Pas prezantimit te Dinamo e Zagrebit sulmuesi kosovar paralajmëron kalimin te Shqipëria: Luaj ndaj Kroacisë në Europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 23:00

Pas prezantimit te Dinamo e Zagrebit sulmuesi kosovar paralajmëron kalimin te Shqipëria: Luaj ndaj Kroacisë në Europian

Arbër Hoxha ka zhvilluar sot stërvitjen e parë me Dinamo Zagrebin, ndërsa pritet të debutojë të shtunën në ndeshje miqësore. Dinamo është duke u përgatitur në Rovinj,  ku sot u testua Triglavit, takim të cilën e fitoi në shifrat 7-0. Hoxha nuk u aktivizua në këtë ndeshje.

hoxha dinamo

Sulmuesi i krahut ka dhënë një intervistë për sajtin kroat “germanijak” dhe ka paralajmëruar kalimin te Shqipëria. Ai ka disa paraqitje për Kosovën në miqësore, ndërsa vitin e kaluar u pajis me pasaportë të Shqipërisë.

“Kosova nuk më ka ftuar asnjëherë. Shqipëria më ka thirrur dhe më ka dhënë pasaportën. Besoj se së shpejti do të luaj për Shqipërinë. Shpresoj se do të shkoj në Europian dhe do të luaj ndaj Kroacisë”, ka thënë Hoxha për sajtin kroat.

25-vjeçari te Dinamo kaloi të martën nga Slaven Belupo, ekipi tjetër kroat. Ai ka tri paraqitje për Kosovën, në ndeshje miqësore. Ka luajtur ndaj Suedisë më 12 janar të vitit 2020 e më pas ndaj Guinesë dhe Gambias në qershor të vitit 2021. Prej atëherë nuk është ftuar më nga “dardanët”.

Pra nuk e ka fituar asnjëherë rastin vërtetë dhe tani mund të kaloi te Shqipëria. Në fakt te Shqipëria konkurrenca është shumë e madhe, ndërsa kalimi i Hoxhës te kuqezinjtë do të ishte tjetër humbje për përfaqësuesen e Kosovës. Hoxha në Kroaci ka luajtur edhe për Lokomotivën, por synimin e madh e kishte Dinamon.

“Nga dita e parë kur erdha në Kroaci, dëshira ime e vetme ishte Dinamo dhe ajo ditë erdhi. Këtë e kisha ëndërr dhe synim. Jam shumë i lumtur që i jam bashkuar skuadrës, ende nuk po mund të besoj se jam këtu. Jam maksimalisht i fokusuar në atë që është para meje. Të gjithë e dinë çka do të thotë Dinamo për Kroaci dhe cilat janë synimet – duam të fitojmë secilën ndeshje”, ka thënë Hoxha.

a hoxha

Ai ka treguar se kishte shumë oferta, por se ishte i vendosur që të transferohet te Dinamo, skuadra bindshëm më e suksesshme në Kroaci.

Hoxha ka lënë të kuptohet se nuk i frikësohet konkurrencës, ndërsa ka falënderuar Slaven Belupon. Hoxha ka theksuar se ana e tij e fortë është loja një kundër një dhe driblimi. Ishte trajneri i Dinamos, Sergej Jakiroviq që insistoi për transferimin e Hoxhës.

“Ai më ka ndihmuar shumë, ka dashur të më sjellë, më ka thënë këtë dhe kjo kishte rëndësi për mua. Dua t’ia kthej me ndeshje në fushë. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë, çdo gjë është në nivel të lartë. Dinamo është plot me yje dhe ndihem mirë në mesin e tyre”, ka vijuar Hoxha.

Hoxha beson se Dinamo do ta fitojë titullin kampionit në Kroaci, ndonëse aktualisht është prapa Hajdukut, që gjithashtu ishte një prej skuadrave të interesuara për kosovarin.

“E përsëris, gjithë kohën kam menduar vetëm për Dinamon. Nuk kam menduar asgjë tjetër, për asnjë klub tjetër. Dhe tani jam këtu”, përfundoi Arbër Hoxha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"