë, kur u mendua se mungonte edhe sulmuesi Nuabueze, pasi nuk ishte i shënuar në protokoll, Cungu e aktivizon në pjesën e dytë. Mesa duket, bëhej fjalë thjesht për një neglizhencë në protokollin e shpërndarë për mediat.

– Tifozët në stadium e nxirrnin shpesh dufin te gjykimi dhe arbitri kryesor, duke kontestuar herë pas here edhe vendimet e tij. “O Juxhin, do e mbash mirë lojën ti, apo si e ke hallin”!

– Gjyqtari i katërt ka pasur jo pak punë me dy trajnerët, Hallaçin dhe Cungun, të cilët ishin impulsivë gjatë gjithë ndeshjes. Shpesh herë i kërkoi të mos dilnin jashtë territorit të vet, por të qëndronin brenda vijave kufizuese të pankinës.

– Lajmi i ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit botëror, Diego Armando Maradona, u bë temë diskutimi në stadium, teksa për një moment u harrua edhe ndeshja. E pritshme sepse një pjesë e të pranishmëve janë rritur duke parë magjitë e tij në fushë.

– Në minutën e 52-të stadiumit i “plasin ujërat”, teksa hapet gabimisht një nga impiantet e ujit. Për fat të mirë në atë sektor nuk kishte lojtarë, ndërsa arbitri Xhaja e ndali lojën për disa momente.

– Ka nga ata që nuk e mbajnë dot veten në stadium dhe shpesh kapen me njëri-tjetrin, për shkak të përkrahjes që i japin skuadrave të tyre. Kjo ndodhi edhe në sfidën e djeshme, ku u krijua një tension i vogël.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"