Nga gjithë populli… sportist, te Shqipëria pa sport

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2020 | 19:55

Nga gjithë populli… sportist, te Shqipëria pa sport

YLLI AGA

ylli aga

Ndonëse po pakësohen të gjithë ata që kanë kujtime të prekshme të Shqipërisë së fundviteve ’80, për shkaqe biologjike apo emigrimit për shkak të pamundësisë për të ndërtuar jetën në vendin e tyre, me siguri janë ende shumicë për të treguar se një nga gjërat e pakta pozitive të asaj periudhe ishte masivizimi i sportit.

Aq sa, ndonëse shumëkund mund të lexohej e shkruar parulla “Gjithë populli ushtar”, më e prekshme mund të ngjante “Gjithë populli sportist”, pasi nuk kishte km2, ku të mos gjendej një ambient sportiv dhe konkurrentë pa fund. Kampionate kombëtare në të gjitha disiplinat sportive, të ndara në shumë kategori, për të kulmuar me Spartakiadat, gara rajonale dhe për ta zgjeruar bazën me turne pa fund të nivelit amator të organizuara në kampionate ndërmarrjesh apo kooperativash bujqësore.

unnamed

Ndoshta ishte strategji ideologjike e sistemit komunist, por “fotografikimi” i memories së asaj kohe, mund të na bëjë të reflektojmë për gjendjen e sportit në ditët e sotme, ku prej javësh nuk zhvillohet më asnjë aktivitet sportiv (me përjashtim të një gare çiklistike apo qitjeje).

Nga Shqipëria e terreneve sportive me tepri në raport me planifikimin e përgjithshëm urban, sportistëve që konsideroheshin profesionistë vetëm se paguheshin disa qindarka më shumë se rrogat e zakonshme, punonin vetëm 5 orë apo merrnin një trajtim ushqimor, tek aktualja, ku në qytetet e mëdha terrenet sportive numërohen me gishtat e njërës dorë, kategoritë profesioniste çdo ditë e më të pakta, ku mundësia për t’u marrë me sport është pothuajse zero dhe mbi të gjitha përqindja e popullsisë që ushtron një sport në nivelet më të ulëta në kontinent.

Ballafaqimi i këtyre dy realiteteve, të asaj ku pothuajse i gjithë populli merrej me sport dhe Shqipërisë aktuale pa asnjë garë sportive është fakti më kokëfortë, fotografia më e qartë e dështimit më të madh të politikës së 30 viteve të fundit. Arsyet mund të jenë me mijëra, fajtorët me qindra, por i penalizuari i vetëm është sporti. Braktisja e tij ka përmbysur totalisht mënyrën tonë të jetesës dhe i ka hequr një nga kolonat më të rëndësishme edukimit të brezit të ri. Dhe kur themi këtë, shumëkush nuk ka pse çuditet me normën e lartë të kriminalitetit në vend.

Në këtë pikë limitimi i të gjitha diskutimeve për uljen e normës së TVSH-së në sport, apo mospagesa e tatimit për pagën për pak më pak se 100 futbollistë apo lehtësira të tjera fiskale (që të gjitha së bashku në raport me shumicën e tenderëve që bëhen me krejt fondin limit apo në përqindje në raport me dëmin financiar të përllogaritur në një vit nga KLSH ngjan me një thërrime për buxhetin e shtetit) është vetëm një tullumbace pas së cilës po endet një pjesë e madhe e opinionit sportiv, ndërkohë që nevojat dhe kërkesat janë dhe duhet të jenë shumë herë më të mëdha.

Sidomos në prag të stinës së afërt të një fushate të re elektorale, ku premtimet bombastike kanë nisur t’u buçasin veshëve të të gjithëve, që kulmojnë me gënjeshtrat më të përdorura në 30 vite, më të pabesueshmet dhe më të palogjikshmet ulje taksash për të gjithë dhe rritje pagash në nivele të vendeve të zhvilluara.

Në kohën kur sportit që në kushtet ku e zhvillon aktivitetin e tij, me mbylljen e të gjitha burimeve të financimit, me grabitjen e terreneve dhe një shtrati ligjor krejt të pafavorshëm për t’u ndihmuar nga biznesi, po shkon drejt falimentimit të sigurt, janë duke iu mohuar disa favorizime dhe përmirësime ligjore, të cilat do të shërbenin për të mbajtur frymën gjallë, të dëgjosh premtime të tjera është fyerje e madhe për çdokënd. Shqipëria e fundviteve ’80, ku dallohej kudo realiteti “Gjithë populli sportist” do të mbetet një kujtim i largët dhe i papërsëritshëm.

bojkoti666

Tanimë, pas plot tri dekadash, lutja më e madhe është t’i jepet fund tranzicionit të stërzgjatur, në mënyrë që Shqipëria e javëve të fundit jo vetëm pa futboll, por mbi të gjitha pa sport, të hartojë programe, të sigurojë financime dhe të krijojë lehtësira për të gjithë ata që duan të ushtohen apo të sponsorizojnë, në mënyrë që të hapet një kapitull i ri për secilin grup shoqëror, që në bazë të kushteve dhe mundësive ta kenë sportin, çdo disiplinë të tij, një alternativë të ditës dhe jetës së tyre.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"