Përparim Kovaçi, “pantera” e Beratit që u rebelua për një frigorifer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2015 | 10:00

Përparim Kovaçi, “pantera” e Beratit që u rebelua për një frigorifer

kovaciNGA UVIL ZAJMI

I gjithë qyteti jetonte me golat e tij. Jetim, famil ja, sëmundjet, momentet spektakolare, derbi me “Naftë- tarin”, një karrierë e konvertuar në një dhomë e kuzhinë, si dhe një frigorifer “Obodin”, të vetmet që mori në 20 vite futboll. Ushtar me detyrë ndërlidhës, kur u shpall goleadori më i mirë shqiptar. Çfarë bën sot ish-mekaniku i ujësjellësit, njeriu simbol i Beratit, “pantera” e Tomorit, goditja e të cilit ka ndëshkuar çdo skuadër? Një histori e rrallë e futbollistit që Loro Boriçi nuk e mori asnjëherë në Kombëtare.

Familja, jetim i vogël Një jetë e filluar pa nënë. Jetim që në moshën 3-vjeçare, me një ekonomi shumë të rënduar, Përparim (Rim) Kovaçi ishte fëmija i parafundit i katër vëllezërve e tri motrave. Asnjë traditë familjare për sportin, aq më shumë për futbollin. Vëllai i madh, Fatmiri, i ka dhënë ndihmë të pakursyer, madje në zdrukthëtarinë ku punonte i jepte çdo ditë drekën. Me një arsim të mesëm, me profesion mekanik në ujësjellësin e qytetit dhe një 5-orësh ishin privilegjet e pakta të kohës. Me të atin e moshuar që ishte nënë e baba për të. Kjo ka qenë fëmijëria e Rim Kovaçit, ku e gjithë familja, në veçanti kunatat, kanë larë pafundësisht rrobat e sportit dhe kanë qenë të angazhuar e preokupuar për ta ndihmuar atë. Pa e ditur se ai do të bëhej një ndër futbollistët më të shquar, jo vetëm për Beratin, por për gjithë Shqipërinë, një famë që e shoqëron edhe në ditët e sotme.

Fillimet si të gjithë te “Pionieri” Fillimet si të gjithë fëmijët janë të lidhur me “Shtëpinë e Pionierit” të Beratit. Kur ishte 8 vjeç, luante në fushën afër stadiumit të vjetër, pastaj ndeshjet me shkolla, takimet e lagjeve midis pallateve. Mjaftoi një gol me roveshatë në fushën pranë spitalit dhe shkollës “Thimi Nika”, ku trajnerët e moshave Zoji Konomi dhe Filip Leci zbuluan talentin e tij. Në Gjirokastër, trajnerët Guxim Mukli dhe Agim Matrapazi, e konfirmuan si e ardhmja e futbollit beratas, duke e angazhuar menjëherë me paratërinjtë dhe pas tri viteve kalon me ekipin e të rinjve. U bë protagonist në disa takime miqësore, ku veçohen ato kundër kosovarëve. Në vitin 1973, trajneri Mon Xhamo i Tomorit e merr me ekipin e parë Përparim Kovaçi, “pantera” e Beratit që u rebelua për një frigorifer Historia e jetimit që u bë yll në vitet ’70-’80 dhe shënonte sa herë ishte i sëmurë Bomberi që Loro Boriçi nuk e donte në Kombëtare sepse ishte i shkurtër që luan në kategorinë e dytë. Aty gjen Teli Zahon, Luke Hodon, Ajet Hoxhën, Aleksandër Monkën, Tajar Spahon, Petrit Cilingirin dhe Agim Matrapazin, me të cilët do të luante për disa vite.

Çfarë e karakterizonte Robust dhe i gjatë vetëm 168 cm, me numër këmbe 39… Pra, jo me karakteristika ideale për të qenë një golashënues tipik “i rëndë”. Por, asgjë nuk e ka penguar për të ishte i tillë, madje shumë nga golat i ka shënuar me kokë, duke kërcyer mbi Berishën, Çoçolin, K. Hysin, Targajn etj. I përgatitur fizikisht dhe i shpejtë. Shiu, terreni i vështirë, koha e keqe, faktori fushë nuk kanë qenë problem për të. Luante me të dyja këmbët. Lojtar tipik zone, nuhatës, i paparashikueshëm dhe trim, sepse kokën e fuste te këmba e kundërshtarit. I shpejtë, 12 sekonda në 100m dhe 3.9 sekonda realizonte kohën në 30 metra. Impulsiv, por edhe sakrifikues, pasi punonte gjatë edhe pas stërvitjes. Guxim Muklin e konsideron jo vetëm trajnerin e zgjuar, punëtor dhe shumë taktik, por edhe njeriun që i dha famë. I mundësoi një karrierë të gjatë e të bujshme me të cilin jeta e Kovaçit është e pandarë.

UntitledSi jetonte qyteti me golat e tij… I gjithë qyteti, zonat përreth në dy dekada, kanë jetuar me golat e tij, të cilët askush nuk i përcakton sa janë saktësisht… Ajo që dihet është se u ka shënuar të gjitha skuadrave dhe portierëve më të famshëm të kohërave. Ndonëse statistikat mungojnë dhe mbetet e vështirë të llogaritësh golat e tij, nisur nga 20 vite karrierë, me një mesatare 10 gola në sezon, gjykojmë se janë mbi 200 të tillë. Golin e parë (madje është një dygolësh) e ka realizuar në Delvinë, në fitoren 4-2 të Tomorit. Ndërsa në Berat, në fush- ën e vjetër, golin e parë “vendës” e ka realizuar kundër një ekipi të fortë si Dajti, në pjesën e parë, dhe e gjithë sfida ka përfunduar 1-0.

Cilët janë më të famshëm? Golin më të bukur, i dyfishtë për nga vlerat, e ka realizuar kundër Besëlidhjes në fund të sezonit 1996-1977. Ishte finalja e Kategorisë së Dytë: Berat, arbitër R.Pregja, fusha e vjetër, ndeshja e kthimit, gol me roveshatë, në pjesën e parë dhe 1-0 si në Lezhë. Në shtesë edhe 2 gola të tjerë dhe 3-0… Tomori siguroi pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë. Pastaj dy golat kundër AEK-ut në Kupën Ballkanike me fanellën e Flamurtarit, golat në “Qemal Stafa” ndaj Luarasit të Dinamos, B. Sharrës së 17 Nëndorit, Jani Kaçit të Skënderbeut, Ajazit të Lokomotivës, Mustës së Partizanit dhe Gogunjës së Labinotit në kulmin e formës së tij.

Goli me dorë dhe “hakmarrja” vlonjate Stadiumi i vjetër… Luhet kundër Flamurtarit dhe treshja e arbitrave nga Tirana. Rezultati 0-0 pas pjesës së parë. Ndërsa ka filluar e dyta, Kovaçi, i ndodhur në zonë, e ka devijuar topin me dorë dhe shënon nga porta që ishte në anën e qytetit. Asnjë nuk e ka parë, vetëm portieri Berberi ka protestuar, por takimi përfundoi 1-0. Ndeshja e kthimit e fazës së dytë luhej në Vlorë. Gjatë gjithë lojës e kanë sharë me “të famshmet” shprehje tipike vlonjate. Por, fundi ka qenë ndryshe: një gol i shënuar prej tij ka bërë të ndryshojë edhe kahu i tifozëve… U kthyen të gjithë me të. Ndërsa në Shkodër, ka një tjetër moment të paharruar: Sapo pat filluar loja dhe ishte akorduar goditje këndi nga porta nga sahati, Mile pat krosuar në zonë dhe Kovaçi, i ulur në gjunjë, me kokë goditi befasishëm dhe rrjetë. Goli bëri të heshte i gjithë stadiumi duke mahnitur shkodranët pasionantë.

Vetëm dhjetë minuta për të shënuar Në Vlorë duhej një pikë për të shpëtuar skuadrën. Ndonëse ishte i sëmurë gjatë gjithë javës, aq sa në stërvitje nuk pati marrë pjesë, udhëtoi sërish me skuadrën. Trajneri Mulki nuk e përfshiu në formacion. Por, pas pjesës së parë shifrat ishin 1-0 për kuqezinjtë vendës. Kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë, zv.trajneri A. Xheblati i kërkoi Muklit të fuste Kovaçin. “Nuk luan se është sëmurë”, – ishte përgjigja. “T’i them njëherë?”. – Bëj ç’të duash”, – mbyll debatin Mukli. “Zhvishu se do të luash!”, – i drejtohet Xheblati Kovaçit. Edhe 3 minuta lojë, goditje këndi: gol i Kovaçit, 1-1, rezultat që shpë- toi Tomorin.

UntitledMe Flamurtarin i huazuar, goli ndaj Enver Mariç Edhe ky është një moment shumë i veçantë për karrierën e tij. Nuk e marrin në Kombëtare, as me ekipin “Shpresa”, pra nuk ka asnjë takim ndërkombëtar. Por, janë vlonjatët që kanë menduar për të. Krejt papritur e kanë njoftuar se do të luante me Flamurtarin në Kupën Ballkanike, në një grup ku ishin Velezh i Mostarit dhe AEK i Athinës. Ajo që i ka mbetur thellë në kujtesë është një fakt i madh personal sportiv: I ka shënuar gol legjendës, idhullit të shqiptarëve për kohën, portierit të famshëm Enver Mariç, madje dy herë: Në Vlorë 3-2 edhe në Mostar 1-4. Në atë kohë, Flamurtari ishte një skuadër e afirmuar me protagonistë ku luanin Agron Sula, Spiro e Leonidha Curi, Çipi, Taho, U. Xhafa, por edhe Pandi Sare në portë. E bashkë me ta edhe Rim Kovaçi, e ka një pjesë të vogël në historinë e lavdishme të klubit.

Në Uznovë ushtar, goleador dhe i dashuruar Me interesimin e klubit dhe të Komitetit të Partisë së Rrethit, me qëllim që të ishte afër ekipit të Tomorit dhe për të shmangur çdo largim për te klubet e kryeqytetit të interesuar për të, e kanë caktuar të kryejë shërbimin ushtarak në Uznovë (në dalje të Beratit), në një repart ndërlidhjeje. Bëhet fjalë për sezonin 1978-’79. Është në kulmin e formës, shënon gati në çdo takim dhe pikërisht në atë kampionat ai është shpallur golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë me 21 gola. E veçantë është se ishte njëkohë- sisht futbollist dhe ushtar me detyrë ndërlidhës. Madje, në Uznovë edhe u dashurua me gruan që ka sot. Ajo punonte në kuzhinën e repartit të Baterisë dhe në vitin 1987 erdhi martesa. Me Uznovën e lidh edhe një detaj: Një italian i ardhur pas 1991, si administrator i repartit të baterisë, kur nga tifozët informohet për të, shkonte për ta parë në çdo ndeshje në stadium. I solli edhe një palë këpucë futbolli, të cilat vetëm pak kohë më parë Kovaçi ia fali një futbollisti të ri.

Asnjëherë kapiten, numri 10 në fanellë Gjithë karrierën ka luajtur me numrin 10 në fanellë, ndonëse në fillimet e tij ka përdorur atë me 14, kur aktivizohej si rezervë. (Janë vitet kur pas një vendimi të FSHF-së se gjatë një takimi zyrtar skuadrat duhet të aktivizonin detyrimisht një 18-vjeçar. Edhe zëvendësimi i tij bëhej me një tjetër futbollist të kësaj moshe). Numrin tradicional dhe të preferuar, 10, e mbante i njohuri Hodo. “Ky do të jetë e ardhmja e Beratit dhe numri 10 i takon atij”, -thoshin të gjithë për të. Por, ajo që veçohet në karrierën e gjatë, është një fakt shumë interesant: asnjëherë nuk ka qenë kapiten i skuadrës. Një detyrë që nuk e ka pranuar, pasi i ka mjaftuar vetëm ajo që të shënonte.

Rivaliteti në Tomori-Naftëtari Derbi myzeqar, Tomori, Apolonia, Traktori dhe Naftë- tari ka qenë dhe mbetet unik për futbollin shqiptar, pasi në pak distancë luanin katër skuadra. Në veçanti ai TomoriNaftëtari, i fundviteve ’70. Vetëm 20 km i ndante qytetet, ku rivaliteti ishte i madh midis tifozërive dhe lojtarëve në fushë, ndërkohë që gjatë gjithë javës i bashkonte nën një strehë Kombinati i Tekstileve “Mao Ce Dun”. Aty punonin së bashku edhe tifozëritë e dy qyteteve. Debatet fillonin në ditën e parë të javës për të mos ndaluar deri ditën e ndeshjes. Rivaliteti në derbin me Kuçovën është i lidhur edhe me të tjera histori sportive që i kanë thuajse të njëjta. Skuadra e futbollistë protagonistë në Kategorinë e Dytë, por edhe në të Parën. Edhe në shkëmbimet e lojtarëve kanë pasur marrëdhënie të mira: Dashnor Dume, i njohuri kuçovar për shumë vite, ka luajtur me Tomorin. Ose Vladimir Skuro, legjenda e Naftëtarit të famshëm, ka veshur fanellën beratase në një ndeshje ndërkombëtare.

Golat në derbi Ka disa gola spektakolarë që ka realizuar në derbin e famshëm: Gjithmonë në fush- ën e vjetër, pasi aty është luajtur për shumë vite, është dhënë një goditje faulli. Suvorov Seferi ka harkuar dhe, nga 16 metra me trinë të plotë, Kovaçi ka goditur portën. Gol i jashtëzakonshëm… Portieri Ismaili i Naftëtarit nuk ka bërë as më të voglën lëvizje dhe 1-0. Në Kuçovë, i sëmurë me tërheqje gjatë gjithë javës, e gjithë tifozëria kuçovare shpresonte të mos luante, pasi e kishin problem. (Në rastet kur luante, analiza e tyre fokusohej në faktin se kush do ta mbante Rim Kovaçin). Kur doli në nxehmje, ndonëse me tuta, të gjithë shtangën, pasi kuptuan se “pantera” do të luante. Trajneri Mukli me guxim e aktivizoi dhe profecia e tij tregoi se nuk kishte gabuar: Tomori fitoi 2-0 dhe goli i parë ka firmën e Kovaçit.

Tomori i goleadorëve Si pak qytete me traditë futbollistike të Shqipërisë – do ta kishin zili listën e goleadorëve beratas duke regjistruar në historinë e kampionateve kombëtare të Kategorisë së Parë – është e rrallë, madje autentike. Nuk janë pak: I pari është Rim Kovaçi, shënuesi më i mirë i sezonit 1979-’80 me 18 gola. Pas tij, në kampionatin 1986- ’87 në krye renditet A.Arbëri me 14 gola. Për të vijuar në edicionin 1990-’91, kur shënuesin më të mirë të kampionatit gjejmë të shquarin Kliton Bozgo me 29 gola. 1999-2000 sërish një beratas “puro sangue” në krye: K. Arbëri me 18 gola. Pa harruar Qoljen, njeriun e golit historik 1-0, kur luante me Partizanin ndaj 17 Nëndorit, që njihet si dita kur u shemb stadiumi. Apo Bardh Buzin, dentistin e njohur ish-dinamas. Por edhe Hodon, titullar i Partizanit të viteve ’60, për të vijuar me M. Ndini, S.Seferi, A.Ziu, S.Dauti, A.Bakiri, P.Sare, Rrogën dhe Allajn, që e kanë veshur atë fanellë edhe për një ndeshje të vetme etj.

Analiza që nuk u bë kurrë Është një moment, të cilin nuk e harron kurrë: Në Berat, me Lokomotivën, do të luhet një ndeshje tejet e vështirë. Në orën 10:30, është programuar të zhvillohet analiza, në mjediset e stadiumit të vjetër, kur ishte plot me tifozë, edhe pse ndeshja fillonte në mesditë në orën 16:00. Ndërsa trajneri mori shkumësin për të formuluar taktikën në një dërrasë të zezë, Kovaçi i thotë: “Profesor, çfarë analize do të bësh, kur gjysma e stadiumit është e mbushur? Analizën do të bëjmë vetë ne lojtarët në fushë”. Pa e zgjatur, Mukli uli dorën, la shkumësin, ndërpreu analizën dhe bëri me shenjë që lojtarët ishin të lirë për të vazhduar në bulevard, për një xhiro, sa të shkonte ora e drekës.

Në Kombëtare, Boriçi nuk e pëlqente Të jesh në elitën e golashënuesve pikërisht në kohën e gjigantëve në këtë rol si Përnaska, Murati, Minga, Kola, e të mos luash asnjëherë me skuadrën Kombëtare është një rast i veçantë. Për një fakt emotiv të rrallë: Trajneri Boriçi nuk e pëlqente vetëm për nga shtatlartësia. “Lojtar i shkurtër”, deklaronte gjithmonë kur e pyesnin për të. Vetëm një herë e ka grumbulluar me Kombëtaren B. Luajti 10-të minuta përballë ekipit A, duke shënuar të vetmin gol të miqë- sores, ndonëse fanellën kuqezi nuk e provoi kurrë, vetëm nga fakti se nuk plotësonte elementin trupor.

Raportet me arbitrat, Pregja e donte Nuk ka qenë aq i sjellshëm me arbitrat, kundërshtar, madje kartonin e kuq e ka provuar disa herë. Shkak ishin ndë- rhyrjet të rënda, mbulimet e ashpra, por edhe temperamenti impulsiv i tij. Kjo ndodh zakonisht me goleadorët, ndaj të cilëve përdoren të gjithë mënyrat për t’i ndaluar. Fidai Pupa në Berat, ndërsa loja po mbaronte 0-0, ka dhënë një 11- të metërsh, për një ndërhyrje të gabuar të K. Hysin të Partizanit, ndaj tij. Por edhe kartoni kuq i dhënë nga Tef Prela për të pasur një protestë të ashpër ndaj tij, në një takim sërish me Partizanin. Por, me të famshmin Ramiz Pregja ka pasur marrëdhënie shumë të mira.

Të luash për një banesë Pa shtëpi, ndonëse kishte kohë që sistematikisht i jepnin fjalën, por asgjë konkretisht. Edhe pse i famshëm, kishte kërkuar të kontribuonte me punë vullnetare për ta marrë si veprohej në ato vite. Në prag të ndeshjes me Besëlidhjen, skuadra qëndronte e grumbulluar te Hotel “Turizmi”. Duke shfrytëzuar një takim me A. Pilafin i kërkoi që t’i jepnin shtëpi. Ai nuk ktheu përgjigje, ndërkohë që Kovaçi në shenjë proteste iku, nuk fjeti me skuadrën. Të nesërmen i shkon trajneri në shtëpi dhe e pyet pse ike? “Nuk kam shtëpi dhe sot nuk luaj”, ishte përgjigja. Por refuzimi, mosbindja kishte pasur sukses. I kanë shkuar të nesërmen në shtëpi: “Eja në ndeshje luaj se do të marrësh shtëpi”. Protagonist i takimit, në një stadium të mbushur, vjen momenti kur arbitri N. Jareci ka dhënë një penallti për Tomorrin. Portieri i Besëlidhjes, vlonjati Birçe i thotë në vesh se “ke për ta humbur”, për ta acaruar. Me qetësi e vendosi topin te pika e bardhë dhe si zakonisht goditje e pagabuar dhe rrjetë. Aq mbaroi ndeshja 1-0, me golin e tij. Të nesërmen u mblodh Komiteti Ekzekutiv i Rrethit dhe votuan për t’i dhënë një hyrje. Banesa që ka edhe sot, një dhomë e kuzhinë…

Për një “Obodin” më shumë Në sezonin 1988-89, Sekretar i Parë i Beratit është Hysen Shahu, tifoz i Dinamos, por edhe shumë dashamirës i futbollit. Kërkonte një frigorifer, por Krenar Suku që i shpërndante ata, shok fëmijërie, refuzonte t’ia jepte. “I kam për kopshte e çerdhe”, i thoshte. Pa e zgjatur, duke parë se nuk po e siguronte një të tillë, i troket në zyrë Hysen Shahut. Reagimi tij ishte i menjëhershëm. Ngriti receptorin, mori në telefon dhe urdhëroi t’i jepnin frigoriferin e ëndërruar. Një “Obodin”, që e mori me paratë e ruajtura në vite (45 mijë lekë kushtonte).

Dëmtimet, sëmundjet që nuk i harron Ndaj Partizanit në Tiranë i sëmurë me të “verdhin” dhe ka luajtur në një ndeshje të vështirë. Megjithatë, mbrojtë- si i majtë i Partizanit, që nuk e mbante dot, i pat grisur edhe fanellën. Pastaj, dëmtimi i rëndë: Roturë menisku i djathtë. Me ndërmjetësinë e vëllait të Astrit Ziut, mjek i skuadrës, u vizitua nga ortopedi i njohur P. Boga në Spitalin Ushtarak. Sa e pa, Boga i tha për ta operuar. Por ai nuk pranoi. Atë javë në Gjirokastër kundër Shqiponjës ishte titullar në fitoren 2-1 (1 gol Kovaçi), por në minutën e 80- të doli nga fusha, pasi ishte e pamundur të luante. Pastaj me një vullnet të madh, duke ngritur pesha, nëpërmjet punës, forcoi ligamentet dhe nuk u operua. Por edhe nga mëlçia ka vuajtur shumë: Ka luajtur me 450 tranzaminancat. “Si ke luajtur me këtë mëlçi?”, konstatuan mjekët kur e vizituan në spitalin e Beratit. Pastaj stop 6 muaj, qëndrim në shtrat në spital dhe rikuperimi në një kohë të gjatë.

Çfarë bën tani “pantera” e Beratit E la futbollin 36-vjeç, me 20 vite karrierë mbi shpinë. Pas viteve ’90 vazhdoi me ekipet zinxhir, pastaj në stafin e ekipit të parë me Kristaq Milen. Bashkë me golat e shënuar, kujton me nostalgji të gjithë, trajnerë, shokë skuadre, arbitra, tifozët, “IFA”-n, autobusin e skuadrës, Shpëtimin, kamerierin e Turizmit, fush- ën e vjetër, dhomat e zhveshjes, pasi pak luajti në stadiumin e ri, apo Dinamon skuadrën që nuk i ecte. Në dhomën e çdo hoteli ka qëndruar vetëm me Agim Matrapazin, mikun e tij. Tifoz i Brazilit, Karekës dhe Realit. Mbeti vetëm “Mjeshtër Sporti”, pasi atë të “Merituar”, nuk ia dhanë. I datëlindjes 1965 e ndërtoi karrierën me punë e djersë, pa menduar se një ditë do ta mbulonte fama e një futbollisti shumë popullor që vijon edhe në ditët e sotme. Ka mbetur i thjeshtë, madje nuk ka as makinë apo luksin e sotëm të një ish-futbollisti të njohur. Jeton me gruan në shtëpinë që i dha 25 vite më parë Komiteti i Partisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"