Zoti të dhashtë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 19:43

Zoti të dhashtë!

YLLI AGA

ylli aga

Dikush trokit në derë…

– Kush a?

– A po na fal ndoj send, zojë?

– Zoti të dhashtë!

– Më fal ndoj send, të dhashtë Zoti shëndet…

– Hajt! Zoti të dhashtë! Por lypësi e di se ç’domethanë “Zoti të dhashtë”: Mos me pas kurr, mos me ngran kurr. Prandej me ma tepër fuqi i bie derës. E tash përmrenda asht zani ma i rreptë:

– Hajt more! Zoti të dhashtë! A merr vesht?

Njëjtë si gati një shekull më parë, përsëritet e njëjta histori, me hallet që mbeten jetime dhe Migjeni me vargjet e tij që shfaqet si ngushëllim. Kudo. Në çdo fushë të jetës. Tanimë edhe në sport. Prej gati tri dekadash, Sporti është kthyer në lypës e Zotnia shtet, me përjashtim të thërrimeve në raste zgjedhjesh, në çdo rast ia ka përplasur derën në fytyrë me një “Zoti të dhashtë”, pa tentuar kurrë në një rast, për ta dëgjuar, për t’i qarë hallin dhe mbi të gjitha për ta mbështetur, që të jetë i barabartë me konkurrentët e tij në rajon më së paku, por edhe në kontinent. Një shkëndijë u ndez 18 muaj më parë, në tryezën “Siguri-Reformim-Modernizim”, por u shua pa asnjë shpjegim dhe tani po tentohet të anashkalohet me të njëjtat akuza, prej të cilave u bishtnohet çdo përgjegjësie.

liga

REFLEKTIM PËR KËRKESAT E LIGËS PROFESIONISTE

Të përmbledhura në vetëm katër pika, ndjekësit e rregullit të futbollit tonë janë dëshmitarë të faktit se të gjitha këto kërkesa janë produkt i debateve të shumta dhe pamundësisë për të gjetur zgjidhje. Premtimi se shumica prej tyre do të plotësohej në harkun e 100 ditëve tanimë është harruar dhe tanimë klubet kanë zgjedhur bojkotin si mënyrë përshkallëzuese të reagimit të tyre.

Nëse shteti ka aplikuar pa fund amnisti për gjobat dhe kamatëvonesat për detyrime nga më të ndryshmet, duket e pavend të mos ua plotësojë këtë kërkesë përfaqësuesve të klubeve të futbollit, që duhet të paguajnë detyrimet ndaj shtetit, por duke kursyer gjobat dhe kamatëvonesat. Klubet kërkojnë uljen e TVSH-së në 6%, si një mënyrë për të kursyer shpenzimet e tyre, për një aktivitet që prodhon pak para dhe për t’i investuar për të ndërtuar terrene të reja, sepse nuk ka asnjë logjikë që klubi Partizani, Tirana, Dinamo dhe çdokush tjetër, përfshi akademitë Republic apo Internacional të paguajnë TVSH 20% për të ndërtuar fusha futbolli që do të largojnë nga rruga me mijëra të rinj dhe do t’i edukojnë dhe japin shpresë për të ardhmen, ndërsa ata që ndërtojnë hotele me 5 yje të paguajnë 6% TVSH.

Nëse klubet kërkojnë ligjin e sponsorizimit sipas atij të Kosovës, refuzimi për të nuk mund të vijë i arsyetuar vetëm me paragjykimin se gara nuk është e ndershme dhe e besueshme (temë më vete kjo dhe meriton reflektim). Sepse, mendimi i parë që të vjen në mendje është: Po pse, janë partitë tona më të ndershme dhe të besueshme se klubet e futbollit që marrin sponsorizime shumëmilionëshe?!

Klubet gjithashtu kanë kërkuar zerimin e taksës për rrogat e futbollistëve, që deri në uljen në tavolinë me përfaqësues të qeverisë duhet të ketë një reflektim për ta hequr si kërkesë, sepse nga çdo këndvështrim është një autogol i madh për ta.

Shumëkush e di që futbollistët kërkesat e tyre i kanë të adresuara për pagesat neto dhe të gjitha detyrimet janë të klubeve, që tatimi progresiv e bën një barrë shumë të rëndë financiare, por në sytë e gjithë opinionit që para se të jetë tifoz ka një profesion të tijin nuk mund ta kapërdijë këtë kërkesë, sipas të cilës një mjek, mësues, punonjës administrate apo një punë të çfarëdoshme të paguajë taksë për pagën e tij, ndërsa futbollistët që janë nga më të paguarit të mos e bëjnë një gjë të tillë. Kjo do të ishte më së paku e pandershme.

“DJE ISHTE DJE, SOT ËSHTË SOT”

Nuk mund të gjesh keqpërdorim më të madh të kësaj shprehjeje të politikanit turk Sulejman Demirel, sesa nga politikanët e vendit tonë. Premtimet e tyre kundrejt sportit dhe sportistëve kanë qenë në kontrast të fortë me mbajtjen e tyre, duke e çuar të gjithë këtë aktivitet në kufijtë e falimentit.

Duke qenë së shoqëritë sportive, ashtu si edhe vetë shteti, nuk i kanë qëllim në vetvete bilancet pozitive financiare, por më së shumti marrja e përgjegjësive shoqërore, edukimin në mënyrë të shëndetshme të brezit të ri dhe krijimin e një imazhi sa më të mirë për një komunitet të caktuar, kuadri ligjor për të duhet të jetë rregullues dhe favorizues. Shembujt e qeverive të vendeve të tjera janë të shumtë, të prekshëm dhe të thjeshtë për t’u kopjuar. Modeli më i mirë mund të ishte ai hungarez, por kur shikon efektet e tij në Kosovë, gjithkush duhet të ndihet i vjedhur që në vendin tonë me sportin vijojnë të bëhen eksperimente pa fund dhe mbi të gjitha pa asnjë ndikim pozitiv për ta vendosur sportin në shinat e duhura. Të lodhur nga premtimet e gjithfarëllojshme të bëra “dje” dhe të mohuara “sot”, pjesa më e rëndësishme dhe përfaqësuese e sportit në vend, në kushtet e minimizimit të të ardhurave për shkak të krizës së pandemisë dhe mbylljes së stadiumeve ka dalë me disa propozime konkrete, të cilat meritojnë të merren në konsideratë dhe t’u jepet zgjidhje.

duka rama

ÇDO BERE VARET PREJ KËMBËVE TË TIJ

Një nga akuzat më të përsëritura ndaj sportit në përgjithësi, dhe futbollit në veçanti, rrotullohet përreth fjalëve për evazion fiskal. Bashkë me çudinë se si shteti e lejon një gjë të tillë, kur gjatë këtyre viteve nuk janë kursyer edhe jetë njerëzish për të ngritur lart mitin e shtetbërjes, shumëkush mund ta dijë se e gjitha kjo është një blof i madh. Sepse, nga 56 klube konkurruese nga garat tona kombëtare, 48 prej tyre janë pronare ose kanë bashkëpronare bashkitë.

Me përjashtim të Shkodrës, të gjitha bashkitë e tjera i përkasin forcës qeverisëse dhe janë njerëzit e saj që miratojnë buxhete dhe pasqyra financiare të çdo qindarke që hidhet në sport. Nëse këto arrijnë të bëjnë evazion, do të ishte skandaloze, por shumëkush e di që ato para nuk mjaftojnë për të paguar rroga minimale, trajtime ushqimore, bazë materiale apo shpenzime operative. Për 8 klubet mundësia për t’i kontrolluar bëhet maksimale në mënyrë që “çdo berr të varet prej këmbëve të tij” dhe askush të mos bëhet kurban për mëkatet e të tjerëve.

Shumica e klubeve tona i ka përcaktuar pagesat mbi një rrogë bazë dhe gjithë pjesa tjetër shkon në llogaritë e futbollistëve si shpërblime për aktivizime, fitore, gola të shënuar, asiste të dhëna, fitime trofesh apo kalime turesh në Europë. Nëse akuzohen klubet tona për këtë mënyrë pagesash, a nuk do të ishte më mirë që këto sulme të fillohen pikësëpari ndaj deputetëve të parlamentit, të cilëve detyrimet u llogariten për pagën 156.000 lekë, ndërsa në realitet përfitojnë deri në 350.000 lekë, por diferenca u motivohet me shpërblime nga më të ndryshmet.

Fundjava e parë e programuar për t’u luajtur ndeshjet hapëse të sezonit të ri kaloi me bojkot, që më shumë sesa reflektim të palëve, prodhoi polemika, që me shumë mundësi do ta bëjnë të vështirë gjetjen e një zgjidhje të pranueshme. Sporti ka nevojë urgjente për mbështetje, për të lënë pas tranzicionin 30-vjeçar dhe për të nisur një epokë të re. Një kuadër ligjor favorizues do të ishte më e pakta, që politika do të mund të bënte, që në sytë e të gjithë opinionit do të ishte si një pendesë për të gjitha gënjeshtrat e thëna “dje”, si një realitet i ri i prekshëm dhe mbi të gjitha si një vizion për të një ardhme më të mirë. E gjitha kjo për të arkivuar përfundimisht përcjelljen me “Zoti të dhashtë”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"