Partizani fiton duelin me Kukësin, akord me ish-yllin e Shkëndijës së Tetovës
Partizani bën goditjen e parë në merkaton e janarit. Stenio Zhunior, braziliani që luajti për 6 sezone te Shkëndija e Tetovës, ka arritur marrëveshjen me “demat”. Në lojë për sulmuesin e krahut që mund të përdoret edhe si pykë ishte edhe klubi i Kukësit, por mesa duket braziliani është tunduar nga oferta e Partizanit, që vetëm dje mori OK-in për zhbllokimin e merkatos.
Zhunior nuk është një emër i panjohur, pasi ndër vite ka qenë objektiv i ekipeve të Superiores, veçanërisht Partizanit. 29-vjeçari u aktivizua për 6 vite te Shkëndija e Tetovës dhe pasi fitoi gjithçka në Maqedoninë e Veriut, më pas u transferua në Letoni te Riga. Me këtë të fundit luajti në periudhën qershor-shtator 2020, teksa u shpall kampion. Zhunior u aktivizua në 11 ndeshje dhe shënoi 2 gola për letonezët.
Pritet që klubi i kuq të prezantojë sulmuesin në orët në vijim.
Skeda
Stenio Zhunior
Datëlindja: 10.06.1991
Vendlindja: Fortaleza (Brazil)
Pozicioni: Sulmues krahu
Gjatësia: 1.80 metra
Karriera:
Horizonte FC (2010-2012)
Liteks Loveç (2013)
Horizonte FC (2013)
Pelister (2014)
Shkëndija (2014-2019)
Riga (2020);
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"