Paraqitjet mbreslënëse, trajneri i Sauthemptonit del hapur: Jemi gati të blejmë Armando Brojën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2022 | 11:10

Paraqitjet mbreslënëse, trajneri i Sauthemptonit del hapur: Jemi gati të blejmë Armando Brojën!

Sauthempton do të zbresë sot në fushë për t’u përballur me Uolves në javën e 21-të të Premier Ligës angleze. Në konferencën për shtyp përpara takimit ka dalë trajneri i “Shenjtorëve” Ralf Hazenytel, ku ka folur për përgatitjen që i ka bërë ndeshjes, por përveç kësaj, tema kryesore e konferencës ishte e ardhmja e Armando Brojës.

BROJA

Tekniku u shpreh qartë se Sauthemptoni si klub po përgatitet për të gjetur rrugën e duhur të komunikimit me lojtarin, agjentin e tij si dhe klubin e Çelsit. Më parë ai u shpreh se u ka kërkuar pronarëve të rinj të klubit të tij se kërkon që ta mbajë shqiptarin edhe pas përfundimit të afatit të huazimit.

TRAJNERI FLET PËR BROJËN

“Duhet të gjejmë rrugën e duhur të bisedimeve me lojtarin, agjentin dhe klubin, çfarë duan ata dhe çfarë kërkon Çelsi”. Më pas, trajneri shton:

”Atij i pëlqen këtu, është i lumtur mes nesh dhe po e shijon qëndrimin këtu. Kemi një ekip të ri, këto janë të gjitha arsyet pse ai e ka rritur performancën e tij dhe është përmirësuar në lojë.

Në fund, ne duhet të marrim vendimin e duhur për djaloshin. Qëndrimi i Brojës është një fitore për të gjithë, atëherë do të kemi vendimin e duhur për verën.

Për sa kohë që ai është lojtari ynë, ne shpresojmë se do të argëtohemi shumë me të dhe do të përpiqemi ta bëjmë atë më të mirë në fushë. Pronarët e rinj do ta marrin parasysh këtë gjë, pa dyshim që edhe ata janë të etur për bërë gjëra të mëdha”, përfundoi Hazenytel.

NDESHJA E SOTME

Sulmuesi shqiptar me paraqitjet e fundit që ka bërë e ka fituar vendin e titullarit, kështu që edhe sot në ndeshjen ndaj Uolves, ai pritet që ta nisë nga minuta e parë, pasi te Sauthemptoni të gjithë i kanë sytë tek ai.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"