Pse nuk ka rëndësi humbja me Izraelin, kur mendon rëndësitë e mëdha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 20:38

Pse nuk ka rëndësi humbja me Izraelin, kur mendon rëndësitë e mëdha…

NGA BESNIK DIZDARI

Sepse përballë rëndësisë së humbjes me Izraelin, këto rëndësitë e tjera vërtet që janë fort më të mëdha. Humbja me Izraelin nuk ka fort rëndësi, jo vetëm sepse Izraeli ka fituar edhe herë tjetër në Tiranë. Madje, bash në vitin tonë të madh 2016, ai ka fituar në Tiranë deri dhe 3-0.

Shqiperi-Izrael

E mandej ka shkuar Shqipëria e ka fituar 3-0 në Izrael, çka do të thotë që edhe kjo Shqipëri mund të shkojë e të fitojë në Izrael. E nëse ngjet kjo, çka do të themi: “Rroftë trajneri Reja”? Ndonëse edhe tash mund të themi po këtë: sepse edhe mbas humbjes me Izraelin, prej 21 trajnerëve të Kombëtares, i vetmi i shumë ndeshjeve për kualifikimet eurobotërore, i cili ka një bilanc pozitiv, është pikërisht trajneri Reja: 26 ndeshje, 12 fitore e 10 humbje, madje po i vetmi deri edhe te golat, gjithashtu pozitiv: 35-31. E edhe kur shtojmë ndeshjet miqësore, prapë Reja është i vetmi në bilanc pozitiv. Të shohim nëse dhe kur ta mbërrijnë të tjerët… E megjithatë, nuk po e absolutizojmë këtë.

Ajo që po absolutizojmë paksa është ajo tjetra, në të vërtetë tejet “tërheqëse” që na tregon se: Në këtë Ligë të Kombeve të Europës që po zhvillohet, shumë më rëndësi se humbja 1-2 e Shqipërisë me Izraelin janë këto të tjerat: Belgjika – Polonia 6-1, Bullgaria – Greqia 2-5, Portugalia – Zvicra 4-0, Hungaria – Anglia 1-0, Franca – Danimarka 1-2, Kroacia – Austria 0-3 apo Belgjika – Holanda 1-4! E shihni që të gjitha këto janë shumë më të rëndësishme e dramatike se humbja 1-2 e Shqipërisë me Izraelin, që gati-gati ndër ne po trajtohet si fundi i botës.

E pra, për hir të së vërtetës, ato që kanë më shumë rëndësi se kjo “e rëndësishmja e madhe” e humbjes së Kombëtares së Shqipërisë me Izraelin duket qartë se janë këto të tjerat: Shumë më rëndësi, bie fjala, kanë tribunat e boshatisura, mesatarisht as 600 shikues për ndeshje të kampionatit të Shqipërisë apo që në dhjetë vitet e fundit prej tij për Kombëtaren ka dalë vetëm 1 lojtar i talentuar: Uzuni.

Dhe doemos, shumë më rëndësi se humbja e jonë “izraelite”, natyrisht është ajo çka ka ngjarë gjithë këto vite kur kujton se kanë zbritur në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është) Partizani, Dinamo, KS Elbasani, Apolonia e Fierit, Vllaznia e Shkodrës, SK Tirana, Flamurtari i Vlorës, KS Lushnja, Luftëtari i Gjirokastrës, Besa e Kavajës, Tomori i Beratit e tash së fundi deri edhe Skënderbeu i Korçës! Dhe duke qëndruar te më aktualja, shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin është dukuria apo fakti i këtij viti 2022, që na thotë se jashtë kampionatit të Shqipërisë do të jenë skuadrat e Korçës dhe Dinamo e Tiranës, ato të Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, Lushnjës, Kavajës. Madje, siç kemi përsëritur pa ia nda, shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin do të jetë fakti që skuadrat e Gjirokastrës dhe Elbasanit do të jenë në Kategorinë e Tretë (se e Tretë është).

Çka do të thotë se shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin është kryefortësia për të mbetur përsëri te kampionati me 10 skuadra ku do të kemi të pranishme 6 qytete të vogla: Kukësi, Laçi, Kruja, Rrogozhina, Shijaku, Ballshi. Pra, që 60 për qind e skuadrave të një prej kampionateve më të hershme të Europës, që është ky i Shqipërisë, në vitin 2022 të shekullit XXI, do të përfaqësojnë as një të shtatën apo një të tetën e banorëve të shtetit të Republikës së Shqipërisë. Pa shkuar tek ajo tjetra që na thotë se futbolli i Jugut të Shqipërisë – themel i futbollit kombëtar – është flakur tej prej kampionatit kombëtar të këtij shteti. Prej ku mund të nxjerrim konkluzionin se shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin është heshtja emblematike e Federatës Shqiptare të Futbollit që vetvetiu ndal vrullin e duhur të rritjes dhe përhapjes së futbollit në Shqipëri.

Pa harruar mandej rëndësinë e madhe të mbizotërimit të një nënshtrimi a servilizmi, çka asnjëherë deri më sot Shqipëria nuk e ka pasur, ku të gjithë heshtin, përulen, nuk bëzajnë. Me inspektorë e drejtues të zyrave, me delegatë e vëzhgues, me “analistë” e tash së fundi edhe me presidentë të klubeve – me sa duket, të gjithë në një mënyrë a një tjetër, anëtarë të një regjimi. Se, siç duket, regjim është edhe në futboll si në të gjitha fushat e tjera të jetës e qeverisjes së sotme në Shqipëri.

Kësisoj, shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin është kjo tjetra: që ndonëse mbi 30 kryesina klubesh qysh dy vjet më parë kanë kërkuar shtimin e skuadrave të kampionatit të Shqipërisë, deri më sot FSHF-ja jonë, me gjasë fort “moderne”, as nuk ka denjuar të paktën të japë një përgjigje.

Dhe mbërrijmë kështu te rëndësia e rëndësisë që na kujton se mbasi “themeloi” Ligën Kombëtare të Futbollit, FSHF e shoi atë me duart e veta, duke bërë kështu dy “tradhti”: një futbollit kombëtar dhe një tradhti tjetër detyrimeve anëtarësore që ka ndaj UEFA-s, e cila ia detyron skemën organizative çdo shteti ku të drejtojë Liga Kombëtare e Futbollit dhe askush tjetër. E edhe kjo është shumë e shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin.

Ndërkaq, shumë më e rëndësishme se humbja me Izraelin është kjo tjetra që na thotë se prej mbi 35 futbollistëve të grumbulluar për këto tri ndeshje të fundit, të dalë prej tokës apo gjirit të futbollit të Atdheut tonë të dashur, që është Republika e Shqipërisë, ishin vetëm 6 a 7 prej tyre. Shkoni mandej te Shqipëria e 21, 19 apo 17-vjeçarëve, pa asnjë sukses apo arritje, dhe po këtë raport “antiShqipëri” keni për të gjetur.

Kësisoj, embargoja ndaj të rinjve të Republikës së Shqipërisë për të shkuar te Kombëtaret e ëndërruara prej tyre, natyrisht që është shumë më dramatike dhe më e rëndësishme se humbja me Izraelin. Dhe po aq, shumë e më e rëndësishme se humbja me Izraelin është, ndërkohë, indiferenca tashmë historike e qeverisë shqiptare, e Ministrisë së Arsimit dhe e Sporteve apo e KOKSH – ky i fundit ndoshta ngaqë ende nuk e ka për së mbari anëtare të vet FSHFnë, rast botëror ky – prej të cilëve pra, nuk mbërrin asnjë ndërhyrje, asnjë vendim apo qoftë dhe këshillim, për mbarëvajtjen e sportit më popullor në Shqipëri që është futbolli.

E, në këtë kontekst, vetëm sa për të treguar paksa një shembull ndërkombëtar, po rikujtoj se kur para do kohëve ndodhën disa çrregullime në kampionatet e Italisë, qeveria e këtij shteti caktoi përkohësisht presidentin e Komitetit Olimpik që deri në rregullim të punëve, të drejtonte Federatën Italiane të Futbollit.

Sigurisht, me këtë nuk dua të them që kështu të veprojmë edhe ne, sepse, përveç të tjerave, kam përshtypjen ne nuk kemi asisoj burrash të papolitizuar për kësi ndërmarrjesh. Kemi vetëm “burra” që lënë detyrat e tyre për të cilat janë ngarkuar shtetërisht dhe harxhojnë energji për të penguar pa asnjë të drejtë rizgjedhjen me vota të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Na thoni tash nëse ka dalë një problem i vetëm për futbollin kombëtar prej këtyre instancave të mësipërme. Dhe më e pakta: a keni lexuar ndonjë shkrim të problematikës së gazetarisë që të dalë prej zyrave të tyre?

Kurrnjiherë. E meritojnë regjimin komunist i cili për shembull, në ministrinë përkatëse, i detyronte funksionarët apo punonjësit e saj që të trajtonin në shtyp problematikat kritike asisoj. Ndërsa sot indiferenca apo nënshtrimi shembullor duket që mbretëron anekënd kësaj Shqipërie, ashtu si në gjitha fushat e jetës, e pra edhe në mjedisin e futbollit dhe sportit kombëtar. Sigurisht, nuk di se sa mund të ndikoj për të bindur që nuk ndihmojnë assesi alarmet e studiove televizive, medias “analistike” a shkruesve të vegjël a më shumë sesa kaq se është fundi i botës humbja me Izraelin dhe se trajneri Reja – më rezultativi i Kombëtares së Shqipërisë – duhet flakur tej një orë e më parë.

E marr me mend se, përveç të tjerave, thonë kështu ngaqë nuk e kanë mik, nuk rrinë me të, nuk pinë kafe me të… Tash, për të qetësuar sadopak amatorët e futbollit, po ndal këtu, për t’u takuar në shkrimin e radhës, të një natyre tjetër, që do të jetë krejt i qetë. Do të përkujtojmë së bashku 55-vjetorin e heqjes së titullit të 17 Nëntorit 1967, me një risi: do të bëjmë një ndreqje që e deligjitimon atë kampionat të rrallë edhe për historinë e të gjitha kampionateve të Europës…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"