Pikantet e Teuta-Kukësi/ Basha tërbohet pas ndërrimit, anësorin për pak e rrëzon topi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2022 | 11:59

Pikantet e Teuta-Kukësi/ Basha tërbohet pas ndërrimit, anësorin për pak e rrëzon topi

Teuta-Kukësi u luajt në një prani të ulët të tifozëve (600), edhe pse orari ishte i favorshëm për të ndjekur një ndeshje.

TEUTA KUKESI HEBAJ NDRECA

“Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e takimit të luajtur dje në Durrës.

* Për Teutën ishte hera e parë që merrte dy fitore radhazi këtë kampionat, por edhe që shënonte 4 gola. Gjithashtu, ishte triumfi i parë në “Niko Dovana” që pas kthimit të ekipit në stadiumin e vet.

* Ndeshja u zhvillua në një orar disi të pazakontë për vitet e fundit, pikërisht në 19:45. Ekipi durrsak mbërriti i pari në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”, në 18:20, ku lojtarët panë fillimisht gjendjen e fushës e më pas bënë një analizë të shkurtër me stafin.

* Në minutën e 2-të, portieri i Kukësit, Dashamir Xhika, futet në driblim brenda zonës si një fantazist i vërtetë, duke kaluar sulmuesit e Teutës. Edhe pse guxim i tepruar, u duartrokit nga stoli kuksian. Gjatë minutave të para Xhika i foli disa herë edhe mbrojtësit Kristi Maraku, duke i tërhequr vëmendjen se duhet të kthehej më mbrapa.

* Trajneri Renato Arapi kërkoi të motivonte më tepër mesfushorin Ergys Peposhi, i cili është te Teuta në formë huazimi nga Kukësi. “Bravo Peposh, bravo”, bërtiti trajneri pas një ndërhyrjeje të kuksianit. Më pas i kërkoi të futej më nga qendra, të mos qëndronte vetëm majtas.

* Në minutën e 55-të, gjatë një aksioni në krahun e djathtë të sulmit të Kukësit, topi i goditur nga Gligorovi prek kokën e anësorit Arbër Zalla. Ka ilaritet në stadium, me arbitrin që hutohet disi.

* Autori i golit të vetëm të Kukësit, Emiljano Musta, doli duke çaluar nga fusha në minutën e 74-t. Frikë te lojtari dhe stafi për dëmtim serioz, që mund t’i kushtojë mungesën të martën ndaj Partizanit.

* Sulmuesi kroat i Kukësit, Edi Basha, u aktivizua si zëvendësues në fillimin e pjesës së dytë. Mirëpo, në minutën e 82- të trajneri Longo e largoi nga fusha kroatin. Në këtë moment Basha u mërzit dhe shkoi direkt në dhomat e zhveshjes. Longo pati rezerva për kroatin në momentin kur u shënua goli i dytë i Teutës, teksa ai humbi topin.

* Ergys Peposhi, i huazuar nga Kukësi te Teuta, e nisi titullar ndeshjen e djeshme dhe u bë protagonist me asistin e golit të parë dhe në aksionin e golit të dytë. Ndërsa sulmuesi Klejdi Daci, që gjithashtu është i huazuar nga Kukësi, sapo u fut në pjesën e dytë, dha asistin për golin e Hebajt e më pas realizoi vetë një supergol. Madje, pasi Daci shënoi, nuk festoi golin në shenjë respekti. Të dy lojtarët, si para dhe pas ndeshjes, takuan shokët te Kukësi.

* Disa prej lojtarëve që agjërojnë te Teuta hapën iftarin pikërisht në momentin kur do të niste ndeshja.

* Pas përfundimit të ndeshjes, te Teuta kanë festuar këtë sukses të rëndësishëm, ndërsa futbollistët dhe stafi i Kukësit u panë shumë të zhgënjyer. Trajneri Longo qëndroi për disa minuta i ulur në pankinë, bashkë me ndihmësit e tij italian dhe drejtorin Pero Pejiç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"