“Partizani, zgjedhja e karrierës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2013 | 13:59

“Partizani, zgjedhja e karrierës”

HoxhaNjë telefonatë, 2-3 takime jo të gjata, një ofertë përpara dhe firma në kontratë. Alban Hoxha nuk është menduar gjatë kur ka zgjedhur të nënshkruajë për Partizanin një kontratë 2-vjeçare. Pas një eksperience të gjatë në Superiore me Dinamon, Kastriotin dhe Besën, portieri do të veshë tashmë fanellën e kuqe. “Ishte ndoshta zgjedhja më e mirë që kam bërë deri tani në karrierë”, – Hoxha është i sinqertë në ato çka thotë.
Pse vendosët që të firmosnit për Partizanin. Çfarë ju shtyu ta merrnit këtë vendim?
Emri i madh i klubit, tifozeria shumë e zjarrtë që kjo skuadër ka dhe sigurisht oferta financiare që më bënë drejtuesit. Nuk mund të them se është një shumë e lartë, por relativisht e kënaqshme. Jam i lumtur që do të luaj për Partizanin.
Si u zhvilluan tratativat?
Edhe vetë nuk e mendoja se gjithçka do të ndodhte kaq shpejt. Më kontaktuan drejtuesit e klubit, me të cilët u takova 2-3 herë dhe nuk kemi diskutuar shumë. Më bindi oferta dhe vendosa që të firmosja për të kuqtë.
Çfarë synimesh keni te Partizani?
Është një skuadër e madhe në futbollin shqiptar, e cila në çdo kampionat hyn me synimin për të fituar trofe. Jam i bindur se do ndërtohet një ekip cilësor dhe se do luftojmë deri në fund për të fituar trofe. Kam shumë besim se Partizani sezonin e ardhshëm do të fitojë kampionatin ose kupën, ose të dyja bashkë.
Mbeteni sërish në Superiore…
E njoh shumë mirë Kategorinë Superiore, duke qenë se kam luajtur me Dinamon, Kastriotin dhe Besën për shumë sezone. Rikthehem të luaj në kryeqytet dhe mund të them se Superiorja është një kampionat shumë i fortë. Megjithatë, nëse ke një ekip cilësor dhe luan me shpirt, mund të arrish gjithçka.
Si e vlerësoni zgjedhjen për të luajtur me Partizanin?
Besoj se është më e mira që kam bërë deri tani në karrierë. Megjithatë, kjo do të vërtetohet më mirë kur të zhvillohet kampionati duke parë ecurinë e tij. Ndërkaq, jam i lumtur që do të vesh fanellën e kuqe.
I frikësoheni konkurrencës në ekip?
Absolutisht jo. Unë jam ndër ata lojtarë që gjithmonë ka pasur konkurrencë në ekipet ku ka luajtur, çka nuk më frikëson aspak. Mjafton të kujtoj se te Dinamo kam pasur rival Isli Hidin për të thënë se konkurrenca është gjëja e fundit që më shqetëson.
Keni folur me trajnerin Hasan Lika?
Po, kam biseduar me të. Megjithatë, puna konkrete nis kur të fillojnë përgatitjet.

Gjetje e rrallë, tifozi kërkon të bindë Mazrekajn
Te merkatoja e Partizanit janë angazhuar tashmë edhe tifozët e klubit të kuq. Pas katër prezantimeve të para të lojtarëve që kanë firmosur për “demat”, pritshmëritë tek të kuqtë janë të mëdha. Mbështetësit e skuadrës kryeqytetase kanë ndërmarrë një nismë të veçantë. Kështu, një prej përfaqësueseve të tifozëve të Partizanit ka udhëtuar drejt Prishtinës për të takuar mesfushorin Mentor Mazrekaj. Ultrasi mësohet se ka folur me lojtarin e Prishtinës dhe i ka kërkuar që të pranojë ofertën e Partizanit. Sipas të njëjtave burime pranë tifozit që udhëtoi drejt Prishtinës, mësohet se lojtari i ka shprehur dëshirën që të luajë me të kuqtë, por që i duhet të presë edhe pak për të vendosur përfundimisht për të ardhmen e tij.
BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"