Partizani, mbërritja e Volas mban “peng” formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 11:25

Partizani, mbërritja e Volas mban “peng” formacionin

Partizani i Champions-it parashikohet të jetë më i fortë se skuadra që u përball në ndeshjen e parë me Slovan Bratislavën, takim ky i vlefshëm për turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës. Të kuqtë kanë regjistruar në listën e depozituar në UEFA për dy ndeshjet e Championsit me Ferencvaroshin edhe dy sulmues të huaj, gjë e cila të lë të kuptosh se “demat” e kanë zgjidhur ngërçin në fazën ofensive.

dalibor volas

Kaleb Ekuban dhe Dalibor Volas janë dy përforcimet e Partizanit për këtë tur të Ligës së Kampioneve, por kanë edhe një mundësi për ta shfrytëzuar deri nesër, ku u lejohet që të shtojnë edhe një lojtar tjetër në listë. Për momentin, shqetësim në kampin e kuq përbën ardhja me vonesë e sulmuesit slloven. Dalibor Volas në gjashtë muajt e fundit ka qenë pjesë e skuadrës malajziane, Pahang, me të cilën e ka mbyllur kontratën.

Në momentin që 29-vjeçari ka gjetur akordin me Partizanin, ndodhej në Malajzi, pasi po shqyrtonte disa mundësi për të vijuar sërish karrierën në këtë shtet aziatik. Për shkak të udhëtimit të gjatë, Volas pritet të mbërrijë sot te Partizani. Për momentin, formacioni për sfidën e së mërkurës mund të konsiderohet i mbajtur “peng” nga slloveni, pasi nuk mund të bëhen planet e kësaj sfide pa ditur kondicionin e lojtarit.

dalibor volas

Në këto kushte, me shumë mundësi Dalibor Volas pritet të mos jetë titullar ndaj hungarezëve. Gjithsesi, trajneri Sormani do ta shikojë nga afër 29-vjeçarin, por duke ditur se koha në dispozicion është e pakët, gjasat janë që nga përforcimet e fundit në formacion të jetë vetëm sulmuesi Ekuban.

sukaj

Rastësia

Xhevahir Sukaj ishte golashënuesi më i mirë i Partizanit në sezonin e fundit, me 21 gola. Të kuqtë i kanë nisur përgatitjet pa bomberin shkodran, i cili në fund të qershorit u divorcua me kryeqytetasit për ta vijuar karrierën në Malajzi te FC Perak. Por rastësia e desh që zëvendësuesi i Sukajt të vinte nga Malajzia, pasi skuadra e fundit e Dalibor Volas është skuadra malajziane, Pahang, ku në 12 ndeshje slloveni realizoi 6 gola. Pra, e gjithë kjo lëvizje në sulmin e Partizanit mund të përkufizohet si rokadë malajziane, ikën Sukaj në Malajzi dhe nga andej vjen Dalibor Volas.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"