“Patjetër që ka diçka me Brojën, rëndësi ka edhe si sillet ai”, Shkëmbi analizon kuqezinjtë: Asanin këtu e kishim, nuk e pritnim kështu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 16:59

“Patjetër që ka diçka me Brojën, rëndësi ka edhe si sillet ai”, Shkëmbi analizon kuqezinjtë: Asanin këtu e kishim, nuk e pritnim kështu

Bledi Shkëmbi është i bindur se Shqipëria fiton ndaj Moldavisë, duke bërë atë me të cilën na ka mësuar në këto periudhë, me një lojë të ekuilibruar që ka qëllim të sigurojë rezultatin.

shkembi-770x397

Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare ka treguar në një intervistë për “Sport News” në “News 24” se si e sheh këtë ekip në rrugëtimin e tij të suksesshëm. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai ka folur edhe për çështjen Broja dhe bindjen që ka se në fund futbollisti do të kthehet pjesë e grupit kuqezi.

Çfarë sfidë presim sot? Zbresim në fushë si favoritë, jemi në presion?
Mendoj se presim një ndeshje të vështirë. Në çdo ndeshje ka presion, por që jam i bindur që ekipi dhe stafi kanë ditur të përgatisin në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen.

Me Moldavinë kemi vuajtur më shumë se sa me Çekinë apo Poloninë, do jetë ndryshe kjo sfidë e dytë?
Do të jetë përsëri e njëjta ndeshje. Edhe Moldavia do mundohet të bëjë maksimumin e saj. Në ndeshjen e parë vuajtëm dhe ishte si një mësim.

Silvinjo dhe i gjithë ambienti theksojnë se nuk bëjmë llogari, por nga ana tjetër Moldavia luan për fitore. Përtej emrit, çfarë Shqipërie pret, e kujdesur si ka bërë deri më tani, apo do jemi ne që do ta luajmë muzikën?
Patjetër që unë jam dakord, normal që kombëtarja shkon aty për të fituar, duke patur parasysh rivalin. Kjo kombëtare më pëlqen sepse nuk ka shumë ndryshime. Mendoj se edhe stafi të njëjtën mënyrë loje do të ketë. Kemi një balancim të mirë të ekipit. Ne sulmojmë dhe mbrojmë të gjithë si skuadër. Kemi dëshirë të luajmë shumë me topin.

Bledi, Silvinjo është një trajner që ndryshon shumë pak, i ka vendosur lojtarët në pozicionet e tyre ideale dhe nuk ndryshon. A pret ndryshime në këto dy sfida të fundit?
Çelësi i suksesit është trajneri. Kemi një ekip të fortë. Mendoj se patjetër, duke patur parasysh gjendjen fizike. Skuadra? Nuk besoj se do të ndryshojë shumë, ky është mendimi im.

Të gjithë flasim se Silvinjo ka kthyer entuziazmin, por të gjithë e  dimë që vetëm kaq nuk mjafton. Në këndvështrimin tënd, cila është gjeja më pozitive që ka sjell Silvinjo?
Pavarësisht ndryshimeve taktike nga trajneri paraardhës, mendoj se grupi, forca e grupit po vihet re. Skuadra ka ndryshuar edhe taktikisht, pra edhe skema. Më e rëndësishmja është që na ka ecur mirë, kemi patur edhe fat. Kemi shënuar gol individual.

Fakt është që kemi një ekip sulmues, keni një shpërndarje të gjerë të lojtarëve që shënojnë, kemi shumë gjuajtës të mirë. Si një ish lojtar me shumë fantazi, që ke realizuar gola shumë të bukur, kë lojtar do veçoje, kush të ka pëlqyer më shumë?
Asllani është nga lojtarët që më pëlqen më shumë. Asanin e kishim këtu, nuk e prisnim që në kombëtare të ishte në këto nivele. Më pëlqen mënyra sesi luan. Jemi ekip i fortë.

Fakt është që ky ekip është brilant, por fakt është gjithashtu që ka një çështje që shqetëson jo pak tifozët, çështja Broja. Një diskutim që vijon që nga koha e Edi Rejas, a po veprohet drejt më këtë lojtar?
Janë gjëra normale. Rëndësi ka edhe si sillet Broja, jo vetëm si sillemi ne në raport me të. Silvinjo e di mirë, Broja do të jetë sërish pjesë e kombëtares. Jam i bindur se gjërat do të qetësohen dhe qartësohen. Nëse lojtari fiton penallti me Çelsin, por nuk ftohet më pas nga kombëtarja, patjetër që ka diçka.

A do jetë e vështirë ta përfshijë Silvinjo në skuadër në Evropian? A do të jetë e vështirë të pranohet nga pjesa tjetër e këtij grupi që po e dërgon Shqipërinë në Europian? Meqë jemi këtu, tek Europiani, a mund të bëjmë më mirë se sa në 2016?
Unë mendoj se Broja do jetë në Europian, pasi është e ardhmja. Nuk mendoj që ka problem kaq të madh. Çdo gjë do të varet, deri atëherë ka shumë ndeshje. Të gjithë shpresoj që të jenë mirë dhe pa probleme. Më mirë se në 2016? Analizat duhet të jenë të thella. Kam parasysh rivalët. Çekia dhe Polonia janë në momentet më të dobëta.

Më jep një parashikim, si del sot sfida me Moldavinë?
Fitojmë ngushtë. Unë jam i bindur që fitojmë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"