Risitë e Kombëtares shqiptare “Reja 2019”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2019 | 22:01

Risitë e Kombëtares shqiptare “Reja 2019”

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Mos qofsha i gabuar, ndeshja e fitores 4-0 jashtë fushe e Shqipërisë, këtë herë me Moldavinë për Kampionatin Europian, nuk më ka lënë një mbresë tejet të veçantë për sa i përket nivelit të lojës. Më ka lënë përshtypje të madhe për thellësinë e saj 4-0.

Kështu, kur të kalojnë vitet, askush nuk ka për ta kujtuar atë për nivelin e saj, por thjesht për thellësinë e fitores 4-0. Të tjerat shkojnë e vijnë. Në të vërtetë, ishte një pjesë e parë mjaft e mirë dhe tejet e sigurt, mandej një pjesë e dytë krejt e qetë dhe ndoshta me vetëkënaqësinë e fitores së siguruar qysh me 3-0 të vetëm brenda 40 minutave të para.

moldavi shqiperi

Përfundimisht 4-0 – fitore jashtë fushës e Shqipërisë – tashmë pak a shumë e nivelit mesatar ose diçka më lart. Sidoqoftë, fitorja është vërtet tërheqëse me gjithë këto mëdyshje të miat. Ky shkrim nuk ka synim të përimtojë (analizojë) këtë ndeshje.

Ky shkrim disi i shpejtë ka si synim vetëm të fiksojë disa risi, që mund të quhen edhe historike, çka kjo Kombëtare e drejtuar prej një trajneri italian të sapoardhur na i dha kaq rrufeshëm. Them kaq rrufeshëm, sepse jeta e saj nën këtë drejtim nuk ka më shumë se 130 ditë: 8 qershor – 14 tetor 2019, çka do të thotë një jetë kohore e ndërmjetme e saj.

Tash le të vazhdojmë me risitë. Risia e parë është ajo që ka të bëjë me moshën e trajnerit. Edoardo Reja është trajneri i dytë më i vjetër që ka drejtuar ndonjëherë Kombëtaren. Ka pra, vetëm një rival. Është kroati Otto Baric, i cili u vu në krye të Kombëtares së Shqipërisë kur ishte 74 vjeç, 2 muaj e 3 ditë. Debutimi i tij me Shqipërinë ka qenë ndeshja San Marino – Shqipëria 0-3 e 16 gushtit 2006. Ndërkaq, Edoardo Reja debutoi me Shqipërinë në moshën 74 vjeç pa 4 muaj e 2 ditë me ndeshjen Islanda – Shqipëria 1-0 të 8 qershorit 2019.

Shqiperia goli

Kësisoji, punë muajsh, ai është paksa më i ri se Baric. Trajneri Baric e la Kombëtaren e Shqipërisë mbas humbjes 1-6 në Rumani kur kishte vetëm pesë muaj që i kishte kaluar 75 vjetët. Edoardo Reja ka mundësi të bëhet trajneri më i vjetër që të ketë drejtuar Shqipërinë. Nuk është fort e lehtë megjithatë. Kjo, ngaqë për të shkuar te ky rekord, atij do t’i duhet të jetë trajner i Shqipërisë, e pakta deri andej kah marsi 2022. Disi e vështirë në një vend si Shqipëria, kur mjaftojnë dy humbje rresht dhe një pjesë ende “e papjekur” e gazetarisë sonë, rrufeshëm shtron pyetjen: “A ju a rrezikojnë postin këto dy humbje”?…

Morali i fabulës? Po të jesh mirë me shëndet, mund të jesh pra, edhe një trajner 75- vjeçar i Kombëtares së një shteti. Ka mundësi që dyshja “shqiptare” Baric – Reja të jetë rekordmene e botës në këtë tregues. Sepp Herbergeri i Gjermanisë – kampione e botës qysh më 1954, mbërriti me te “vetëm” deri në moshën 67 vjeç. Sot në klubet e Shqipërisë ka vetëm trajnerë të rinj, që nuk shkojnë më tej 50 e sa vjetëve.

Cikalleshi gol kombetarja shqiperia

Kësisoji, është shkëputur keqas përvoja prej kohës së “risive”. Si askund në Europë, te ne “të vjetrit” nuk i gjen as edhe si këshilltarë! Legjendari Nikita Simonian i Bashkimit të Sovjetik dhe i Rusisë, në moshën 84 vjeç u bë president i Federatës të Futbollit të Rusisë.

Vazhdojmë. Asnjëherë në historinë e Kombëtares së Shqipërisë nuk ka ndodhur që 6 ndeshjet e para të një trajneri të jenë të gjitha për Kampionatin Europian. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një trajner i Kombëtares së Shqipërisë në 6 ndeshjet e para të tij të ketë bilanc pozitiv: 6 ndeshje, 3 fitore, 3 humbje.

Në të vërtetë, bilanci i trajnerit Reja është barazues: 3 fitore, 3 humbje. Por duke qenë golaverazhi i tij pozitiv, 11-8, në tanësi do quajtur edhe bilanci pozitiv. Nuk ka ndodhur pra, me asnjë trajner të Kombëtares së Shqipërisë që mbas 6 ndeshjeve të para radhazi nën drejtimin e tij, të ketë një golavarazh pozitiv. Për një trajner të Shqipërisë, ky bilanc është një rekord në një turne euro-botëror kualifikues.

Turqi-Shqiperi

Risitë nuk ndalin. Për herë të parë në historinë e kualifikimeve euro-botërore të Kombëtares së Shqipërisë, ajo ka një bilanc pozitiv, edhe pse prej 6 ndeshjeve, 3, gjysmën e tyre, i ka luajtur jashtë fushës së vet. Dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë që Kombëtarja e Shqipërisë në 6 ndeshje rresht të kualifikimeve të Kampionatit Europian, vetëm 3 lojtarë t’i kenë luajtur në të 6 ndeshjet: Ismajli, Abrashi, Cikalleshi! Shumë pak, apo jo, për qëndrueshmërinë e një skuadre! Por janë 8 lojtarë të cilët kanë luajtur radhazi në 4 ndeshjet e fundit: Ismajli, Abrashi, Cikalleshi, Roshi, Strakosha, Gjimshiti, Gjasula, Bare. Kjo po, tregon se skuadra shkon drejt përforcimit të qëndrueshmërisë së 11-shit të saj.

Ndërkaq, nga të 28 lojtarët e aktivizuar prej trajnerit Reja në këto 6 ndeshje të tij, janë dhe 4 debutues (të herës së parë absolute). Dhe te këta katër debutues, gjejmë dy fakte mjaft interesante. Dy prej tyre janë futbollistë të pjekur. Klaus Gajsula është 29 vjeç, madje për tre muaj ai bëhet 30 vjeç.

Shqiperia

Ndërsa Lorenc Trashi është 27 vjeç. Janë raste të rralla që lojtarë të kësaj moshe e zhvillojnë ndeshjen e parë me Kombëtaret e tyre. Ndërkaq, Lorenc Trashi, tash i Partizanit, në mos gaboj, është prodhim i futbollit modest të Gramshit, sot skuadra e 11-të e një grupi të kategorisë së tretë të Shqipërisë! Nuk di që të ketë ndodhur deri sot, që një lojtar i cili vjen nga klubi i futbollit të Gramshit të mbërrijë kësisoji te Kombëtarja e Shqipërisë. Dhe sensacioni tjetër: Trashi “nënshkruan” rrufeshëm: 1 ndeshje, 1 gol! Madje spektakolar dhe “100 për qind” golashënues!

Rekord për ne i mesatares së shënimit prej një futbollisti për gjithë historinë e Kombëtares shqiptare! Në të vërtetë, historia e futbollit ka shumë shembuj të tillë të lindjes dhe formimit të futbollistëve të talentuar prej klubeve të qendrave të vogla të banimit. Për fat, prej do vitesh të mira Shqipëria nuk e hedh vështrimin edhe te klube të tilla të vogla.

edi reja

Duke u kthyer te dy debutuesit e tjerë të kësaj katërsheje, shoshim se përballë dyshes 27-29 vjeçare Gjasula – Trashi janë dy 19-20- vjeçarë: Marash Kumbulla i Veronës së Italisë edhe Lindon Selahi i Twente-s së Holandës. Teksa vijnë e bashkohen prej “nordit” të Europës dhe disi jugut të saj, ata debutuan vetëm në ndeshjen e fundit, duke luajtur disa “sekonda” përtej vetëm 1 minute lojë, përderisa të dy hynë në fushë në minutën 89.

Përfshirja e tyre në një ndeshje, rezultati i së cilës ishte përcaktuar qysh në pjesën e parë, madje i thellë, 3-0, është një “mikroeksperiment” i trajnerit Reja i cili bart në vetvete paralajmërimin e një të ardhmeje që nuk e parashikojmë ende. Ajo që ndoshta parashikojmë është se skuadra do të përtërihet – çka trajneri Edoardo Reja i një përvoje të jashtëzakonshme, po tregon qartë se e ka nëpër mend, teksa çka na nxisin këto kohë të fundit, nuk ka rrugë tjetër.

edi reja

Dhe në këtë kontekst, ja ku mbërrin “risia e risive”: nga të 20 lojtarët të cilët luajtën në tri ndeshjet e finaleve të “France 2016” nën drejtimin e trajnerit, deri tash më të suksesshëm të Shqipërisë, me emrin Gianni De Biasi, edhe në 28-shen e 6 ndeshjeve të trajnerit Edoardo Reja gjithnjë ende janë plot 14 lojtarë: Berisha, Hysaj, Mavraj, Veseli, Abrashi, M.Basha, Kaçe, Lenjani, Memushaj, Roshi, T.Xhaka, Bala, Cikalleshi, Sadiku. Shumë! Natyrisht janë me meritë. Nuk dorëzohet kaq lehtë Gianni De Biasi!

Në fund të fundit – risia tjetër kjo – skuadra kërkon të rinohet edhe në moshë. Në këto 6 ndeshje, përveç “të vjetërve”, ajo pati në formacion shumë rini: Ismajli 23 vjeç, Kumbulla 19, Mihaj 21, Selahi 20, Bare 22, Ramadani 23, Manaj 22, Strakosha 23 vjeç. A do të jenë këta një e ardhme e sigurt e Kombëtares së Shqipërisë?… Edhe përgjigjja e kësaj pyetjeje mbetet e hapur. Aq më tepër që asnjë kombëtare nuk mund të përbëhet vetëm prej të rinjsh. Dikush thotë se ajo duhet të ketë të tria moshat, çka do të thotë përvojë “e vjetër”, përvojë që sapo u formua dhe rinim gradual e në kohën e duhur.

Reja Kombetarja

E megjithatë, Edoardo Reja – po aq një xhentëlmen i Italisë – i cili çmon arritjen historike shqiptare të një Gianni De Biasi, mendja ta thotë se nuk do të heqë dorë nga përtëritja. Natyrisht pa flakur tej asnjë trim të “Francës 2016”, por duke i dhënë jetë një gare dhe një rivaliteti të ndershëm midis djemve që sapo u bënë “të tijtë” për një vend të fituar me zotësi në Kombëtaren e tashme të Shqipërisë. “Papritmas” ai përfshiu në 11-shin e parë në plot 90 minuta një lojtar prej Kampionatit ende të nivelit të ultë që është ky i Shqipërisë, atë që thashë, Lorenc Trashin e Partizanit.

Por kjo është një temë tjetër, që mbetet po për një herë tjetër… Shkojmë tash te “risia e risive”. Mbas kaq vitesh, trajneri Edoardo Reja, në ndryshim nga paraardhësit e tij, aktivizoi numrin më të paktë të lojtarëve europianë shqiptarë me prejardhje nga Kosova: vetëm 12 ndër 28! Madje, ai aktivizoi numrin më të paktë të lojtarëve me prejardhje nga Kosova si titullarë të mirëfilltë. Vetëm 5 të tillë: Dermaku, Ismajli, Abrashi, Gjimshiti, Veseli. Kombëtares kjo nuk i kishte ndodhur prej të gjitha këtyre viteve të fundit. Cili mund të jetë shkaku?

Sigurisht ngritja dhe pjesëmarrja e bujshme e Kombëtares së Kosovës. Ajo çka autori i këtij shkrimi të sotëm e ka parashikuar qysh bukur nja e pakta 4 vjet më parë, kur ndonjë atdhetar artificial akuzonte se “ky nuk është me Shqipërinë, por me Kosovën” – thënie që për hir të së vërtetës ma përkëdhelte sedrën. Ishte një sulm “dashamir” megjithatë, pikërisht në çastin kur unë i vetëm shkruaja në këtë gazetë se do të vinte një kohë që shorti i pamëshirshëm europian do të sendërtonte në një grup Kosovën e Shqipërinë e ne do të kishim ndeshjen “kundërshtare” Shqipëri – Kosovë.

Parashikimi u realizua këtë javë me ndeshjen e Kampionatit Europian të 21-vjeçarëve Shqipëria – Kosova 2-1. Sa më gëzon fitorja e Shqipërisë sime, po aq më hidhëron humbja e Kosovës sime… Duke u kthyer te Reja, siç e kemi parashikuar edhe këtë qysh disa vite më parë, kahu i ardhjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilët luajnë në Europë, me ritme më të shpejta do të marrë rrugën e Dardanisë. Duam apo s’duam, do ta quaja risi edhe këtë dukuri të fillimit të shterimit të Kombëtares së Shqipërisë prej shqiptarëve europianë me prejardhje nga Kosova.

Mjerë ai trajner që vonon ta kuptojë këtë. Reja, me sa duket, nuk është prej këtyre… Mbërrijmë kështu, te fitorja e 12-të (aspak risi kjo) e jashtëfushës për ndeshjet kualifikuese euro-botërore, që është pra, kjo 4-0 me Moldavinë në Kishinjev (Chisinau). Risi është vetëm rezultati 4-0 si fitorja më e thellë e jashtëfushës në historitë tona kualifikuese euro-botërore. Po bëj detyrën ndaj të gjithë trajnerëve, duke vënë emrat e tyre pranë këtyre 12 fitoreve:

1962 Greqia – Shqipëria 0-3 (L.Boriçi)
1995 Moldavia – Shqipëria 2-3 (N.Bajko)
2004 Kazakistani – Shqipëria 0-1 (H.P.Briegel)
2007 Luksemburgu – Shqipëria 0-3 (O.Baric)
2013 Norvegjia – Shqipëria 0-1 (G.De Biasi)
2014 Portugalia – Shqipëria 0-1 (G.De Biasi)
2014 Serbia – Shqipëria 0-3 (G.De Biasi)
2015 Armenia – Shqipëria 0-3 (G.De Biasi)
2016 Lihtenshtein – Shqipëria 0-2 (G.De Biasi)
2017 Izraeli – Shqipëria 0-3 (G.De Biasi)
2019 Andorra – Shqipëria 0-3 (E.Bulku)
2019 Moldavia – Shqipëria 0-4 (E.Reja)

Është një histori e vetëm 12 fitoreve në gati 60 vjet pjesëmarrje të Shqipërisë në kualifikimet euro-botërore. Vetëm 12 fitore! Nuk ka ku shkon më pak! Sundon Gianni De Biasi që ka bukur 6 fitore. Mirëpo, me gjithë risinë e 4-0-s me Moldavinë, vetëm 12 fitoret tregojnë se kurrë Shqipëria nuk ka qenë një skuadër e jashtëfushës. Duke mos harruar ndërkaq se dy prej këtyre 12 fitoreve, ajo me Greqinë më 1962 dhe ajo me Serbinë më 2014 janë me vendim në tryezë. Shqipëria është ende “e vogël”.

Pa harruar se risi e një rangu tjetër është ajo që na thotë se fitorja me Moldavinë ishte fitorja e 20-të jubilare e Shqipërisë e jashtëfushës e të gjitha rangjeve të ndeshjeve, pra së bashku me ato miqësore, që nuk na hyjnë në temën e këtushme. Siç e shihni, shumë pak edhe këto, vetëm 20, për më tepër jo në 60 vjet, por tashmâ në plot 74 vjet (1946-2019)! Na duhet të ruajmë qetësinë, duke mos u hedhur përpjetë, edhe pse kemi mbërritur më të thellën, këtë 4-0 me Moldavinë, skuadër të cilën e pamë se kohët e fundit paska rënë tejet.

Dhe po e mbyll me risinë më origjinale të kësaj trajtese historike, disi çlodhëse. Ajo i përket jo një ndeshjeje të fushës së blertë, por një etike të lartë të trajnerit Edoardo Reja. Në një intervistë të tij në “SuperSport” të botuar edhe në gazetën “Panorama Sport”, ai tha: “Kemi një staf të mrekullueshëm, me Bulkun dhe Salihin. Kemi edhe analistin e ndeshjeve, kemi një grup që bashkëpunon dhe kështu vijnë rezultatet pozitive. Kur punon kështu, fort dhe me përkushtim, vijnë dhe rezultatet. Nuk është vetëm meritë e trajnerit, pasi në gjithë këtë grup, merita e trajnerit është jo shumë e madhe pa të gjithë stafin përkrah”. Në mos gaboj, është hera e parë në këtë histori tonën që një trajner i Kombëtares nderon kaq fort bashkëpunëtorët e tij të afërt, duke e ndarë arritjen me ta. Kjo ndoshta është dhe risia më e çmueshme e krejt këtyre risive që u përpoqa t’i shpalos në këtë shkrim.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"