Partizani dështon edhe në transfertë, jashtë Europës që në turin e parë (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2017 | 20:03

Partizani dështon edhe në transfertë, jashtë Europës që në turin e parë (Video)

Partizani i ka dhënë lamtumirën pjesëmarrjes në Ligën e Europës që në turin e parë të turneut duke u eliminuar nga Bullgarët e Botev Plovdiv.

partizani

Të kuqtë ishim mposhtur 3-1 në shtëpi dhe kishin një detyrë shumë të vështirë në sfidën e kthimit që u luajt sot në Burgas. Një gol i Brisola i dha avantazhin pas 22 minutash ekipit vendas që krijoi edhe disa mundësi të tjera para portës së Partizanit, pro u ndal nga Hoxha, i vëmendshëm përballë sulmuesve kundërshtare.

Në pjesën e dytë, edhe Partizani krijoi disa mundësi të mira shënimi, sidomos në fundin e ndeshjes kur në lojë u futën Mazrekaj dhe Sukaj, por asnjë prej tyre nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë për të realizuar golin e barazimit që do të kishte qenë një ngushëllim i vogël për ekipin.

Pas vërshëllimës përfundimtare dhe humbjes 1-0, skuadrën shqiptare e pret një rrugëtim i gjatë kthimi përsëri në Shqipëri, ku me shumë mundësi klubi do të bëjë riorganizim të plotë, me largimin e Starovës nga posti i trajnerit, duke afruar një tjetër teknik.

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Botev. Partizani jashtë Ligës së Europës që në turin e parë.

90’+1’ Hoxha shpëton Partizanin nga pësimi i golit të dytë. Baltanov shfaqet para portierit të të kuqve, por nuk arrin të kalojë gardianin që devijon topin dy herë duke mes e lejuar të shkojë në rrjetë.

85’ Pasim perfekt nga Fejzullahi për Sukajn, i cili shfaqet në pozicion diagonal me portën bullgare por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit.

85’ Progni provon edhe ai me një gjuajtje të fortë, por nuk gjen kuadratin e portës bullgare.

79’ Fili vjedh topin para zonës kundërshtare dhe pas një driblimi arrin t’ia kalojë Mazrekajt. Ky i fundit gjuan direkt në portë, duke goditur në trupin e portierit, në vend që të pasonte përsëri te Fili që ishte i vetëm.

72’ Ritëm shumë më i ulët në pjesën e dytë, pasi edhe skuadra bullgare nuk shpenzon shumë energji duke menduar për takimet e radhës, meqë kualifikimi është i sigurt.

65’ Lëvizja e parë e Starovës është largimi nga fusha e lojës i Bathës, që ka probleme fizike, për t’u bërë vend Mazrekajt.

54’ Aksion i shpejtë i Botev që rrezikon fillimisht me Nedelev nga krahu i djathtë, me Hoxhën që i heq topin nga këmbët. Më pas, portieri detyrohet të bllokojë në dy kohë gjuajtjen e fortë të Kosoko nga jashtë zonës.

51’ Edhe Ibrahimi përfundon në listën e lojtarëve të ndëshkuar me karton të verdhë në radhët e Partizanit, duke shkaktuar faull shumë pranë zonës së të kuqve. Fatmirësisht për të kuqtë, goditja e dënimit vijuese nuk sjell rrezik për katërkëndorin e Hoxhës.

46′ Rifillon ndeshja në Burgas pa ndryshime në radhët e skuadrave.

45’+1’ Mbyllet me avantazhin e Botev pjesa e parë e ndeshjes.

40’ Progni provon me një gjuajtje në hyrje të zonës, por Çvoroviç nuk e ka të vështirë të kontrollojë në pozicion ballor.

progni botev

38’ Trashi gjen me saktësi në zonë Prognin falë një harkimi në goditje dënimi nga e majta. Por mesfushori, i cili po luan në qendër si sulmues gjatë këtyre minutave, nuk gjen kuadratin me gjuajtjen e tij me kokë.

35’ Partizani ka humbur entuziazmin e minutave të para dhe tani bën gabime të njëpasnjëshme edhe në gabime të thjeshta. Ndërkaq, Vila dhe Batha kanë përfunduar të dy në listën e lojtarëve të ndëshkuar me të verdhë në këto minuta të para.

30’ Tjetër goditje dënimi e Nedelev, por këtë radhë Hoxha është në pozicion dhe pret pa probleme.

22′ Shënon Brisola. Botev në avantazh 1-0. Aksion në krahun e djathtë i skuadrës vendase me një harkim që gjen në zonë Brisolën. Ky i fundit harrohet i vetëm në qendër nga dyshja Krasniqi-Atanda dhe me kokë gjuan në portën e Hoxhës duke realizuar golin e avantazhit.

20’ Goditje dënimi ballore për Botev. Nedelev gjuan direkt në kuadrat, por traversa i mohon gëzimin e golit.

15’ Goditje dënimi në pozicion të favorshëm për Partizanin. Trashi harkon në zonë, por Ibrahimi nuk gjen kohën për të gjuajtur në kuadrat, përkundrazi, prek topin me dorë duke rrezikuar të ndëshkohet me karton të verdhë.

12’ Fili kontrollon në mënyrë të shkëlqyer në krahun e djathtë dhe pasi shmang me një lëvizje me thembër ndërhyrjen e një mbrojtësi kundërshtar, harkon në zonë për Prognin. Por ky i fundit nuk arrin me kokë të devijojë topin drejt portës, duke hu mur një mundësi të mirë për të rrezikuar portën kundërshtare.

6’ Aksion në krahun e majtë i Kotobellit, i cili gjen të lirë në zonë Prognin. Ky i fundit rrëzohet pas një kontakti me mbrojtësit kundërshtarë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

5’ Nedelev provon me një gjuajtje nga jashtë zonës që për pak sa nuk zë në befasi Hoxhën. Portieri i inatosur u kërkon mesfushorëve që të mos e lënë asnjëherë të lirë futbollistin kundërshtar.

1’ Partizani luan topin e parë nga qendra për të filluar ndeshjen.

Botev-Partizani 1-0

22′ Brisola

Botev: Çvoroviç, Minev, Genev, Panov, Dimov, Baltanov, Kosoko, Felipe Brisola (78′ Alvaro), Nedelev, Omnibes (88′ Jusein), Tasev (64′ Sojanov).

Trajner: N. Kirov

Partizani: Hoxha, Krasniqi, Fejzullahu, Atanda, Kotobelli, Ibrahimi, Progni, Vila, Trashi (75′ Kalari), Batha (65′ Mazrekaj), Fili (81′ Sukaj).

Trajner: S. Starova

KV: Vila, Batha, Ibrahimi, Progni, Kalari

Gjyqtar: Alper Ulusoj (Turqi)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"