Orges Shehi: Kur bëhet fjalë për trofe, Skënderbeu është gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2016 | 11:03

Orges Shehi: Kur bëhet fjalë për trofe, Skënderbeu është gati

Për kapitenin e Skënderbeut, Orges Shehi, trofetë janë të gjithë një- soj dhe, pavarësisht se bëhet fjalë për Superkupën, ai kërkon fitoren me çdo kusht. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shehi flet për takimin e sotëm dhe formën që po kalojnë kampionët.

shehi

Orges, nesër (sot) starton sezoni dhe në lojë është Superkupa. Skënderbeu është gati?

Kur bëhet fjalë për trofe dhe për ndeshje zyrtare, Skënderbeu gjithmonë ka qenë gati. Kemi mbyllur dje përgatitjet dhe tashmë jemi gati për të luajtur ndeshjen kundër Kukësit. Mendoj se jemi gati dhe do ta tregojmë në fushë se jemi të etur për sukses.

Si e shikoni takimin e sotëm kundër Kukësit. Parashikoni një ndeshje të vështirë?

Normalisht, është një finale dhe kur luhet për trofe të gjitha takimet janë të vështira. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, që do të dhurojë futboll të bukur. Ky të paktën është mendimi im për këtë takim.

Përballen dy ekipe që kanë bërë shumë ndryshime në këtë merkato…

Ndryshimet gjithmonë janë të pranishme në futboll, pavarësisht se të vjen keq për largimet e ndryshme. Nuk dua të flas për ekipin kundërshtar dhe ndryshimet që ka bërë ai, pasi janë punët e tyre si klub, por për Skënderbeun mund të them se, pavarësisht largimeve dhe afrimeve, ekipi është gjithmonë i fokusuar te sukseset dhe te trofetë e radhës. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi.

shehi

Në këto tri javë e pak përgatitje, si e keni parë ekipin?

Ne patëm mundësi të zhvillonim këtë sezon dy faza përgatitore. Fillimisht punuam në Austri, atje ku erdhëm në formë të mirë dhe ishim gati për të luajtur në Europë, që fatkeqësisht më pas nuk morëm pjesë.

U detyruam të bënim pushime dhe u rikthyem tashmë prej tri javësh e pak në përgatitje dhe mendoj se kemi ecur mirë. Ajo që e theksova dhe më sipër, është pozitive se ky ekip ka dëshirë për suksese dhe jemi përshtatur mirë me njëri-tjetrin.

Trajneri Agostineli ka thënë që nuk jeni ende në 100%. A mund të fitohet Superkupa, edhe pse ekipi nuk është në formën maksimale?

Pavarësisht se unë jam kapiteni i ekipit, nuk kam tagrin që t’i komentoj deklaratat e trajnerit. Është ai në krye të ekipit dhe normalisht i di më mirë se si e kërkon ekipin. Por mendoj se, pavarësisht jemi apo jo në 100% të formës, do të kërkojmë të fitojmë këtë trofe.

Miku juaj Arapi largohet në Turqi. Ju vjen keq që nuk do të ketë një derbi mes dy miqsh në Superiore?

E kuptoj dëshirën tuaj për batuta, por duhet ta nis pak seriozisht në fillim. Do t’i uroj suksese Arapit fillimisht, pasi ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme dhe e meriton plotësisht.

Kjo tregon edhe një herë se Skënderbeu ka dhe ka pasur kampionë në ekip, siç e tregojnë edhe lëvizjet e Vangjelit apo Prognit së fundmi. Të them të drejtën, Arapi do të më mungojë shumë në kampionat, pasi ishim gjashtë vjet në një shtëpi. Por, më mirë që nuk do ta kem përballë si kundërshtar.

Shehi kryesore

Si e shihni kampionati këtë sezon. Cilët mendoni se do të jenë rivalët?

Pa dyshim do të jetë një kampionat i fortë dhe mendoj se kryesisht do të jenë tre ekipet e vjetshme që do të garojnë për titull. Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani, por normalisht nuk mund të lë mënjanë edhe ekipe me traditë si Tirana dhe Teuta, të cilat mendoj se do të bëjnë mirë.

Megjithatë, është pak herët, pasi fillimisht duhet t’i shohim se si do të jenë në fushë këto ekipe që përmenda.

Skënderbeu do të mbrojë sërish titullin kampion. Prisni një garë të fortë?

Po, do të jemi sërish për të mbrojtur titullin kampion edhe për këtë edicion, për herën e shtatë radhazi. Them se do të jetë një kampionat i luftuar, ndoshta i ngjashëm me atë që kaloi, madje edhe më i fortë.

Dhe për ta mbyllur. Kush e ngre trofeun e parë sezonal sot?

Shpresojmë shumë që të jemi ne që do të dalim me kokën lart nga “Selman Stërmasi”, por është një ndeshje e fortë. Shpresoj të jetë një takim i bukur dhe ta fitojë ai që do të luajë më mirë dhe do të bëjë më pak gabime.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"