Shou me sportin në “Air Albania”, kafshatë që nuk kapërdihet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 23:05

Shou me sportin në “Air Albania”, kafshatë që nuk kapërdihet…

Nga VIRON BEZHANI

KOKSH e qeveria shpenzojnë miliona për “show” dhe japin qindarka për federatat. Edhe një herë tjetër, sporti shqiptar u bë viktimë apo pre e politikës, e atyre njerëzve që abuzojnë me pushtetin që u është dhënë.

viron bezhani

Jo vetëm abuzojnë e mashtrojnë, por edhe vjedhin përmes sportit, duke e lënë atë realisht në mëshirë të fatit.

Ndërkohë që janë në ato poste drejtuese për të ndihmuar e përkrahur sportin, por nuk e bëjnë një gjë të tillë. E tillë ishte maskarada e fundit që pamë pak ditë më parë në stadiumin “Air Albania”, ku u shpenzuan miliona për një “SHOW” të turpshëm.

Ndërkohë që sportistët dhe sporti vuajnë, pasi çdo ditë ai lufton për mbijetesë, pasi fondet që i japin për të nuk janë të mjaftueshme. Fëmijë që detyrohen të mbushin një stadium, ku qëndrojnë me orë të tëra për të kënaqur ata që komandojnë, për t’u dhënë mundësi drejtuesve të qeverisë, bashkisë, Ministrisë së Sportit dhe KOKSH-it të bëjnë “SHOW”- n e tyre, të përdorin fëmijët për propagandë politike.

Jo vetëm kaq, por shpenzojnë miliona euro, shumica e të cilave ka hyrë në xhepat e tyre.

Por çfarë po ndodh realisht me sportin tonë, atë elitar dhe atë masiv, me federatat, sportistët, trajnerët?

Sërish buxheti i sportit është qesharak për vitin tjetër (2023) 500 mln, me të njëjtat shifra si ai i këtij viti.

Pra, sërish i pamjaftueshëm, sërish sa për të mbijetuar e mbajtur frymën gjallë. Ndërkohë që për një “SHOW” në stadium shpenzohen miliona lekë. Sa turp e çfarë paradoksi.

Ky është vizioni i sportit që ka qeveria e KOKSH-i, ai i një “SHOW” të përditshëm, ndërkohë që harrojnë të shohin se ku bëhet sporti i vërtetë dhe se çfarë nevoje kanë ata që punojnë çdo ditë.

Sërish federatat e sportistët do të lypin për ca para më shumë, për të mbijetuar në këtë katrahurë që po bëhet me sportin, i lënë në mëshirë të fatit për shkak të një buxheti qesharak.

Paratë janë, ju e shihni mjaft mirë që ato janë aty, por për fat të keq nuk janë për sportin, për sportin e vërtetë. Ato janë për të bërë “SHOW” me sportin, pasi mos harroni se përpara është një vit elektoral.

Mos u habisni kur të shihni se si ata fëmijë, fëmijët tanë, do të përdoren sërish vitin tjetër me gjoja pretekstin “Tirana, Qyteti Europian i Sportit”.

Do të shihni se sa miliona të tjera do të harxhohen për “SHOW” dhe ju që merreni me sport, ju që djersini çdo ditë, do të vazhdoni të lypni për paratë që ju takojnë.

Sporti ynë ka nevojë për ndihmë të madhe financiare nga shteti (jo të bëjë tenderë për klasat sportive, ku fiton tenderin oferta 400 mln lekë më e shtrenjtë) që për fat të keq e nëpërkëmb atë.

Federatat heshtin për një rrogë nga ministria, sportistët heshtin për një rrogë nga bashkia.

Ndërsa milionat shkojnë për të pasuruar drejtuesit e KOKSH-it, të bashkisë dhe qeverisë, duke mos përfillur ata që kanë realisht nevojë.

Ky mentalitet i të bërit sport duke vjedhur paratë që janë për të përmes një “SHOW” duhet të marrë fund një herë e përgjithnjë, pasi kështu do të bënim hapim e parë për ta rimëkëmbur atë.

Sporti duhet të jetë i lirë, të argëtohemi dhe t’i shërbejë zhvillimit të karakterit njerëzor bazuar mbi vlerat!

Fatkeqësisht kjo që po shohim, mjerisht, është (siç do të thoshte Migjeni) “kafshatë që nuk kapërdihet…”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"