Partizani kameleon, zbardhen manovrat e trajnerit Iuliano

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 16:51

Partizani kameleon, zbardhen manovrat e trajnerit Iuliano

Mark Iuliano dhe stafi i tij i bashkëpunëtorëve ka në plan një Partizan ndryshe nga ai i sezoneve të fundit. Ndaj, ish-mbrojtësi juventin kërkon të injektojë një frymë të re në ekip, e cila mund t’i dërgojë në fund “demat” te titulli kampion. Iuliano është i informuar, madje edhe e ka studiuar se si ka luajtur Partizani në sezonet e fundit, ndaj 44-vjeçari kërkon të ndërtojë skuadrën e tij, e cila duhet të bëjë atë që nuk e arritën dot paraardhësit e tij.

Iuliano

Nuk i ka mbushur akoma dy javë punë në terren, por kjo nuk e ka penguar trajnerin e ri që të praktikojë disa skema dhe rreshtime të ndryshme nga e shkuara. Partizani i Iulianos është në fazën eksperimentale dhe të kuqtë ngjajnë me një kameleon, i cili mbetet në kërkim të një moduli fitues për sezonin e ri. Iuliano dhe stafi i tij, përveç punës që po kryejnë në fushë përditë, në dy miqësoret e luajtura deri tani në Itali kanë treguar se kërkojnë të bëjnë revolucion edhe në rreshtimin e lojtarëve.

partizani1

Manovrat e Mark Iulianos janë në çdo repart. Duke ditur se si ka funksionuar qendra e mbrojtjes në sezonin e fundit, po shikohet që trajneri po insiston për një dyshe të re në këtë sektor, pikërisht Krasniqi-Ibrahimi, të cilët kanë luajtur bashkë në dy miqësoret e fundit. Risia dhe me sa duket këmbëngulja e 44-vjeçarit në krye të Partizanit është që të përshtatë Lorenc Trashin në të djathtë të sulmit. Lojtari nga Gramshi në sezonin e fundit vetëm portierin nuk ka bërë, pasi ka luajtur në çdo pozicion në krahun e majtë, por edhe në qendër të mesfushës.

partizani

Por Mark Iuliano ka një ide tjetër për Trashin, mbase kjo e imponuar edhe nga alternativat që ka në të majtë, si Kotobeli, Adorian, Herrera, pse jo edhe Bardhi me Filin. Deri tani Iuliano ka lënë të kuptojë se Batha dhe La Kamera mund të mos luajnë njëkohësisht, ndërsa sulmi mbetet një kantier i hapur, me shumë alternativa dhe trajnerit italian i duhet të vërë pikat mbi “i”.

Partizani formacioni si ishte

Sulmi mbetet enigmë edhe për faktin se nuk dihet se sa kohë do të zgjasë rikuperimi i Edgar Çanit. Përpos këtyre ndryshime të shumta që po aplikon, Mark Iuliano është optimist në punën që po bën. Kjo vjen edhe nga fakti se shikon një ekip të uritur për të mësuar. Pas ndeshjes me Ternanën, Iuliano, mes të tjerave, u shpreh: “Shqiptarët janë si sfungjer, pasi i thithin menjëherë idetë dhe që u transmetoj gjatë punës së përditshme”.

Formacioni Partizani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"