“Pashë lojtarë që ecin”, Dedja përgatit “spastrimet” te Vllaznia. Ja ndryshimet në formacionin anti-Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 9:49

“Pashë lojtarë që ecin”, Dedja përgatit “spastrimet” te Vllaznia. Ja ndryshimet në formacionin anti-Teuta

Tekniku Dedja ka pasur shumë pak kohë në dispozicion për të përgatitur takimin e Kupës ndaj Teutës, por duket se i ka idetë shumë të qarta. Në Shkodër ka nisur “spastrimi” nga formacioni i lojtarëve që, sipas trajnerit, “ecin në fushë”. Ndryshe nga përballja e parë në Shkodër e përfunduar me shifrat 2-2, për këtë takim tekniku do të ketë tri mungesa të sigurta. Hygor, Malota e Ramadani mësohet se nuk do të jenë të gatshëm për këtë përballje.
dedjaaaa
Këto mungesa, por edhe disa lëvizje që pritet të bëjë tekniku Dedja, sjellin disa spostime te kuqeblutë në 90- minutëshin e kthimit në Kupë. Dedja do të kërkojë që të forcojë skuadrën si në mbrojtje e po ashtu në mesin e fushës, një repart ku po shfaqen edhe disa probleme. Lëvizje të shumta dhe operacionin “fshesa” trajneri i kuqebluve e paralajmëroi në përfundim të disfatës me skuadrën e Tiranës.

OPERACIONI “FSHESA”
Alen Sherri

Për këtë arsye, lëvizjet pritet të ndodhin që nga porta. Portieri maqedonas Efremov, me 12 gola të pësuar në katër takime, duket se ka vënë në pikëpyetje reale të qenurit titullar në këtë takim. Trajneri Dedja e ka paralajmëruar këtë gjë dhe, siç duket, në Durrës në portë do të kthehet Sherri. Ky i fundit është ulur në stol që pas përballjes së fazës së tretë në Shkodër përballë Tiranës, të cilit i kushtoi goli i pësuar dhe prej aty u detyrua ta lëshonte vendin e titullarit. Por, me sa duket, porta nuk do të jetë e vetmja që do të pësojë ndryshime. Me mungesën e Malotës dhe rikthimin e Markut, mbrojtja mund të ketë një tjetër katërshe. Gligorov pritet të marrë vendin në djathtë ndërsa përkrah Adilit në qendër mund të vendoset Shehi. Në të majtë Dedja do të besojë sërish te Marku, duke plotësuar linjën me katër. Në mesin e fushës, duket se ekziston e vetmja pikëpyetje, teksa për një fanellë titullari dyshimi ekziston për njërin mes Krymit dhe të riut Repaj. Ky i fundit është prej të rinjve që mund të ofrojë freski në këtë repart. Megjithatë, mesfushori Krymi, tanimë me eksperiencë pavarësisht moshës së re, me gjasa pritet të jetë që nga minuta e parë në fushë si titullar. Përkrah tij do të luajë Gurishta.

KONFIRMIMET
Krahas largimeve, për trajnerin Dedja mund të ketë edhe konfirmime. Bëhet fjalë për repartin e avancuar, në të cilin trajneri pritet që t’u besojë të njëjtave zgjedhje si në takimin ndaj Tiranës. Kapiteni Lika do të jetë në të djathë. Kruja dhe Sidorenko do të jenë sërish pjesë e formacionit në këtë repart, ndërsa sulmi pritet që t’i besohet Zogajt, një nga lojtarët më të mirë së bashku me Gurishtën në këto takime të para të rikthimit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"