Pa staf, lojtarë dhe stadium/ Situatë kaotike te klubi i njohur shqiptar që militoi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2023 | 21:16

Pa staf, lojtarë dhe stadium/ Situatë kaotike te klubi i njohur shqiptar që militoi në Superiore

Situata te Kastrioti duket kaotike. Nuk kanë mbetur vetëm pa staf, por i është larguar gati një formacion me lojtarë. Trajneri Emiljano Çela dhe ndihmësi i tij Bekim Kuli kanë shkuar “paketë” në Vlorë. Bashkë me ta, ka shkuar edhe Silvio Zogaj.

stadiumi kastrioti

E megjithatë, janë dhe 9 futbollistë që kanë shpallur zyrtarisht “divorcin” me klubin krutan. Konkretisht emra si Abaz Karakaçi, Bedri Greca, Edon Hasani, Milosh Stojanoviç, Armando Rami, Mustafa Kamara, Olauale Onanunga, Martin Prenkoçeviç dhe Edmir Sali. Aspak premtuese është edhe e ardhmja për pjesën tjetër të organikës. Nuk dihet fati për shumë futbollistë të tjerë, si për shembull i vëllezërve Adolf dhe Santiago Selmani.

kastrioti

Nuk mund ta thuash me siguri nëse do të qëndrojnë apo jo. E njëjta situatë vlen edhe për Redon Mihanën. Edhe për shumë të tjerë nuk është e qartë nëse do mbeten pjesë e ekipit të Kategorisë së Parë. Këta janë kryesisht futbollistët që kanë pasur më pak hapësirë në formacion, si portieri Malaj dhe me radhë Sulkaj, Marinaj, Dida, Arapi, Lici, Gjetaj, Mehmeti, Kaçinari, Kodra, J.Çela, Ajazi, Bejzade e Grimçi. Për të shtuar sikletet, mjafton të kthesh kokën nga infrastruktura. Stadiumi “Kastrioti” është jashtë funksionit dhe shërben si kullotë për kafshët.

kastrioti bylis

Në Kamzë nuk luajnë dot prej dëmtimit që i dha FSHF, aq sa u detyruar që të luanin në “Elbasan Arena” ndeshjet e fundit. Një mundësi për krutanët mbetet stadiumi “Redi Maloku” i Fushë-Krujës, por më parë duhet gjetur akordi me klubin e Ilirisë. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim se ku do të sistemohet Kastrioti për ndeshjet zyrtare dhe fushën stërvitore.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"