Partizan rekordesh në Durrës, 25 pikë në 9 javë, askush si ata në 20 vitet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2015 | 16:00

Partizan rekordesh në Durrës, 25 pikë në 9 javë, askush si ata në 20 vitet e fundit

bathaTEUTA-PARTIZANI 0-1
GOLI Trashi 72′
TEUTA: Moçka, Lukiç (Ferraj 82′), Shkalla, R.Hoxha, Kotobelli, Mihani (Hyseni 69′), Hodo (Magani 46′), Dita, Hila, Musta, Lamçja. Trajner: Gugash Magani
PARTIZANI: Hoxha (Xhika 82′), Ibrahimi, Bici, Krasniqi, Kalari (Plaku 62′), Fejzullahu, Batha, Roça, Trashi, Mazrekaj (Bardhi 46′), Sukaj. Trajner: Sulejman Starova
KARTONË TË VERDHË: Hodo 21′, Hila 65′
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë);
DELEGAT: Uvil Zaimi (Tiranë)
GJYQTARET E. Sino, I. Tartari, O. Grabova (Fier)/ pas porte: L.Jemini, K. Meta (Tiranë)

Partizani i trajnerit Sulejman Starova ka kaluar edhe një tjetër provë, duke treguar se për momentin mbetet skuadra për t’u mundur dhe që i ka frikësuar të gjithë, madje edhe Skënderbeun kampion. Faza e parë e Kategorisë Superiore u mbyll me fitoren 0-1 të Partizanit ndaj Teutës në stadiumin “Niko Dovana”. Të kuqve të kryeqytetit u ka mjaftuar Lorenc Trashi për të marrë fitoren, që është e teta radhazi. Ky është një Partizan rekordesh, me 25 pikë në 9 javë, askush si ata në 20 vitet e fundit. Partizani është kampioni i fazës së parë, duke qenë i vetmi ekip në Superiore që nuk njeh humbje, 8 fitore dhe një barazim ndaj Laçit. Skuadra e Starovës nuk prodhon lojë të bukur, por me cinizëm di të fitojë edhe kur nuk luan mirë, si në ndeshjen e djeshme. Teuta e Gugash Maganit ka bërë një paraqitje pozitive këtë sezon, por në dallim nga “demat e kuq” durrsakët nuk kanë arritur të ruajnë vazhdimësinë. Çelësi i suksesit të të kuqve në transfertën e Durrësit ishte aktivizimi i Jurgen Bardhit, djaloshi që më 6 nëntor mbush 18 vjeç. Aktivizimi i tij në pjesën e dytë në vend të Mazrekajt i dha impuls lojës sulmuese. Nga këmbët e adoleshentit nga Fushë-Kruja u gatua edhe goli i fitores së Partizanit. Për të dytën javë me radhë, “demat” kanë vërtetur se nuk janë totalisht të varur nga golat e Xhevahir Sukajt.

Pjesa e parë

Trajnerët Magani dhe Starova e nisën ndeshjen me ndryshime të vogla në formacion, në dallim nga java e fundit. Kjo ishte e kushtëzuar nga dëmtimet dhe pezullimet në të dy kampet. Dukej qartë që të dy ekipet ishin përqendruar në mesfushë, ku përballjet në këtë repart prisnin të bënte diferencën. Ndeshja nisi e qetë, ku mungonte iniciativa drejt portave respektive. Shkëndija e parë vjen me Ditën në minutën e 8-të dhe tri minuta më vonë provon Sukaj. Pastaj për disa minuta loja përqendrohet vetëm në mesfushë. Goditjet standarde janë mundësi e vetme e të dy ekipeve për të rrezikuar portierët Hoxha dhe Moçka. Në 10 minutat e fundit të kësaj pjese, të kuqtë bëhen më kërkues sa edhe mbrojtësit e krahëve, Ibrahimi dhe Kalari, shkojnë deri në fundore për të shërbyer për shokët. 45 minutat e para mbyllen në barazim 0-0.

Pjesa e dytë

Të dy trajnerët preferojnë që të hedhin në fushë që nga minuta e parë nga një zëvendësim. Magani hyn në vend të Hodos, ndërsa 17-vjeçari Jurgen Bardhi zë vendin e Mazrekajt, që kishte hyrë në fushë jo në kondicionin e duhur duke sakrifikuar. Me aktivizimin e Bardhit të kuqtë duken më agresivë në fazën sulmuese, kjo falë lëvizjeve dhe kombinimeve të shpejta të mesfushorit. Në minutën e 49-të, Sukaj kërkon 11-metërsh, pasi pretendon për një top të prekur me dorë nga Hoxha. Në këtë pjesë të kuqtë ushtrojnë më shumë presion te Teuta, e cila e ka të vështirë që t’i afrohet portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. Në minutën e 62-të, Partizani bën një ndërrim të detyruar, pasi Kalari dëmtohet në shpatull dhe, në vend të tij, hyn Plaku. Me këtë zëvendësim ka lëvizje në fushë, ku Ibrahimi kalon si mbrojtës i majtë, ndërsa Fejzullahu kthehet në rolin e tij natyral. Në minutën e 69-të trajneri Magani kërkon të freskojë ekipin me Hysenin në fushë, por pa rezultat. Në minutën e 72-të vjen edhe goli i fitores për Partizanin. Të kuqtë thyejnë një sulm të durrsakëve në mesfushë dhe Bardhi me finesë ecën drejt portës, duke bërë disa lëvizje të bukura dhe, në fund, jep një asist për Trashin, i cili me qetësi e dërgon topin në rrjetë, 0-1 për Partizanin. Në minutën e 83-të një tjetër zëvendësim i detyruar te “demat”, pasi portieri Hoxha merr një të çarë në buzë pas përplasjes me Gëzim Krasniqin dhe në fushë hyn Dashamir Xhika. Pas tetë minutave shtesë, i gjithë takimi mbyllet me fitore 1-0 të Partizanit

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"