VAR-i e meritoi “certifikatën e bashkëpunimit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2018 | 21:22

VAR-i e meritoi “certifikatën e bashkëpunimit”

MIKEL SHESTANI*

Botërori “RUSI 2018” uli siparin. Fitoi futbolli. Fitoi Franca. Fitoi edhe VAR-i. Ndonëse ishte “debutues””, VAR-it i takoi merita kryesore për kontributin e dhënë në drejtim të një futbolli të pastër, ku moto kryesore ishte drejtësia sportive. Në prag të fillimit të Botërorit, shefi i departamentit të gjykimit në FIFA, z. Masimo Busaka, ndër të tjera theksoi se VAR-i do të jetë si një ekip që konkurron për trofeun…

Tani që Botërori përfundoi, mund të japim një ide më të qartë për arritjet, mangësitë dhe sfidat për të ardhmen. Fillimisht të flasim për disa nga arritjet kryesore të VAR-it. Së pari, VAR-i gjeti mbështetje institucionale dhe u përkrah gjerësisht nga të gjithë aktorët e futbollit, pikërisht për mesazhin e tij kryesor, dhënien e drejtësisë sportive. Së dyti, ana pozitive e trysnisë që ushtroi VAR-i ndihmoi aktivisht “skuadrën e arbitrave”, në menaxhimin teknikodisiplinor.

Sipas një statistike të publikuar nga FIFA, vetëm në fazën e grupeve VAR-i ka kontrolluar 335 raste të dyshimta, 17 herë raste flagrante, ka akorduar 24 penallti, 3 kartonë të kuq dhe 3.5 kartonë të verdhë. Së treti, VAR-i veproi drejt që ruajti me fanatizëm katër kriteret e përcaktuara, sepse devijimi mund të sillte kundërshti dhe interpretime të padëshiruara.

KU KONSISTUAN DISA NGA TË METAT E VAR-it?

Së pari, në disa raste tërësisht “të lexueshme”, skuadra e VAR-it nuk reagoi duke mos ndërhyrë dhe bashkëpunuar me arbitrin. Më mirë një vendim i drejtë dhe i vonuar, sesa një vendim i gabuar. Ndër rastet jo të pakta, po veçojmë ndeshjet Brazil-Zvicër dhe Spanjë-Portugali, ku goli i barazimit, realizuar nga zviceranët dhe spanjollët, ishin faulle të dukshme ndaj kundërshtarit si dhe mosdhëniet e një 11 m ekipit serb në takimin Serbi- Zvicër apo edhe ekipit maroken në takimin Portugali-Marok etj. Së dyti, në përbërjen e disa prej “skuadrës së VAR-it” ishin arbitra, të cilët përfaqësonin shkolla te ndryshme futbolli.

var2

Kjo ndikoi në mungesën e një unifikimi e vendimmarrjeje sa më të shpejtë e të drejtë. Së treti, në disa takime arbitrat e tepruan me demonstrimin e shenjës te “VAR”-i. Me ose pa dashje, autoriteti i arbitrit u zëvendësua me “gogolin VAR”, që çoi jo rrallë në humbjen e kredibilitetit të arbitrit, frenimin e luftës sportive dhe uljen e kohës efektive të lojës. Së katërti, në disa takime pati interpretime jo të thelluara në rregullat e lojës 2017-2018.

Në ndeshjen Brazil-Belgjikë, ekipit brazilian iu mohua një penallti, ku sipas VAR-it topi nuk arrihej nga lojtari!? Pa hyrë në analizë më të thellë të këtij rasti, mbështetur në rregullat e lojës 2017-2018, faqe 145, teksti i ri, paragrafi 1-2 dhe të shumë rasteve të tjera analoge, u jep të drejtë specialistëve, të cilët mbrojtën arsyetimin se kishim të bënim me një 11-metërsh.

ÇFARË DUHET TË NDRYSHOJË VAR-i?

Hartuesit e VAR-it duhet të përmirësojnë përmbajtjen e funksionimit dhe kriteret e bashkëpunimit arbitër-VAR, ku thelbësore të jetë zbatimi i rregullit 05, pika 1, Autoriteti i gjyqtarit: Çdo ndeshje kontrollohet nga gjyqtari kryesor, i cili ka autoritetin e plotë për të zbatuar “Rregullat e lojës” në lidhje me ndeshjen.

KEMI DY RASTE PËR DISKUTIM:

Së pari, po në rastet “e lexueshme”, kur arbitri për arsye të ndryshme “devijon” nga drejtësia sportive, si duhet të veprohet?! Në funksionimin e VAR-it thuhet: …arbitri mund të zgjedhë ta shohë edhe vetë rastin e diskutueshëm, ose mjaftohet me raportin që i përcillet midis kufjeve për të marrë vendimin e saktë.

Ndryshimi i përmbajtjes së tekstit të mësipërm është domosdoshmëri. Arbitri duhet të shkojë ta shohë e të vendosë jo vetëm një rast të diskutueshëm, por edhe kur vendimi është i njëjtë dhe jo të mjaftohet me raportin, që i përcillet midis kufjeve, sepse kjo cenon besueshmërinë e arbitrit në sy të publikut dhe bie në kundërshtim me rregullin 05, pika 1.

PREZENCA E ARBITRIT NË VENDIM DUHET TË JETË E DETYRUESHME

Në rastet kur arbitri paraqitet në monitor dhe nuk dëshiron të tërhiqet nga një vendim i tij i gabuar, drejtuesi i VAR-it i komunikon vendimin përfundimtar. (kjo pikë të shtohet). VARi të kalojë nga organ konsultativ në organ vendimmarrës, si një shkallë e dytë gjyqësori.

Së dyti, po në rastet “e lexueshme” kur arbitri gabon dhe “VAR” nuk reagon, ose me saktë “hesht”, si duhet te veprohet? Përgjigjja e çdo sportdashësi, i cili kërkon “fair-play” dhe drejtësi sportive, gjendet te vendimmarrja e institucionit më të lartë të futbollit. Të ligjërojë drejtësinë sportive, që nesër të mos themi se e meritoi kupën, por… Themeli i suksesit qëndron në transparencë, mirëkuptim dhe bashkëpunim. Mirupafshim në Katar 2022! …

* Autori është vëzhgues futboll

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"