Përballja me Laçin, Daja duhet të zgjidhë 4 dilema

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 17:17

Përballja me Laçin, Daja duhet të zgjidhë 4 dilema

Partizani do të luajë këtë fundjavë sfidën ndaj Laçit, e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore. “Demat e kuq” vijnë pas dy fitoreve radhazi, ajo ndaj Kukësit 0-2 në kampionat dhe fitorja 1-0 kundër Apolonisë në Kupën e Shqipërisë. Përballë kurbinasve, të kuqtë kryeqytetas kanë një rekord shumë të mirë. Në 37 takime mes dy skuadrave, Partizani ka triumfuar plot 19 herë, 9 sfida janë ndarë në barazim dhe po kaq ka fituar Laçi. Në pesë takimet e fundit mes dy skuadrave, Partizani ka marrë tri fitore, vetëm një Laçi dhe një ndeshje është mbyllur në barazim.
Partizani goli
Edhe pse historia favorizon “demat”, kjo sfidë do të jetë mjaft delikate për të besuarit e Ilir Dajës, pasi situata me dëmtimet dhe me lojtarët që kanë qenë të grumbulluar me kombëtaret, nuk është optimale. Esat Mala, i cili është i grumbulluar me Kombëtaren U-21 dhe Alban Hoxha me Kombëtaren A, nuk do të rikthehen para datës 19 nëntor, vetëm dy ditë para sfidës ndaj Laçit. Edhe pse stërvitja për ta nuk është ndalur dhe pritet të jenë në fushë ndaj Laçit, përgatitjet larg pjesës tjetër të skuadrës mund të ndikojnë.
asani-melo-e1603801841476
DËMTIMET – Jasir Asani vazhdon të jetë i dëmtuar, ndoshta lojtari më i rëndësishëm i “demave” këtë sezon. 24-vjeçari ka një tërheqje muskulore dhe është në dyshim për sfidën ndaj kurbinasve. Një tjetër lojtar që shqetëson trajnerin Ilir Daja është Uilliam Kordeiro Melo, me brazilianin që vazhdon të vuajë nga dëmtimi në këtë fillim sezoni. Gjithsesi, dje është rikthyer në fushat e blerta dhe ka bërë stërvitje i veçuar, me disa vrapime të lehta. Pjesa tjetër e skuadrës është stërvitur rregullisht dhe me ritme të plota.

FORMACIONI – Formacioni i Partizanit kundër Laçit nuk pritet të ketë shumë ndryshime. Kapiteni Hoxha do të rikthehet të jetë mes shtyllave pasi mungoi në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë për shkak të angazhimeve me Kombëtaren. Në mbrojtje, katërshja Idrizaj, Bitri, Belica dhe Hakaj pritet të startojnë sërish nga minuta e parë. Në mesfushë, në balotazh është Hyseni me Brojën, ndërsa Mala pritet të jetë nga minuta e parë. Një vend në treshen e mesfushës edhe për Jurgen Bardhin, të cilin Daja nuk e sheh si sulmues. Solomon dhe Kardozo janë dy futbollistë që duken në formë shumë të mirë dhe vështirë se Daja nuk do t’u besojë fanella titullari, ndërsa në vend të Asanit, në rast se ky i fundit nuk rikuperohet në kohë, mund t’i besohet sulmuesit Braun, i cili shënoi golin vendimtar kundër Apolonisë në Kupën e Shqipërisë. Sfida mes Partizanit dhe Laçit do të luhet ditën e shtunë në Elbasan.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"