Edhe katër vite të çuara dëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 22:03

Edhe katër vite të çuara dëm

NGA ARTAN SHYTI

Umbyll një tjetër mandat politik dhe natyrshëm duhen bërë bilance e demonstruar arritje edhe në fushën e drejtimit shtetëror të sportit. Është praktika më normale e një qeverisjeje që të tregojë se çfarë ka realizuar nga objektivat e vendosur në fillim të mandatit dhe çfarë jo.

Artan-Shyti

Por ta kërkosh këtë në Shqipëri është utopi e pastër. Së pari, sepse askush kur vjen në qeverisje nuk ka një program të qartë për sportin. Kanë një program elektoral të mbushur me fjalë, por pa asnjë plan masash konkrete se si do të realizohen e kur do të realizohen. Dhe, së dyti, nuk kanë as më të voglën përgjegjshmëri që, në përfundim të mandatit të dhënë nga votuesit, të japin llogari se si i shpenzuan katër vite në pozicionet politike të sportit. Nëse bëjmë një vlerësim objektiv të këtij mandati, mund të vendosim notë pozitive për përmirësimin e dukshëm të infrastrukturës sportive. Janë shtuar stadiumet e reja, u ndërtuan qendra sportive në Tiranë e Korçë, janë ristrukturuar e ndërtuar të reja palestra shkollash në gjithë Shqipërinë.

Pra në listën:
– Përmirësim i bazë ligjore;
– Përsosje e funksionimit të sistemit sportiv;
– Reformim të sportit lokal;
– Mbështetje financiare për federatat shqiptare të sportit;
– Kontroll dhe monitorim të aktivitetit sportiv kombëtar;
– Përmirësim të infrastrukturës sportive.

Mund të quajmë që është bërë punë në pikën 6. Për të tjerat është e kotë të kërkosh punë të bëra sepse nuk ekzistojnë ose janë farë të papërfillshme dhe pa asnjë ndikim në zhvillimin e sportit kombëtar. Emblematike është çështja e financimit të federatave. Vetëm në vitin e katërt të mandatit të dytë u arrit një përmirësim i këtij financimi, por edhe kjo nuk ishte produkt i punës së atyre që kishin marrë përsipër drejtimin politik të sportit, por ndërhyrja e deputetit Fidel Ylli në Ministrinë e Financës…

Drejtimi politik i sportit edhe këtë mandat katërvjeçar ishte një dështim i plotë. Dhe ky është i katërti radhazi në këto parametra. Kjo i bën të dy krahët politikë përgjegjës, ndonëse duhet pranuar që e majta disa gjëra në sport në këto tetë vite 2013-2021 i ka bërë, megjithëse nuk mjaftojnë për vlerësim pozitiv. Nëse miqtë e mi të djathtë mund të tregojnë diçka që është bërë në sport në periudhën 2005-2013 jam i gatshëm ta tërheq vlerësimin plotësisht negativ për qeveritë e këtyre dy mandateve të djathta…

Dhe në një vend si Shqipëria, ku prania e shtetit është e domosdoshme në sport, mungesa e tij intensive për katër mandate ka pasoja katastrofike. Janë 16 vite apo dy breza sportistësh të humbur dhe pasojat do të jenë shumë të rënda për të ardhmen. Sot që flasim na ka mbetur të krahasohemi vetëm me Kosovën dhe, meqenëse atje ka një politikë shumë më mbështetëse për sportin, shumë shpejt edhe me ta nuk do të krahasohemi dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"