Pikantet e Kukësi-Tirana/ Tafas “shpërndarës” uji, tifozët nuk përmbahen. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2024 | 19:25

Pikantet e Kukësi-Tirana/ Tafas “shpërndarës” uji, tifozët nuk përmbahen. Ja çfarë nuk u pa në TV

Tirana mundi me përmbysje Kukësin në sfidën e parë të javës së 22-të të Superiores. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj momentet më pikante nga ky duel.

MixCollage-05-Feb-2024-07-25-PM-6940

– Kapiteni i Kukësit, Angelo Tafas, rreshtohet se bashku me gjyqtarët dhe rri e pret shokët e tij të ekipit për t’i takuar një për një. Portieri e ka parë si një mënyrë për t’u dhënë zemër shokëve.

– Pesë minuta i janë dashur Emiljano Çelës që të marrë këshillimin e parë nga ana e gjyqtarit kryesor. Tekniku njihet për impulsivitetin e tij gjatë një ndeshjeje, ndaj edhe Lata u detyrua ta këshillojë shumë shpejt. Në fund, nuk i shpëton dot as kartonit të verdhe.

– Një ndërhyrje e rrezikshme në kokë ndaj Muratit solli menjëherë futjen e mjekëve në fushën e lojës. Bashkë me ata të Kukësit, hyri edhe ai i Tiranës për të dhënë ndihmën e tij, duke treguar “fair play”.

– Në zonën ku tribuna krijonte hije dhe nuk lejonte rrezet e diellit të depërtonin, fusha kishte probleme, pasi ishte shumë e lagësht. Ndryshe nga pjesa tjetër e saj, çka sillte herë pas here edhe probleme për lojtarët. –

Në nisjen e pjesës së dytë, një nga tifozët e Tiranës i kërkon ujë Tafasit, me këtë të fundit që ia ka dhënë, edhe pse ishte një tifoz kundërshtar. Ana njerëzore është mbi të gjitha.

– Nuk mungojnë as momentet gazmore gjatë ndeshjes. Një familje prej tre anëtarësh në moshë të thyer, përfiton nga afërsia e shtëpisë së tyre me stadiumin. Ata qëndrojnë nën rrezet e diellit duke konsumuar diçka dhe parë ndeshjen për qejfin e tyre, pa pasur nevojën të blinin një biletë.

– Ahmataj jep “urdhër” që Patriku të bëhet gati sa më shpejt për t’u futur në lojë. Madje, kjo gjë duhet të ndodhë për pesë minuta, çka e detyron lojtarin të rrisë dozën e nxehjes.

– Te Tirana nuk kanë pasur kohë që t’i shënonin emrin Dijar Nikqit në fanellë. Ishte i vetmi që mbante numrin 28, por pa mbiemrin e tij mbi supe.

– Nuk kanë munguar problemet me tifozët e Kukësit, të cilët në minutat e fundit hedhin sende në fushë, duke shqetësuar portierin mik. Një fëmijë që kap topat hyn në fushë dhe përpiqet të largojë çfarë të mundet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"