Partizani në emergjencë nga e djathta e mbrojtjes, të kuqtë priten të ndryshojnë skemë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 10:18

Partizani në emergjencë nga e djathta e mbrojtjes, të kuqtë priten të ndryshojnë skemë

Pikësynimi kryesor i Partizanit në merkaton e verës ka qenë përforcimi i sulmit, ku u afruan tri alternativa për pikën referuese. Por, deri tani prurjet nuk kanë bërë diferencë, apo të kenë zgjidhur problemin e golit. Duke u bazuar te shprehja se mbrojtja më e mirë është sulmi, të kuqtë sikur e ulën përkushtimin në prapavijë, ku sektori më i harruar mbeti krahu i djathtë i mbrojtjes.

partizani

Të fiksuar me skemën 3-5-2, drejtuesit larguan Labinot Ibrahimin dhe Hektor Idrizaj, që në fillim të sezonit vijonte fazën rikuperuese, mbeti mbrojtësi i vetëm i mirëfilltë në të djathtë. Me vlonjatin jo në formën optimale, si dhe me mosfunksionimin e skemës me tre mbrojtës, trajneri Lerda u detyrua që të adaptojë Esat Malën si mbrojtës të djathtë, pasi kalimi te skema me 4 mbrojtës bëri që ekipi të shprehej më lirshëm.

Para ndeshjes me Laçin drejtuesit kanë krijuar vetë një emergjencë në krahun e djathtë, pasi kanë pezulluar pa afat Esat Malën, për shkak se ka refuzuar që të rinovojë kontratën.

esat mala

Presidenti Gaz Demi u tregua i sinqertë pas ndeshjes me Laçin, pasi deklaroi se ka dhënë ai urdhër që Mala të mos grumbullohet. Kjo situatë me kosovarin mbetet në fuqi, pasi nuk ka asnjë lajm shpresëdhënës sa i përket rinovimit të kontratës. Hektor Idrizaj gëzon formë optimale në këto momente, por nëse ai do të kishte shqetësime, trajneri Lerda nuk ka asnjë alternativë të mirëfilltë për ta zëvendësuar.

hektor idrizaj

Në të shkuarën Uilliam Melo ka luajtur si mbrojtës i djathtë, por trajneri Lerda e ka pranuar vetë se braziliani nuk mund ta bëjë atë rol. Me Malën të pezulluar dhe në rastin më të keq, ku Idrizaj mund të mos jetë gati, gjasat më të mëdha janë që Partizani të ndryshojë modulin e lojës, duke u kthyer me tre mbrojtës, ose trajneri mund të sajojë. Vjet ish-trajneri Gega ka eksperimentuar me të riun Besnik Ferati si mbrojtës të djathtë.

Në këto kushte, parësore për drejtuesit e Partizanit në merkaton e janarit mbetet gjetja e një mbrojtësi për krahun e djathtë. Ka pasur zëra se në janar “demat” mund të kthejnë Labinot Ibrahimin nga huazimi te Prishtina.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"