“Për fitore me Tomorin, nuk tërhiqemi për elitën”, trajneri Mëziu SMS rivalëve: Të gjithë e dinë, Korabit i takon ngjitja në Superiore!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 10:47

“Për fitore me Tomorin, nuk tërhiqemi për elitën”, trajneri Mëziu SMS rivalëve: Të gjithë e dinë, Korabit i takon ngjitja në Superiore!

Korabi është gati për të pritur Tomorin. Luajnë në Peshkopi dhe ky është një “bonus” i madh, e sidomos për një ekip të pathyeshëm në shtëpi (13 fitore dhe 2 barazime). Donald Mëziu mendon se askush më shumë se ata nuk e meriton ngjitjen dhe këtë e thotë duke iu referuar vendit në renditje dhe ndoshta rregullores së vjetër, që i çonte direkt në finale me vendin e 8-të të “Abissnet Superiore”. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri i bën edhe një skaner ecurisë së krejt sezonit dhe radhit penalitetet që kanë marrë nga gjykimi.

Donald Meziu

“Kemi dy ditë që kemi ardhur në Peshkopi dhe ndihemi gati për këtë finale. Objektivi i vetëm është fitorja, ndonëse na favorizon barazimi. Do të luajmë para publikut tonë dhe këtë e shohim si armë.

Grupi do të jetë i plotë, ndërkohë që kemi zhvilluar edhe analiza të detajuara mbi ecurinë e kundërshtarit. Korabi ka vite që po konkurron për t’u ngjitur direkt në elitë.

Të gjithë e dinë se ndeshja finale me Egnatian na takon vetëm neve. Jemi vendi i tretë, i shkëputur 9 pikë nga ndjekësi më i afërt. Ne kemi treguar se në këtë kategori jemi superiorë.

I kemi marrë pikët e plota pjesës dërrmuese të skuadrave. Me asnjë nuk kemi bilanc negativ. Kemi mundur edhe kryesuesen në fushën tonë dhe kemi dëshmuar se nuk mposhtemi lehtë.

Ama, kemi vuajtur jo pak. Janë kryer shumë gabime kundër Korabit në gjykim gjatë kampionatit, që janë bërë edhe faktor. Jemi skuadra që kemi marrë më pak penallti, gjithsej 3 dhe kundër kemi 4 të tillë.

Nuk po llogaris ato që na janë mohuar dhe këtë nuk e them unë, por është verdikt i specialistëve dhe moviolës. Kujtojmë se na janë anuluar edhe 4 gola të rregullt. Nuk mbyllet me kaq, pasi jemi penalizuar shpeshherë dhe me kartonë, sidomos të kuq, që na kanë prishur shpesh ekuilibrat.

Megjithatë, kemi marrë përgjegjësitë e plota dhe jemi betuar me njëri–tjetrin të nderojmë fanellën që kemi veshur dhe ata që na mbështesin. Ndaj, le të sakrifikojmë veten dhe të arrijmë suksesin e kërkuar.

Ky është fati ynë, nuk ka vend për t’u tërhequr tani. Të gjithë ne si staf drejtues së bashku me futbollistët dhe me mbështetjen e tifozërisë sonë të zjarrtë do të luftojmë deri në fund për të plotësuar ëndrrën e dibranëve, ngjitjen në elitë”, përfundoi Mëziu.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"