Përballja me Tomorin, Mërgjyshi: Dua një Besë cinike, të mos gabojmë në Berat sepse nuk të jepen 10 raste goli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2020 | 10:20

Përballja me Tomorin, Mërgjyshi: Dua një Besë cinike, të mos gabojmë në Berat sepse nuk të jepen 10 raste goli

Besa është gati për Tomorin, ndeshje që do ta luajë sot në transfertë. Angazhimi në stërvitje ishte maksimal, pasi kërkohet vetëm fitorja. Nexhat Bizhdili nuk ka munguar as në seancën e djeshme, ashtu si gjatë gjithë javës. Kjo flet qartë për rëndësinë që i ka dhënë këtij 90-minutëshi. Në ndryshim nga sfida me Egnatian, trajneri do të ketë në dispozicion edhe qendërmbrojtësin Armenis Kukaj.Mergjyshi

Kjo e ka qetësuar Artan Mërgjyshin, gjë që e pohon edhe në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”: “Për fatin tonë, nesër (sot) do të kem në dispozicion grupin e plotë, pas kthimit të Kukajt. Ky fakt më ngroh dhe më bën optimist”. Dëshira e vetme e verdhezinjve është që ta mbyllin fazën e parë në krye të klasifikimit. Po që të ndodhë kjo, fillimisht duhet të kalojnë beratasit e më pas Elbasanin, takim që e luajnë në mërkurën. Numri një i pankinës nuk e fsheh objektivin e Besës, që mbetet vetëm fitorja. Falë përvojës së tij në krye të disa ekipeve, ai e di mjaft mirë që në transferta është e ndaluar të gabosh.

“Ju e patë që ndaj Egnatias ekipi u mundua të mos gabojë asnjëherë në prapavijë dhe ia doli mjaft mirë. Thënë ndryshe, disa takime përcaktohen nga episode të tilla dhe jo nga loja në tërësi. Mund të luash shumë mirë, por mjafton një gabim dhe gjithë mundi shkon dëm. Këtë u kam kërkuar futbollistëve gjatë gjithë javës, të jenë të kujdesshëm deri në minutën e 90-të. Po ashtu, nuk mund të krijosh 10 raste goli në transfertë, ndaj kërkohet pragmatizëm, vlerësim i çdo rasti që krijohet. Vetëm kështu mund të kemi sukses. Tomorin e kemi studiuar dhe besoj se të njëjtën gjë ka bërë edhe ai me ne.

Objektivi ynë i vetëm është të fitojmë kudo që luajmë. Fitorja duhet të vijë falë zbatimit taktik rigoroz të detyrave që u kam dhënë futbollistëve. E përsëris se Tomori mbetet kundërshtar i vështirë dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht. Ata mund të të ndëshkojnë lehtë në gabimin e parë që bën. Kundërshtari ka në përbërje lojtarë me përvojë. E thashë më lart se gjithçka do të varet nga gabimet e secilit ekip. Uroj dhe shpresoj që Besa të gabojë më pak dhe të shfrytëzojë në maksimum rastet. Nëse ndodh kështu në fushë, besoj se do të dalim të fituar nga kjo sfidë”, përfundoi trajneri i Besës.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"