Partizani-Skënderbeu, Vangjeli më i miri, ja notat për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2016 | 10:47

Partizani-Skënderbeu, Vangjeli më i miri, ja notat për lojtarët

Hoxha 6 – I pafajshëm te rasti i golit. Bën detyrën në një devijim “tinëzar” të Osmanit me gjoks dhe më pas është thuajse spektator, sepse Skënderbeu realisht gjuajti shumë pak në kuadrat. I vëmendshëm.vangjeli Fejzullahu 5 – Një ndeshje mesatare për mbrojtësin që, së fundmi, na kishte mësuar të shkëlqente. Abazait i ikën sa herë të dëshirojë, por gabon me Vangjelin te goli i barazimit, sepse nuk e sheh që korçari i vjen vrullshëm pas shpine dhe shënon. I pavëmendshëm.

Bicaj 6 – Fiton të gjitha duelet me Salihin dhe është shumë agresiv me këdo që guxon t’i afrohet zonës. Ndeshje konstante dhe i saktë në luftën në ajër.

Atanda 6 – Po përmirësohet gradualisht taktikisht dhe ia del më së miri të neutralizojë bashkëkombësin e tij Xhejms, i cili nuk të jep pika referimi. Efikas.

Kalari 6 – Ndihmon pak në fazën sulmuese, por ia del mjaft mirë me Latifin dhe më pas me Prognin. Shumë sakrificë, por nëse do të jepte ndonjë pasim më shumë në ofensivë, Trashi nuk do të vuante aq shumë.

Gomez 6 – Markon ashpër gjatë gjithë ndeshjes Lilajn dhe ia del ta pengojë korçarin që të bëhet i rrezikshëm, por është pak efikas në fazën ndërtuese të aksioneve. Gjithsesi nuk stonoi, ndonëse pësoi rënie në pjesën e dytë.

Batha 5,5 – Gjysmë note më pak për shkak të nervozizmit të tepruar në fushë që mund t’i kushtonte të kuqin. Lufton sa për tre dhe ka karakter, por në pjesën e dytë vuan presionin e madh të korçarëve.

Trashi 5,5 – Ndeshje nën mesatare, edhe pse përballë ka Latifin dhe Vangjelin, dy ndër më të mirët në rolin e tyre. Shtyn pak dhe humbet topa të rrezikshëm. Vuajti më shumë se ç’duhet.

Vila 6,5 – Ndeshje e shkëlqyer për mesfushorin që përhap panik sa herë kap topin dhe bën presing pa masë kur nuk e zotëron sferën. Krijon hapësira dhe lufton shumë. Duhet të jetë pak më i qartë kur afrohet me top te zona kundërshtare.

Torasa 6,5 – Ndër më të dalluarit te Partizani. Jep asistin e golit dhe fiton një penallti. I vetmi që bën diferencën tek të kuqtë dhe fut në panik korçarët. I pamarkueshëm, edhe pse ndonjëherë e tepron me provokimet.

Raçiç 6,5 – Zhbllokon ndeshjen dhe i jep frymëmarrje skuadrës, por humbet penalltinë që mund të vuloste fitoren. Gabim që e kanë bërë edhe lojtarë të klasit botëror, por që në fund mund t’i kushtojë titullin Partizanit. Trajneri

Andrea Agostineli 6 – Një pjesë e parë e shkëlqyer me një Partizan që e ka bërë të modës sulmin asfiksues të 30 minutave të para. Por, skuadra e tij në pjesën e dytë vuan edhe pse Skënderbeu nuk ishte në ditën më të mirë. Ekipi i tij tërhiqet shumë dhe ndoshta ai gaboi që e largoi Raçiçin nga fusha.

SKËNDERBEU

Shehi 6 – Dy nota më pak sepse gaboi dukshëm te goli që pësoi, por korrigjoi gjithçka ashtu siç i takon një “senatori” duke pritur një penallti që u shndërrua edhe në pikën e kthesës për korçarët. Pati shumë pak punë në pjesën e dytë, por edhe pse me ndonjë “rrëshqitje”, si ajo e djeshmja, mbetet një pikë referimi për korçarët.

Vangjeli 7,5 – Një gol që i jep dritë një ndeshjeje nën nivelin mesatar. Nervoz, shtyn pak në sulm dhe mbi të gjitha vuan me një lojtar si Trashi më shumë sesa ka vuajtur dikur me Van Persin… Por është dinak dhe i zgjuar. Goli i tij shpëtoi Skënderbeun dhe nuk ishte rastësor. E shënoi sepse besoi deri në fund.

Radas 5 – Gabon në vendosje te goli i Partizanit dhe qartazi nuk është në momentin e tij më të mirë. E ka të vështirë të organizojë si duhet repartin ofensiv, por me kalimin e minutave arrin të sistemohet dhe eviton gabimet.

Osmani 5- Përgjegjës te goli, ndonëse jo i vetëm. Më pas ndryshon totalisht dhe është ai që organizon repartin e prapavijës duke i dhënë hera-herës drejtim edhe ndërtimit të aksioneve. Një notë më pak për nervozizëm të tepruar kundrejt Bathës dhe një të kuq krejtësisht të evitueshëm për vitet që ka mbi supe.

Arapi 6 – Një nga ndeshjet e tij më të mira. Ndihmon në sulm shumë më tepër se mesfushori Abazi dhe është i pakalueshëm në krahun e tij.

Lilaj 5,5 – Nuk doli dot për asnjë moment në lojën e tij, sepse presioni i rivalëve ishte i ashpër, por edhe sepse u ndihmua shumë pak nga shokët. Salihi dhe Xhejms ishin shumë të shkëputur nga ai për të vertikalizuar si duhet.

Orelesi 5,5 – Një pjesë e parë shumë e mirë. Thyen aksione si të mundet, por gabon shumë në pasimet që bën. I fortë në dyluftime, por i ngathët në mendim dhe në pasim. (Nga 69′ Eskuerdinja 4,5 – Shkakton një penallti naive që mund të kishte rezultuar fatale.)

Latifi 5 – Gjysmë note me hatër. Ndoshta i kërkohet shumë të luajë si mesfushor i djathtë, ndërkohë që është një sulmues i dytë. Shumë teknikë, por “përtac” dhe hera-herës pa guxim në dyluftime. Nuk e bën dot diferencën as në duelet një për një, por nëse nuk e bën ai, atëherë Skënderbeu ka probleme. I lexueshëm. (Nga 77′ Renatinjo – i dha grintë skuadrës, por jo aq sa do të donte Josa.)

Abazi 5 – Me hatër… Më mirë në mbrojtje. I ka rënë barra të zëvendësojë një tip që quhej Berisha, por ai nuk e bën dot këtë. Të paktën jo tani dhe jo me këtë skemë. Asnjë pasim për të qenë dhe me gjithë dëshirën e mirë, lë shumë për të dëshiruar edhe në fazën mbrojtëse. (Nga 58′ Progni 6 – Skënderbeu merr frymë me të në fushë. Nuk bën gjëra të jashtëzakonshme sepse kishte probleme fizike, por gjithsesi është më mirë se Latifi.)

Xhejms 4 – Tetë ndeshje, 1 gol me Skënderbeun. Nigeriani duket si i trembur në fushë, nis të “zhduket” në fushë që pas 20 minutave të para. Hija e lojtarit që dikur bënte namin me Laçin.

Salihi 5,5 – I izoluar dhe i markuar në mënyrë të pamëshirshme nuk arrin të shënojë, por gjithsesi hija e bomberit nuk e tradhton. Në momentin e golit tërheq tre lojtarë me vete dhe krijon hapësira për të shënuar dikush tjetër, që në atë rast ishte Vangjeli. Nuk mori asnjë pasim për të qenë dhe Josa duhet të rishohë planin për të vazhduar me këtë sistem loje.

Trajneri Mirel Josa 6 – I guximshëm që këmbëngul për dy sulmues, ndërkohë që mesfusha nuk i përgjigjet më si dikur. Goli i Vangjelit e shpëton nga kritika të ashpra, por nuk mund t’i mohohet merita që në pjesën e dytë korrigjoi shumë gjëra dhe skuadra reagoi mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"