“Pak kohë më parë thoshin se nuk di ta mund Guardiolën”, Çelsi-Siti përplasin brirët, Tuhel: Unë dhe Pep nuk jemi shahistë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 10:21

“Pak kohë më parë thoshin se nuk di ta mund Guardiolën”, Çelsi-Siti përplasin brirët, Tuhel: Unë dhe Pep nuk jemi shahistë!

Tomas Tuhel thekson përpara kryendeshjes së sotme Çelsi-Mançester Siti se dueli i finales së Champions-it në Premier Ligë nuk është një sfidë mes tij dhe Pep Guardiolës sepse ata nuk janë lojtarë tenisi apo shahu. Blutë e Londrës, të cilët kryesojnë kampionatin 3 pikë më shumë sesa kampionët e Anglisë dhe mund të shkojnë në +6 në rast fitoreje do të përballen pas mesditës së sotme në “Stamford Bridge”.

Tuhel

Çelsi e ka mundur Sitin në tri duelet e fundit: 1-0 në gjysmëfinalen e Kupës FA në prill, 2-1 në kampionat në fillim të majit dhe 1-0 në finalen e Champions-it në fund të po atij muaji. Pavarësisht se Tuheli u vlerësua për taktikën e skuadrës së tij në ato ndeshje duke i dhënë një leksion rivalit, ai foli me modesti për njeriun nga i cili ka mësuar shumë në karrierë: “Jo shumë kohë më parë kishte shumë zëra që më thoshin se unë nuk dija si ta mundja Pepin. Ne nuk luajmë një ndeshje tenisi apo shahu nesër (sot). Ne luajmë me skuadrat tona dhe ekipet tona konkurrojnë me njëri-tjetrin në një nivel shumë të lartë”.

REKORDI – Përpara tri fitoreve radhazi të gjermanit kundër spanjollit, Tuhel dhe Guardiola ishin përballur 5 herë me njëri-tjetrin në Bundesligë dhe Bajerni i Pepit doli fitimtar në katër raste. Rezultati tjetër ishte një barazim 0-0 mes Bajernit dhe Borusias së Dortmundit që drejtohej nga Tomasi. Por tekniku i kampionëve të Europës thotë se fitoret e tij të fundit në Angli mund të kishin qenë fare mirë edhe humbje për shkak të ekuilibrit.

“Po t’i shoh me sinqeritet tri përballjet e fundit, unë them se ishin tri takime 50 me 50. Nuk po flas vetëm për situatën përpara ndeshjes, por ishte e barabartë edhe gjatë lojës. Mendoj se mund të kishte qenë çdo rezultat në fund. Kur ndeshjet janë të tilla, atëherë vendosin detajet e vogla. Ato mund të të japin avantazhin dhe të duhet edhe pak fat. Dhe unë pres një tjetër ndeshje 50 me 50 të shtunën.

Ne duam që të luftojmë fort për të qenë djemtë që do të marrin rezultatin më të mirë. E kemi bërë shpeshherë me këtë skuadër, por siç e thashë ne e dimë se sa shumë kemi vuajtur në ato takime”. Mejzon Maunti do të mungojë në ndeshjen e sotme si pasojë e një problemi të vogël, ndërkohë që portieri Mendi do të rikthehet në portë pasi kaloi shqetësimet në ijë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"