PIKANTE|Kukësi-Bylis/ Dovedan kërkon “VAR” për penalltinë e Kukësit: Telefoni, telefoni!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2020 | 23:59

PIKANTE|Kukësi-Bylis/ Dovedan kërkon “VAR” për penalltinë e Kukësit: Telefoni, telefoni!

Ndeshja mes Kukësit dhe Bylisit ka pasur momente nervozizmi në fushë, kontestime edhe në shkallët e stadiumit si edhe momente pikante që “Panorama Sport” i sjell nga ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”.
74317945_2244744789004189_6568931008538091710_o
– Ka ndodhur në të kaluarën që autoambulanca është vonuar në mbërritjen në stadium, ndërsa dje në fakt erdhi në kohë. Mirëpo, në hyrje te porta i kishte zënë rrugën një mjet i stadiumit. Me pak kujdes, ia doli të futet në stadium.

– Temperatura ditën e djeshme ka qenë mbi 32 gradë, kësisoj vapë shumë e madhe. Lojtarët që hynë të bëjnë nxehmje e vënë re këtë fakt: “Tmerr, çfarë vape! Ku luhet me këtë të nxehtë”, ia behën njëri-tjetrit. Për këtë arsye, loja u ndërpre në të dyja gjysmat e pjesëve.

– Gjatë nxehmjes së Kukësit, Krasniqi kishte uniformë tjetër nga ekipi.

– Asistenti Egin Doda del me vonesë dhe ndeshja fillon 5’ më vonë.
DOVEDAN
– Irritimi në kampin mallakastriot te penalltia ka qenë i madh. Trajneri Dovedan ka kërkuar ta shohin në telefon rastin e përsëritur për ta anuluar edhe penalltinë, siç i ka ndodhur në dy raste ekipit të tij.

“Telefoni, telefoni” dhe bënte me shenjë nga gjyqtari i katërt dhe delegati. Ndërkohë, Goxhaj kontestoi: “Është turp mo, ngelët duke e parë vetëm për ne”. Pas golit të Shkurtajt, Dovedan duartroket në mënyrë ironike dhe thotë “Bravo, bravo”. Në fundin e të parës Goxhaj i thotë Dovedan: “S’ka telefon për ne”, teksa ankohej tek arbitrat.

-Edhe pse ndeshja është pa tifozë dhe lejohen vetëm zyrtarë të ekipeve, sërish nuk mungojnë incidentet dhe sjelljet si tifozë, duke “lëshuar” edhe gojën herë pas here. Ish-kryebashkiaku i Ballshit, Agron Kapllanaj, që njihet për qetësinë, ngrihet dhe i kërkon “tifozit” që të qetësohet dhe ta lërë të shohë ndeshjen. Së bashku me vëllain, Besnik Kapllanajn, e ndoqën në shoqërinë e Safet Gjicit.

– Në përfundim të ndeshjes, Abazaj shihet i nervozuar me shokët e ekipit në stol, të cilët i jepnin udhëzime gjatë lojës, sidomos në fund. “Pasoje, pasoje, ku ta pasoj mo? Rrini mos flisni kot”, iu shpreh Abazaj shokëve të ekipit.

– Në përfundim të ndeshjes zhgënjimi ka qenë i madh te skuadra e Bylisit sa i përket arbitrimit, teksa nga stafi i tyre në tribuna lëshuan një lumë të sharash. Me sa duket, penalltia në disfavor dhe disa raste të tjera të dyshimta për një penallti në favor të tyre, nuk u kapërdinë lehtë nga ata.

PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"